Skizofrenia është një çrregullim kronik, i cili ndërlidhet me aspekte të ndryshme në procesin e të menduarit, sjelljen dhe emocionet njerëzore. Shenjat dhe simptomat mund të ndryshojnë, por zakonisht përfshijnë deluzione, halucinacione, ndryshime apo çrregullime në të menduar, të folur apo në lëvizje (lexoni shpjegimin e këtyre simptomave duke klikuar këtu).
Zhvillimet në hulumtime mbi trajtimin e skizofrenisë janë duke na çuar drejt njohjes së trajtimeve të reja dhe më të sigurta. Ekspertët gjithashtu po tentojnë vazhdimisht të zbulojnë shkaqet që ndikojnë në zhvillim të këtij çrregullimi, duke studiuar gjenetikën, duke realizuar hulumtime në sjellje dhe duke përdorur imazhime të avancuara për të parë strukturën dhe funksionin e trurit.
Një aspekt me interes në hulumtimet aktuale mbi skizofreninë është edhe njohja sociale, e cila kuptohet si një grup funksionesh mendore që janë themelore për ndërveprimet sociale dhe lidhen me aftësinë për të interpretuar dhe parashikuar sjelljen e të tjerëve në kontekste të ndryshme shoqërore.
Kurse, trajtimi i skizofrenisë zakonisht ka të bëjë me një kombinim barnave, terapisë dhe teknikave të vetë-menaxhimin, duke përfshirë: antipsikotikët, psikoterapinë, dhe medikamente të caktuara për trajtim të simptomave të ndryshme.
Pavarësisht nga keqkuptimet e zakonshme, skizofrenia nuk nënkupton personalitete të ndara ose të shumëfishta. Shumica e individëve me skizofreni nuk janë më të rrezikshëm apo më të dhunshëm se popullata e përgjithshme. Poashtu, ndryshe nga një keqkuptim tjetër i zakonshëm për këtë çrregullim rreth asaj se të prekurit mund të përfundojnë të pastrehë ose të institucionalizuar në spitale, shumica e individëve me diagnozë të skizofrenisë jetojnë me familjet e tyre, në shtëpi grupore ose të pavarur.
Këto keqkuptme mund të vjnë si pasojë e faktorëve të ndryshëm ndërveprues. Andaj, kurioziteti dhe edukimi rreth problemeve të shëndetit mendor mund të ndihmojë në eliminimin e stigmës për ata/ato që janë të diagnostikuar me skizofreni. Gjithashtu, është detyra jonë si pjesë e një mjedisi social që të bashkohemi për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të kultivuar kujdes dhe barazi drejt një jetë të dinjitetshme për të gjithë.
Autore: Dr. Afërdita Zejnullahu
Sqarim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet ose politikat e revistës “Psika”. Përmbajtja e dhënë në këtë artikull është menduar vetëm për qëllime informative. Nuk është një zëvendësim për këshillat, diagnozën ose trajtimin profesional psikologjik, mjekësor ose terapeutik. Gjithmonë kërkoni këshillën e profesionistit të shëndetit mendor ose një ofruesi tjetër të kualifikuar shëndetësor për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me një gjendje psikologjike ose mjekësore. Asnjëherë mos e shpërfillni këshillën profesionale ose mos vononi ta kërkoni atë për shkak të diçkaje që keni lexuar në këtë artikull. Nëse jeni në krizë ose mendoni se mund të keni një urgjencë mjekësore ose psikologjike, telefononi menjëherë mjekun tuaj, profesionistin e shëndetit mendor ose shërbimet e urgjencës.