Rubrikat
Shkrimet e Fundit
Postimet e fundit
Efekti i Placebo: Fuqia e Mendjes mbi Trupin
A keni ndëgjuar ndonjëherë për efektin placebo. Ai është një nga fenomenet më interesante dhe misterioze në psikologji. Placebo ndodhë
Të folurit: i varur nga mjedisi apo i përcaktuar nga gjenetika?
Zhvillimi gjuhësor është një ndër proceset më komplekse dhe thelbësore në jetën e njeriut. Prej dekadash, debati shkencor është fokusuar
Jo vetëm zakon: çfarë fshihet pas duhanpirjes
Shpesh mendojmë se zakonet tona – si duhanpirja – janë thjesht rezultat i zgjedhjeve tona, rrethanave apo ndikimit të të
Perfeksionizmi si Barrë e Padukshme
Çka është vërtet perfeksionizmi?Perfeksionizmi shpesh perceptohet si një cilësi pozitive, por studimet bashkëkohore e identifikojnë si një faktor rreziku për
Hana dhe Tableta e Saj e Tensionit të Lartë
Gjithcka nisi në një kuzhinë të bardhë e metalike, të një restorani te vogël, në një fshat turistik tëKosovës. Nëna
Forca për të thënë “Jo”
Njeriu kurrë nuk duhet të dorëzohet nga qëllimet dhe ëndrrat e tij. Edhe kur rruga bëhet e vështirë dhe lodhja
Postimet e fundit
Kategoritë
Efekti i Placebo: Fuqia e Mendjes mbi Trupin
A keni ndëgjuar ndonjëherë për efektin placebo. Ai është një nga fenomenet më interesante dhe misterioze në psikologji. Placebo ndodhë kur një person përmirësohet ose ndjehet më mirë, fizikisht apo psikologjikisht, edhe kur trajtimi që merr nuk ka asnjë vlerë terapeutike, por personi beson se do të funksionojë. E çuditshme, por për ta kuptuar më mirë imagjinoni këtë: ju jepet një pilulë që ju thonë se do t’ju ndihmojë për të kaluar një dhimbje të fortë koke. Pas pak minutash, ju ndiheni më mire, keni më shumë energji dhe dhimbja është zbehur. Por, në të vërtetë, pilula që ju morët ishte thjesht një tabletë sheqeri, pa asnjë substancë aktive. Pak a shumë një karamele. Por që ju besuat se ishtë një pilulë kundër dhimbjes dhe ajo ju “shëroj”. Kjo është fuqia e placebo-së.
Si shfaqet efekti i placebo-së?
Shumë studiues besojnë se placebo ndodh për shkak të besimit dhe pritshmërive të individit. Kur njerëzit besojnë se po marrin një ilaç që do t’i bëjë mirë, truri i tyre “aktivizon” mekanizma të brendshëm të shërimit si rritja e nivelit të substancave kimike që ndihmojnë në menaxhimin e dhimbjes, siç janë endorfinat. Disa studime kanë treguar se placebo mund të aktivizojë sisteme të trurit që janë të ngjashme me ato që aktivizohen nga ilaçet reale. Pra, truri juaj është një “mjeshtër i magjisë” që mund të ndihmojë trupin të shërohet përmes besimit.
Studime dhe eksperimente
Një nga eksperimentet më të famshme që tregon fuqinë e placebo-s është studimi i bërë mbi ilaçet kundër dhimbjen. Disa pacientëve iu dha një “ilaç” që në të vërtetë ishte vetëm një tableta e paster pa ndonjë substancë aktive. Megjithatë, ata raportuan se ndiheshin më mirë, madje disa mjekë të pranishëm besuan se ilaçi kishte vepruar në mënyrë të efektshme, edhe pse nuk kishte asnjë substancë që mund të kishte shkaktuar përmirësimin.
Një tjetër studim i famshëm u realizua për trajtimin e depresionit, ku disa pacientëve iu dhanë pilula placebo dhe ata përjetuan përmirësim të gjendjes shpirtërore, për shkak të besimit të tyre se po merrnin një ilaç që do të ndihmonte.
Çfarë përdorimi ka Placebo?
Placebo është një fushë e rëndësishme studimi, pasi tregon rëndësinë e pritshmërisë dhe besimit të pacientëve në procesin e shërimit. Mjekët shpesh përdorin efekte placebo për të vlerësuar efektivitetin e trajtimeve të reja në studimet klinike, dhe ndonjëherë përdoren për të ndihmuar pacientët të menaxhojnë simptomat që nuk kanë një trajtim të drejtpërdrejtë të njohur. Për shembull, një mjek mund t’u japë pacientëve pilula placebo në trajtimin e dhimbjeve kronike kur nuk ka mundësi të tjera.
Përfundimi: fuqia që keni në mendjen tuaj
Efekti i placebo-së është një dëshmi e fuqisë së mendjes mbi trupin. Është një shembull i jashtëzakonshëm i asaj se si besimi dhe pritshmërit mund të ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Duke na bërë të kuptojmë se se mendimet dhe besimet që kemi mund të ndikojnë më shumë se ç’mund të mendojmë në shëndetin tonë. Prandaj, herën tjetër që ndiheni të lodhur ose keni dhimbje, ndoshta mund të filloni të mendoni se truri juaj mund të jetë mjeti më i fuqishëm për t’ju ndihmuar. Mos harroni, përtej çdo ilaçi, fuqia më e madhe mund të jetë mendja juaj.
Autor: Erestinë Uka
Burimet:
Niazi, S. K. (2024). Placebo effects: Neurological mechanisms inducing physiological, organic, and belief responses—A prospective analysis. Healthcare, 12(22), 2314. https://doi.org/10.3390/healthcare12222314
Munnangi, S., Sundjaja, J. H., Singh, K., Dua, A., & Angus, L. D. (2024). Placebo effect. In StatPearls. StatPearls Publishing. Retrieved from https://www.ncbi.nlm.nih.gov/books/NBK513296/
Të folurit: i varur nga mjedisi apo i përcaktuar nga gjenetika?
Zhvillimi gjuhësor është një ndër proceset më komplekse dhe thelbësore në jetën e njeriut. Prej dekadash, debati shkencor është fokusuar në pyetjen nëse të folurit është produkt i trashëgimisë gjenetike apo rezultat i ndikimeve mjedisore. Ky artikull eksploron të dyja perspektivat, natyrën (gjenetikën) dhe mjedisin (socializimin, ekspozimin dhe ndërveprimin) dhe diskuton rolin e secilës në zhvillimin gjuhësor të individit, duke paraqitur një qasje ndërdisiplinore që bashkon gjetje nga neuroshkenca, psikologjia zhvillimore dhe gjuhësia.
Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por edhe një pasqyrë e zhvillimit kognitiv dhe social të njeriut. Fëmijët fillojnë të artikulojnë fjalët e para në muajt e parë të jetës, duke kaluar më pas në struktura më të ndërlikuara sintaktike dhe semantike. Megjithatë, pyetja thelbësore mbetet: a është kjo aftësi e lindur, e koduar në gjenet tona, apo është produkt i ndërveprimeve me rrethin dhe stimujt socialë?
Të folurit si funksion gjenetik (natyrë)
Studiuesit që mbështesin qasjen e natyrës theksojnë ekzistencën e një predispozite biologjike për gjuhën. Një nga argumentet më të forta për këtë pikëpamje është gjetja e gjenit FOXP2, i cili lidhet me aftësinë për përpunimin dhe artikulimin e të folurit. Mutacionet në këtë gjen janë shoqëruar me çrregullime të rëndësishme të të folurit dhe gjuhës, që ndodhin edhe në mungesë të deficiteve të tjera kognitive (Lai et al., 2001).
Gjithashtu, studimet mbi binjakët monozigotë dhe dizigotë tregojnë një shkallë më të lartë ngjashmërie në aftësitë gjuhësore te binjakët identikë, duke përforcuar idenë e ndikimit gjenetik (Stromswold, 2001). Fëmijët që kanë prindër me çrregullime të gjuhës apo të të folurit shpesh shfaqin vështirësi të ngjashme, edhe kur rriten në një ambient të pasur me stimuj gjuhësorë.
Edhe neuroshkenca mbështet këtë qasje. Zona e Broca-s dhe zona e Wernicke-s në tru janë të specializuara për përpunimin gjuhësor, dhe dëmtimi i tyre çon në forma të ndryshme të afazisë, të cilat prekin strukturën, kuptimin dhe rrjedhshmërinë e të folurit (Friederici, 2011).
Të folurit si rezultat i mjedisit (ndikimit social)
Nga ana tjetër, mjedisi në të cilin një fëmijë rritet është vendimtar për zhvillimin e gjuhës. Ekspozimi ndaj të folurit të pasur, ndërveprimi verbal me prindërit, kujdestarët dhe bashkëmoshatarët janë elementë kyç që ndikojnë në pasurinë dhe rrjedhshmërinë gjuhësore.
Rastet e fëmijëve të rritur në mjedise të varfra nga ana gjuhësore – si fëmijët e braktisur ose ata në institucione ku ndërveprimi verbal është minimal – tregojnë se mungesa e inputit gjuhësor vonon dhe ndonjëherë pengon zhvillimin normal të të folurit, edhe nëse nuk ekziston ndonjë dëmtim neurologjik (Nelson, 2007).
Teoria e të mësuarit social e Bandura-s (1977) mbështet këtë pikëpamje, duke theksuar rolin e imitimit, modelimit dhe përforcimit në zhvillimin e aftësive të të folurit. Gjithashtu, qasjet konstruktiviste (si ato të Piaget dhe Vygotsky) theksojnë rëndësinë e ndërveprimit social dhe kontekstit në ndërtimin e kuptimeve dhe zhvillimin gjuhësor (Vygotsky, 1978).
Ndërveprimi gjenetik-mjedisor
Sot, shumica e studiuesve pranojnë që të dyja anët (natyra dhe mjedisi) bashkëveprojnë ngushtë në zhvillimin e të folurit. Predispozitat biologjike krijojnë një bazë të lindur që lejon zhvillimin e mëtejshëm gjuhësor, por është mjedisi që aktivizon dhe formëson këto potenciale (Karmiloff & Karmiloff-Smith, 2001).
Nëse një fëmijë nuk ekspozohet ndaj gjuhës në fazat kritike të zhvillimit, kapaciteti i tij për të zhvilluar të folurën mund të mbetet i kufizuar, pavarësisht predispozitës gjenetike.
Modeli i ndërveprimit gjenetik-mjedisor është gjithnjë e më i pranueshëm në literaturën bashkëkohore. Ai nuk i kundërvë natyrën me mjedisin, por i sheh ato si bashkë-faktorë që ndërtojnë dhe formësojnë njëra-tjetrën gjatë zhvillimit.
Të folurit nuk mund të reduktohet vetëm në trashëgimi apo vetëm në ndikim të mjedisit. Ai është produkt i një bashkëpunimi kompleks ndërmjet kodit gjenetik dhe përvojës sociale. Njohja e këtij bashkëpunimi është thelbësore për profesionistët që punojnë me fëmijë, veçanërisht në fushat e logopedisë, psikologjisë dhe edukimit, pasi mundëson qasje më të personalizuara dhe efektive në ndërhyrje dhe mbështetje.
Autor: Fitore Sherifi Kelmendi
Referencat
Bandura, A. (1977). Social Learning Theory. Englewood Cliffs, NJ: Prentice Hall.
Friederici, A. D. (2011). The brain basis of language processing: From structure to function. Physiological Reviews, 91(4), 1357–1392.
Karmiloff, K., & Karmiloff-Smith, A. (2001). Pathways to language: From fetus to adolescent. Harvard University Press.
Lai, C. S. L., Fisher, S. E., Hurst, J. A., Vargha-Khadem, F., & Monaco, A. P. (2001). A forkhead-domain gene is mutated in a severe speech and language disorder. Nature, 413(6855), 519–523.
Nelson, C. A. (2007). A neurobiological perspective on early human deprivation. Child Development Perspectives, 1(1), 13–18.
Stromswold, K. (2001). The heritability of language: A review and meta-analysis of twin, adoption, and linkage studies. Language, 77(4), 647–723.
Vygotsky, L. S. (1978). Mind in Society: The Development of Higher Psychological Processes. Harvard University Press.
Jo vetëm zakon: çfarë fshihet pas duhanpirjes
Shpesh mendojmë se zakonet tona – si duhanpirja – janë thjesht rezultat i zgjedhjeve tona, rrethanave apo ndikimit të të tjerëve. Por një studim 10-vjeçar nga Zvolensky dhe kolegët (2015) me mbi 2000 të rritur në SHBA sugjeron diçka më të thellë: personaliteti ynë mund të ndikojë nëse fillojmë, vazhdojmë apo e lëmë duhanin.
Në psikologji, personaliteti shpesh përshkruhet përmes pesë tipareve kryesore, të njohura si “Big Five”. Këto përfshijnë mënyrën si përjetojmë emocionet, sa socialë jemi, sa të hapur ndaj përvojave të reja, sa bashkëpunues dhe sa të disiplinuar jemi. Studimi u përqendrua pikërisht në këto dimensione për të kuptuar lidhjen e tyre me duhanpirjen.
Rezultatet treguan se disa tipare lidhen më shumë me fillimin e duhanpirjes. Njerëzit që përjetojnë më shpesh emocione negative, si ankth apo stres, kanë më shumë gjasa të provojnë duhanin. Po ashtu, ata që janë më të hapur ndaj përvojave të reja mund të jenë më të prirur të eksperimentojnë.
Por ajo që bie më shumë në sy është roli i neuroticizmit. Ky tipar lidhet jo vetëm me fillimin e duhanpirjes, por edhe me kalimin në përdorim të përditshëm dhe me vazhdimësinë e tij ndër vite. Me fjalë të thjeshta, njerëzit që përjetojnë më shumë stres dhe tension emocional kanë më shumë gjasa të përdorin duhanin si një mënyrë për të përballuar këto ndjenja.
Nga ana tjetër, një tipar doli si faktor mbrojtës: ndërgjegjshmëria. Njerëzit që janë më të organizuar, më të disiplinuar dhe më të vetëkontrolluar kanë më pak gjasa të fillojnë duhanin dhe më shumë gjasa ta lënë atë.
Këto gjetje na ndihmojnë të kuptojmë se duhanpirja nuk është vetëm një zakon i thjeshtë. Shpesh, ajo lidhet me mënyrën si përballemi me emocionet tona. Për disa njerëz, cigaret mund të shërbejnë si një formë e përkohshme “qetësimi”, duke krijuar një cikël ku stresi dhe duhani ushqejnë njëri-tjetrin.
Kjo është arsyeja pse ndërhyrjet për të lënë duhanin nuk duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Një person që përjeton shumë ankth mund të ketë nevojë për mënyra më të shëndetshme për të menaxhuar emocionet, ndërsa dikush tjetër mund të përfitojë nga struktura dhe vetë-disiplina.
Në fund, ky studim na kujton diçka të rëndësishme:
duhanpirja nuk ka të bëjë vetëm me atë që bëjmë, por edhe me atë që ndjejmë.
Autor: Lum Zharku
Perfeksionizmi si Barrë e Padukshme
Çka është vërtet perfeksionizmi?
Perfeksionizmi shpesh perceptohet si një cilësi pozitive, por studimet bashkëkohore e identifikojnë si një faktor rreziku për shëndetin mendor kur merr forma maladaptive (Hewitt & Flett, 1991). Ky fenomen manifestohet përmes një tendence të tepruar për të arritur standarde të parëndësishme të larta, duke çuar në ankth dhe ulje të produktivitetit. Perfeksionizmi ynë i përditshëm është si një shok i padukshëm në shpinë – na ndihmon të bëjmë mirë, por shpesh na ndalon të jetojmë plotësisht.
Perfeksionizmin e karakterizon një spektër nga ai adaptiv, që lidhet me performancë të lartë, te ai maladaptiv, i shoqëruar me shqetësime psikologjike. Hewitt dhe Flett (1991) e konceptualizojnë përmes tre dimensioneve: perfeksionizëm i vetvetes (standardet personale të larta), perfeksionizëm social (pritshmëritë e të tjerëve), dhe perfeksionizëm i orientuar te të tjerët.
Në formën e tij maladaptive, perfeksionizmi lidhet me ankth, vetëkritikë të vazhdueshme dhe një ndjenjë të vazhdueshme se asgjë nuk është mjaftueshëm mirë. Një meta-analizë në Journal of Personality nga Stoeber (2020) analizoi 40 studime dhe gjeti se perfeksionizmi maladaptiv rrit rrezikun e problemeve mendore me 51%.
Si manifestohet?
Në jetën e përditshme, perfeksionizmi shpesh fshihet pas “pak më mirë”: pak më shumë rregullim në shtëpi, pak më shumë studim para provimit, pak më shumë orë në zyrë.
Por çfarë fshihet pas saj?
Shpesh fillon herët: prindërit që thonë “Bëje mirë ose mos e bëj fare”, ose shkolla ku notat e larta janë gjithçka. Psikologia Brené Brown, në librin e saj The Gifts of Imperfection (2010), e quan “hustling for worthiness” – përpjekje të vazhdueshme për të merituar dashurinë. Në trurin tonë, aktivizohet amigdala (qendra e frikës), duke krijuar një cikël që fillon tek frika nga dështimi, puna e tepërt, lodhja, e deri te vetëkritika.
Në kontekstin tonë ballkanik, shto presione sociale: “Çfarë do të thotë bota nëse nuk je i pari?” Studimet e Gallup (2023) tregojnë se perfeksionizmi është më i lartë në vendet në zhvillim, ku suksesi shihet si mbijetesë. Kjo kulturë ku familja, komuniteti dhe reputacioni duhen mbrojtur me çdo kusht e bën perfeksionizmin jo thjesht një tipar personal, por një mburojë sociale. Presioni kolektiv transformon “mjaftueshëm” në dështim të pranueshëm dhe “perfekt” në detyrim të pashmangshëm, duke e thelluar ciklin e vetëkritikës dhe ankthit.
Kjo duket konkretisht kështu në jetën tonë: një student që kalon tre net duke rishikuar një paragraf për një presje të vogël, një nënë që rregullon tortën e ditëlindjes 15 herë dhe harron festën, ose një punëtor që refuzon promovim sepse “nuk është ende gati”. Psikologët e quajnë “paralizë perfeksioniste” – kur “mjaftueshëm mirë” kthehet në “kurrë” (Stoeber, 2020). Rezultati i kësaj nuk është vetëm lodhja, por pengesa për të arritur rezultate reale.
Por si ta thyejmë këtë cikël?
Fatkeqësisht, zgjidhja është më e thjeshtë se sa duket. Rregulli 80/20 thotë: nëse je 80% i kënaqur me një punë, lëshoje, sepse 80% e rezultateve vijnë nga 20% e përpjekjeve (Koch, 2011). Vendos limite kohore: 30 minuta për një email, jo tre orë rishikim. Shëno çdo mbrëmje tre gjëra të vogla që bëre mirë – kjo rrit dopaminën dhe ul vetëkritikën (Ben-Shahar, 2007). Nuk bëhet fjalë për lëvizshmëri, por për zgjuarsi: “përfunduar është më mirë se perfekte” (Clear, 2018).
Rezultati prekës?
Më shumë kohë për jetë reale, si kafe me miq, shëtitje në park, gjumë pa presion. Njerëzit që praktikojnë “mjaftueshëm mirë ” janë 42% më produktivë (Lombardo, 2019). I njëjti student që kaloi tre net për një paragraf, me rregullin 80/20 dorëzoi tezën një muaj më herët dhe fitoi bursë. Një nënë që rregulloi tortën 15 herë? Tani feston me familjen sepse vendosi një limit 30-minutësh për përgatitje. Punëtori që refuzoi promovimin? Pas “time-boxing” aplikoi dhe tani drejton ekipin. Perfeksionizmi premton gjithçka, dhe jep pak. “mjaftueshëm mirë ” jep rezultate të vazhdueshme. Dhe ashtu siç sugjeron libri Atomic Habits i James Clear: “Mos syno perfeksion, syno konsistencë“.
Përfundime
Perfeksionizmi është si një mik i vjetër që na do të mirën, por na mban të lidhur me të kaluarën – duke na penguar të shohim bukurinë e të “mjaftueshmes”. Duket si aleat i suksesit, por shpesh kthehet në pengesën më të madhe – një shok i padukshëm që rëndon jetën e përditshme. Nga standardet e larta personale tek presioni social, ai krijon një cikël vicioz. Ne nuk jemi makina; jemi njerëz, dhe imperfeksioni ynë është pikërisht ajo që na bën unikë. Ti nuk je i detyruar të jesh perfekt, je i detyruar të jesh i mjaftueshëm për të jetuar plotësisht.
Autor: Klea Vezaj
Referenca
Ben-Shahar, T. (2007). Happier: Learn the secrets to daily joy. McGraw-Hill.
Brown, B. (2010). The gifts of imperfection: Let go of who you think you’re supposed to be. Hazelden.
Clear, J. (2018). Atomic habits: An easy & proven way to build good habits. Avery.
Gallup. (2023). State of the global workplace report 2023. Gallup Press.
Hewitt, P. L., & Flett, G. L. (1991). Perfectionism in the self and social contexts: Conceptualization, assessment, and association with psychopathology. Journal of Personality and Social Psychology, 60(3), 456–470. https://doi.org/10.1037/0022 3514.60.3.456
Koch, R. (2011). The 80/20 principle: The secret to achieving more with less (3rd ed.). Nicholas Brealey Publishing.
Lombardo, E. (2019). Better than perfect: 7 strategies to crush your inner critic. New Harbinger Publications.
Stoeber, J. (2020). The psychology of perfectionism: Critical issues, developments, and future directions. Journal of Personality, 88(4), 765–780. https://doi.org/10.1111/jopy.1252
Hana dhe Tableta e Saj e Tensionit të Lartë
Gjithcka nisi në një kuzhinë të bardhë e metalike, të një restorani te vogël, në një fshat turistik të
Kosovës. Nëna e një shoqes time që mund ta quajmë Hana, po krynte punën e saj të zakonshme
ditore dhe në një moment pushimi, pa klientë dhe punë të pakryera – i kujtohet se kishte harruar
ta marr tabletën e tensionit të lartë të gjakut dhe nuk mban mend se kur e kishte pirë së fundmi,
ndoshta po aq ditë sa ishin bërë që kur kishte filluar punën. Pas një kohe të gjatë –po aq sa kishte
jetuar mbi tokë, për herë të pare, Hana punësohet jashtë shtëpisë- fillon punën si kuzhiniere.
Fatmirësisht tensioni i lartë i gjakut nuk përbën pengesë në aftësitë e saj për të punuar–
normalisht nëse mbahet nën kontroll, por si mund të mbahet nën kontroll ky problem “kronik”
nëse harron ta pish tabletën dhe më e cuditshmja; përse nuk ndodhë asgjë mandej: nuk dhemb
koka, nuk rrahë zemra shpejt dhe parregullt, nuk skuqet fytyra e nuk mirren mendt’?!. Në atë
mbrëmje të asaj dite “iluminuese” shoqja ime e pyet nënën e vet me një dozë shakaje nëse
kuzhina e restaurantit e kishte shëruar përfundimisht nga sëmundja. Në fakt kjo kishte ndodhur
vërtetë; Hana kishe gjetur ilaqin e tensionit të lartë, mes grumbullit të enëve, ushqimeve, zërave
të lartë të kolegeve kuzhiniere e kërkesave urgjente të kamarierëve të tensionuar nga porositë e
shumta të klientëve.
Vite më vonë kisha regjistruar studimet në shkencën e psikologjisë dhe zgjidhja më e veshtirë që
mezi e kisha arritur por në fund me doli e duhura dhe më përmbushësja ishte tema e diplomes
dhe po – ju hamendësoni saktë; hulumtimin do ta nisja nga Hana dhe tableta e saj e gjakut. Nuk i
kisha vëzhguar me kujdes deri atëherë jetërat e grave amvise sado që në përditëshmërinë time i
njihja mirë, jetoja me to, e i takoja me patjeter. Psikologjia më bëri të hipotetizoj se gratë amvise
në viset rurale, në masë të konsiderueshme përjetojnë ankth të gjeneralizuar në rast se nuk u
plotësohet nevoja për socializim. Ankthi i gjeneralizuar (Generalized Anxiety Disorder) shfaqet
me intensiteti të lartë dhe simptomat përjetohen cdo ditë; shqetësim konstant për të ardhmen,
ndjenja se gjëra të këqija do të ndodhin, përsëritje e mendimeve e emocioneve negative e lodhje
psikike e fizike. Njeriut i vie nga brenda, vetvetiu – nevoja për të shkëmbyer me njeriun tjetër,
vëmendje, mendime, emocione e ndjenja. Për të bashkëvepruar rrjedhimisht për të shtyrë përpara
qëllimet individuale e kolektive dhe këto qëllime para së gjithash janë qëllime arkaike-mbijetese,
të brendësuara thellë në ne. Në kohën tonë moderne, asgjë nuk ka ndryshuar dhe shumë mirë që
ende na nevojiten njerëzit e tjerë.
Rezultatet e intervistimit të një mostre mirë-përfaqësuese të grave amvise të zonave rurale, na
vërtetuan po këtë. Shumica dërrmuese e grave qe raportuan ankth të gjeneralizuar në nivele te
larta, poashtu raportuan edhe izolim social – mungesë së një angazhimi të përditshëm jashtë
shtëpisë, profesion – punë profesionale dhe kohë të përbashkët me njerëz të tjerë jashtëfamiljar;
sa me i lartë niveli i izolimit social po aq i lartë përjetimi i ankthit të gjeneralizuar. Kur je ne
proces të hulumtimit të një teme shkencore, në rastin tim – dimension psikologjik, medeomos
ndihesh i lumtur kur hipoteza të vërtetohet bindshëm por unë në fakt për herë të parë u ndjeva në
ankth nga rezultatet e punës time. Sipas të dhënave të Entit te Statistikave të Kosovës 44,1% e
grave joaktive në Kosovë janë të regjistruara në kategorinë statistikore si amvise dhe shumica e
kësaj përqindje jeton në zonat rurale. Nese ky hulumtim do të bëhej me një mostër shumëfish me
të madhe sesa te dhënat e mia modeste – duke marre të dhëna nga gjithë vendi, rezultati besoj se
do të dalë anksioz për faktin se një grup i madh i popullsisë rrezikohet nga një crregullim i rëndë
psikologjik, me pasoja të shumëfishta nga një shkaktar si izolimi social që fatkeqësisht thuajse
pranohet në heshtje si realitet i nënkuptueshëm social. Nga dinamikat tona sociale, ekonomike e
kulturore e pranojmë faktin se edhe ndikues të tjerë mund të prekin këtë lidhje shkak –pasojë
mes izolimit social e ankthit te gjeneralizuar, prandaj kemi matur edhe perceptueshmërinë
ekonomike si faktor i mundshëm në rastin konkret. Ne hipotetizuam se një mirëqenie ekonomike
mund të zbusë efektet e izolimit social në ankthin e gjeneralizuar pra nëse një grua amvise qe
banon ne zonat rurale te Kosovës, e cila gëzon të ardhura të mjaftueshme ekonomike – nuk do të
ndihet në ankth pse nuk ka një punë jashtë-shtëpiake e as interaktivitet social. Kjo hipotezë ra
poshtë dhe prapë më solli ankth sepse implikimi është ende më i thellë. Mirëqenia ekonomike
nuk e zbuste ndikimin e izolimit social në shfaqjen e ankthit te gjeneralizuar. Pra sado që gratë
amvise të zonave rurale munden të jenë të sigurta ekonomikisht, kjo nuk i bënë të mbrojtura
kundrejt c’rregullimit të ankthit të gjeneralizuar – si pasojë e izolimit social.
Ky hulumtim mund të shërbejë si dëshmi, për individë, organizata ose institucione që merren me
studimin ose trajtimin e gjendjes psiko-sociale të amviseve- nëse ka të tillë në Kosovë.
Fatkeqësisht, nuk ka të dhëna të përafërta ose të sakta të statusit psiko-social të amviseve të
zonave rurale dhe kjo kategori është jetike për nga roli në shoqërinë tonë. Rezultati na tregoi se
kjo lidhje e fuqishme izolim social – ankth i gjeneralizuar, në fakt është faktor rreziku afatgjatë
që kategoria e amvisve që jetojnë në zona rurale janë pre dhe mund të bien pre.
Një analizë dhe krahasim i nevojshëm është edhe hulumtimi grave amvise në zonat urbane.
Kontekstet sociale, pavarësisht se mund të ngjasojnë, në një shoqëri të vogël demografikisht dhe
gjeografikisht si kjo e jona, prapë dallimet qytet – fshat janë evidente. Dendësia e rrjeteve
sociale, afërsia me to, banimi në hapësira kolektive, mund të ndryshojnë perceptimin e izolimit
social rrjedhimisht nivelet e ankthit të gjeneralizuar tek amviset e zonave urbane dhe
perceptueshmëria ekonomike mund të derivojë ndryshe në rezultate, edhe pse të gjeturat tona na
treguan se më e rëndësishme se perceptimi ekonomik, lidhja sociale ishte më e
rëndësishme/ndikuese në përjetimin e ankthit të gjeneralizuar.
Nivelet e ankthit të gjeneralizuar janë shqetësuese nëse izolimi social ka këtë rol si ndikues dhe
parashikues, prandaj duhet gjetur mënyra se si të krijohen mundësi që gratë amvise të rrjetëzohen
në shoqëri. Duhet gjetur mënyra se si të ndihmohen amviset të përballojnë pasojat e izolimit
social, nëse veq nuk krijohen mundësitë për socializim- duke marrë parasysh rrethanat e
shoqërisë tonë. Ky hulumtim duhet të shërbejë si alarm, në vazhdën e përballjes me probleme
kruciale – për psikologët, profesionistët e fushës dhe njerëzit e institucioneve.
Hana kishte harruar se tensioni i lartë i gjakut i shkaktonte telashe cdo ditë nëse nuk do e
trajtonte me barna dhe në fakt nuk e kishte traejtuar me ditë të tëra dhe tensioni thuajse ishte
heshtur fare. Hana kishte parë veten se brenda mureve të shtëpisë po i ikte jeta ngadalë, pa e
përjetuar ndjenjën e afërsisë me njerëzit e shumtë të botës, pa u ndjerë e aftë dhe e pavarur.
Prandaj kishte lënë “1001” problemet pas dhe ishte punësuar. Ndihet e lumtur dhe e përmbushur
dhe tensioni i lartë i gjakut e mundon pak por jo si në kohën kur e tërë jeta saj sillej në ata pak
metra katror të oborrit dhe shtëpisë së saj. Le të flasim pak edhe për shumë Hana të tjera!
Autor: Majlind Sama
Forca për të thënë “Jo”
Njeriu kurrë nuk duhet të dorëzohet nga qëllimet dhe ëndrrat e tij. Edhe kur rruga bëhet e vështirë dhe lodhja ndihet në shpirt, ëndrrat mbeten drita që na udhëheq përpara. Me u ndalë pak nuk do të thotë me u dorëzu; është një mënyrë për ta ruajtur forcën tonë, për të marrë frymë më thellë dhe për t’u rikthyer më të fortë se më parë.
Një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit për veten është të dish kur duhet të thuash “jo”. Fjala “jo” nuk është egoizëm, dobësi apo refuzim i dashurisë ndaj të tjerëve. Përkundrazi, është respekt ndaj vetes, ndaj energjisë sonë dhe ndaj kufijve tanë emocionalë. Kur themi “jo” ndaj gjërave që na lodhin, në të vërtetë po themi “po” ndaj paqes sonë të brendshme, ndaj shëndetit mendor dhe mirëqenies sonë.
Kujdesi për veten nuk është luks, por nevojë. Është mënyra si mbrojmë zemrën, mendjen dhe shpirtin tonë, si mësojmë të qëndrojmë të fortë pa e humbur butësinë, dhe si mësojmë ta duam veten pa faj dhe pa frikë.
Në jetë do të ketë momente kur do të ndihesh e lodhur, e hutuar apo e pasigurt, por çdo hap i vogël drejt vetes është fitore. Çdo kufi i vendosur është shërim, dhe çdo “jo” i thënë me vetëdije është forcë.
Sepse kujdesi për veten është dashuri ndaj vetes, dhe dashuria ndaj vetes është fillimi i çdo shërimi të vërtetë.
Autor: Kaltrina Krasniqi
Referencat
WHO – Self-Care: https://wkc.who.int/resources/publications/i/item/WHO-RHR-19-14
Verywell Health – What is Self Care: https://www.verywellhealth.com/what-is-self-care-5212781 YouTube – Dorothea Orem Self Care Theory: https://www.youtube.com/watch?v=eOL5ITwWCBQ
