Si u shënua Dita Botërore e Shëndetit Mendor në Kosovë? (Lajm)

“Shëndeti mendor është e drejtë universale e çdo njeriu”, ishte një ndër konstatimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë WHO, nëpërmjet së cilës u theksua se është e drejtë e secilit person kurdo që i nevojitet, të ketë qasje në shërbimet sa më cilësore të shëndetit mendor.

Me aktivitete të ndryshme që kishin për qëllim sensibilizimin e qytetarëve për rëndësinë që ka përkujdesja ndaj shëndetit mendor, më 10 tetor 2023, në vendin tonë, si në shumë shtete tjera anembanë botës, u shënua Dita Botërore e Shëndetit Mendor.

Kjo ditë shërbeu si simbol rikujtues, se kujdesi ndaj shëndetit mendor nuk është luks, por domosdoshmëri esenciale e secilit individ, për një jetesë sa më të shëndetshme.

Në ngjarje të ndryshme u bënë thirrje të shumta, jo vetëm për ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj shëndetit mendor, por edhe që institucionet shtetërore të ndërmarrin hapat e nevojshëm drejt përmirësimit të politikave, investimit të strukturave të cilat ofrojnë shërbime të shëndetit mendor, dhe fuqizimit të kauzave për një mirëqenie mendore kolektive sa më të shëndetshme.

Ndër shumë institucione në Kosovë, ishin edhe shkollat fillore dhe të mesme në të cilat nxënësit së bashku me psikologët e shkollave, realizuan aktivitete të ndryshme, ku u promovua rëndësia e përkujdesit ndaj vetes në raport me shëndetin mendor, roli i rëndësishëm i psikologëve shkollorë, si dhe promovimin e një hapësire mbështetëse e të sigurtë brenda institucioneve arsimore.

Ndër institucionet arsimore, ishte edhe Departamenti i Psikologjisë, i Universitetit të Prishtinës, i cili shënoi ditën botërore të shëndetit mendor, me anë të një tryeze diskutimi së bashku me studentët, duke theksuar rëndësinë e shëndetit mendor në ambientin akademik.

Krahas institucioneve arsimore, shumë organizata jo-qeveritare në Kosovë realizuan poashtu takime e diskutime të ndryshme me qytetarë, profesionistë të shëndetit mendor dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, nga ku dolën me konstatime e rekomandime mbi aspekte të ndryshme të cilat prekin fushën e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë, dhe qasjen aktuale të këtyre shërbimeve ndaj qytetarëve.

Si përfundim, kjo datë dëshmoi se nuk mjafton vetëm një ditë, një javë apo një muaj brenda vitit, për t’i rikujtuar vetes dhe të tjerëve, jo vetëm rëndësinë që ka prioritizimi i shëndetit mendor nga niveli individual, e deri në atë institucional, por njëkohësisht edhe idenë që së bashku jemi më të fortë, për të çuar përpara çdo kauzë e cila kontribuon për një mirëqenie e shoqëri sa më të shëndetshme.

Autore: Viola Greiçevci

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë