Vende të ndryshme në botë dhe njerëz të ndryshëm kanë parë lindjen e Psikologjisë në kohë e forma të ndryshme. Përgjatë historisë, temat psikologjike kanë qenë burim i kurreshtjes njerëzore dhe kanë gjetur shtëpi trajtimi që në qytetërimet e para. Pavarësisht mungesës së të kuptuarit shkencor të psikologjisë, siç ne e njohim sot, bindjet kulturore e fetare shërbenin si bazë e krijimit të kuptimit mbi veten dhe përjetimet që e bënin interpretimin e tyre për botën e tyre të brendshme dhe atë të jashtme, një rrugëtim të pashtershëm drejt vetes.
Qysh herët në Greqinë e lashtë, ku thuhet të kenë qenë edhe fillet e psikologjisë, filozofë të ndryshëm, si Platoni dhe Aristoteli, shkruanin për natyrën e mendjes dhe sjelljes. Megjithatë, kur flasim për Psikologjinë si një fushë të veçantë të studimit, shkrimet e ndryshme mbi historinë e Psikologjisë tregojnë për shekullin tetëmbëdhjetë si shekulli në të cilin është bërë ndarja e Psikologjisë nga filozofia. Kurse për Psikologjinë si një fushë formale të hulumtimit, gjejmë të dhëna që nga viti 1824, ku profesorët e filozofisë së universiteteve Persiane kishin filluar të ligjeronin gjerë e gjatë mbi psikologjinë në mjediset akademike të Persisë.
Sot, me vrap të një ritmi që u ngjason ritmeve të veprimeve që qëllim kryesor e kanë qartësimin e qëllimit të vetë veprimit, shkenca e Psikologjisë është duke ndryshuar dhe duke u zgjeruar vazhdimisht, dhe hulumtimet e zbërthimet e shtuara janë duke e aftësuar atë për t’i kuptuar më thellësisht dhe, pritshmërisht, për t’i adresuar e lehtësuar sfidat kryesore të përvojave njerëzore.
Zhvillimi i Psikologjisë si një profesion dhe diciplinë vazhdimisht dokumentohet të jetë i lidhur ngushtë me zhvillimet e historisë intelektuale, politike dhe sociale të një shoqërie. Si shumë vende të ndryshme në botë, edhe pse me shumë vonesë, edhe shoqëria kosovare përjetoi një formë të lindjes së kësaj fushe, jo shumë kohë pas luftës së fundit të viteve të ’90-ta. Në grupin e tri departamenteve të reja që iu shtuan Fakultetit Filozofik në vitin 2001, bënte pjesë, për herë të parë, Departamenti i Psikologjisë, ku që nga themelimi e deri më sot, ky departament ka shërbyer si promovuesi dhe burimi kryesor i avancimit të shkencës së Psikologjisë dhe profesionit të psikologut në vend.
Kjo ardhje e Psikologjisë, si fushë studimi në vendin tonë, u bë në një kohë kur Kosova dhe çdo nivel funksional i saj ishin prekur ndjeshëm nga lufta dhe përcjellësit e saj dhe kur njerëzit e saj, shëndeti mendor i të cilëve ishte ndikuar rëndë, ishin në nevojë të madhe për ndihmë dhe përkrahje. Pavarësisht nevojës kritike për adresim të duhur të kërkesave të qytetarëve dhe ofrim të shërbimeve psikologjike dhe atyre të shëndetit mendor në përgjithësi, Kosova në tërë territorin e saj, asokohe, kishte gjithësej pesë psikologë.
Përveç nga numri i ulët i psikologëve, sistemi i shëndetit mendor vuante edhe nga numri i ulët i profileve të tjera që ishin të kualifikuara për ofrime të shërbimeve të shëndetit mendor në vend, ku gjatë asaj periudhe, llogaritjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) tregojnë që në Kosovë ishte një psikiatër për rreth 114,540 banorë.
Pas luftës, në kulmin e nevojave për shërbime bazike shëndetësore, shërbimet e shëndetit mendor në Kosovë ishin ende të organizuara me bazë spitalore dhe me një orientim kryesisht biologjik, ku kujdesi parësor shëndetësor për çrregullime të shëndetit mendor ishte pothuajse jo-ekzistent. Një nga institucionet kryesore gjatë asaj periudhe ishte ai i Shtimes, i cili karakterizohej me kushte tejet të papërshatashme në krahasim me standardet e nevojshme të ofrimit të shërbimeve për të cilat thirrej. Në këtë institucion, gjatë fazave kritike të luftës, raportohet të ishte në shërbim të qytetarëve një staf i përbërë prej vetëm katër anëtarëve, gjersa një numër i tyre kishin lëshuar punën në mungesë të pagës dhe kushteve të tjera të nevojshme. Ngjashëm, edhe periudha e pasluftës e gjeti këtë institucion me një staf dhe përgatitje të pamjaftueshme për ofrimin e shërbimeve qenësore për qytetarët në nevojë.
Si rrjedhojë, në grupin e përpjekjeve për përmirësim të kësaj gjendjeje, me një buxhet prej mbi 1.5 milion eurosh, filloi, për herë të parë, programi i reformimit të sistemit të shëndetit mendor në Kosovë. Në periudhën e fundit të vitit 1999, OBSh, si pjesë e ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, themeloi njësinë e shëndetit mendor, bëri vlerësim të shpejtë të situatës dhe qartësoi qasjen e përkrahjen të cilën ajo do ta ofronte për fuqizim dhe zhvillim të shërbimeve të shëndetit mendor me bazë komunitare. Për realizim të këtij qëllimi, kontribuan edhe neuropsikiatrët e Kosovës, të cilët themeluan Taskë Forcën e Shëndetit Mendor, taskë forcë kjo që për detyrë kryesore kishte zhvillimin e stragjisë së reformës të shëndetit mendor. Ndërsa transformimi i Institutit Special të Shtimes në Qendrën për Integrim dhe Rehabilitim ishte aktiviteti kyç dhe, njëherazi, aktiviteti përmbyllës i këtij programi.
Në këtë vazhdë, e ardhmja e shëndetit mendor në Kosovë ishte duke shkuar në një drejtim, siç dukej shpresëdhënës, të një sistemi shëndetësor me bazë komunitare.
“Ditë e madhe për Kosovën” u konsiderua 3 Marsi i 2001-së, ditë kjo gjatë së cilës, në qytetin e vjetër të Gjakovës, u inaugurua Qendra e Parë e Shëndetit Mendor me Bazë në Komunitet në Kosovë. Shërbimet e shëndetit mendor filluan të shpërndaheshin në zona të ndryshme të vendit dhe si rezultat, pas nëntë viteve, Kosova numëronte nëntë qendra të shëndetit mendor me bazë në komunitet, një qendër të shëndetit mendor me bazë në komunitet për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe disa njësi të tjera spitalore dhe rezidentale.
Pavarësisht ndryshimeve strukturore të sistemit të shëndetit mendor dhe shpresës së madhe për të ardhmen e këtij sistemi, rruga drejt arritjes së qëllimeve primare të tij u ngarkua me një sërë sfidash e barrierash, shumica e të cilave nuk mungojnë as sot. Infrastruktura e varfër ligjore, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme për ofrim të shërbimeve në nivelet e duhura, infrastruktura e dobët fizike e psiko-sociale dhe shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut, përbënin përmbajtjen kryesore të raporteve të ndryshme të realizuara mbi gjendjen e shëndetit mendor në vend ndër vite.
Personat të cilët ishin vendosur në disa nga institucionet kryesore të shëndetit mendor ishin të privuar nga trajtimi i duhur, privatësia dhe dinjiteti njerëzor, ku në shumë raste raportohet të kenë qenë edhe subjekt ndaj dhunës fizike, seksuale dhe asaj psikologjike. Përgjatë një studimi dyvjetor të organizatës botërore, sot të njohur si Disability Rights International, hulumtuesit tregonin që, në institucionin e Shtimes, kishin hasur në pacientë që ishin duke bërë gjumë në dysheme betoni dhe në raste që pacientëve u jepeshin medikamente me afat të skaduar dhe pa monitorim nga ekspertët. “Nëse thua diçka të keqe për stafin, Zoti do të të vrasë” e kërcënimet e tjera të ngjashme ishin disa nga arsyet se pse shumë nga personat që po trajtoheshin në institucionet e ndryshme në vend, e kishin pothuajse të pamundur ta bënin të ditur keqtrajtimin që po u bëhej gjatë kohës sa ishin në ato institucione.
Vite më vonë, raporti i Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ofron të gjetura, poashtu dëshpëruese, mbi gjendjen e institucioneve të shëndetit mendor në vend. Mungesa e psikiatrëve dhe psikologëve, mungesa e shërbimeve mjekësore dhe medikamenteve, mungesa e infrastrukturës ligjore e zbrazëtirat e tjera që duhet të ishin të mbushura në kapacitetet e kërkuara, edhe njëherë reflektuan neglizhimin institucional zhgënjyes të shëndetit mendor në vend.
Përderisa në botë nga qëllimet kryesore të lëvizjeve të ndryshme të shëndetit mendor ishin luftimi i stigmës rreth shëndetit mendor dhe inkurajimi i qytetarëve që të merrnin ndihmë në raste nevoje, tek ne, mungesa e kësaj të dytës vinte si rezultat i ngurrimit të shkaktuar nga gjendja e raportuar më sipër dhe prezenca e madhe e asaj të parës, stigmës, vinte si rezultat i pamundësisë për të ofruar informata të kontekstualizuara e cilësore mbi shëndetin mendor në vend.
Organizimi i shoqërisë civile ishte vazdhimisht në përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e kësaj narrative, narrativë kjo, kahja e së cilës teksa gjente një pikë ku synonte të mbërrinte, shtoheshin presje e pikëpyetje që veç kalimin në faqe të reja optimiste nuk e lejonin. Në grupin e këtyre përpjekjve, 12 vjet më parë, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, në vargun e nismave të cilave vendosi t’i jetësojë me qëllim të përmirësimit të hulumtimit shkencor e gjendjes së Psikologjisë dhe shëndetit mendor në vend, publikoi revistën e parë psikologjike në Kosovë “Psika”. E mirëpritur nga shumë grupe në shoqëri dhe me një mision të qartë, pas disa publikimeve, në mungesë të përkrahjes së domosdoshme, kjo revistë u detyrua ta ndalojë punën e saj.
Iniciativa të tjera nga sektori joqeveritar filluan të shtoheshin ndërvite. Projeksionet buxhetore tejet të ulëta për organizim të sistemit të shëndetit mendor, nën përqindje të të gjitha rekomandimeve ndërkombëtare, ngjashëm si atë të Psikës, penguan punën e shumë nismave e shërbimeve të nisura nga organizatat e ndryshme joqeveritare në vend.
Njësojshmërisht, buxheti që vazhdon të ndahet për sektorin e shëndetit mendor në Kosovë, përkrah bazave ligjore të mangëta, përveç që pengon krijimin e shërbimeve të tjera, ai vazhdon ta pengojë edhe funksionimin e atyre të krijuara dhe mirëmbajtjen e atyre funksionale.
Në anën tjetër, viti 2020, me pandeminë COVID-19 në qendër, e gjen shoqërinë kosovare e cila ende po ballafaqohej me sfidat e pasluftës, me një ekonomi të dëmtuar—të cilën e dëmtoi edhe më shumë, papunësi të lartë—të cilën e ngriti edhe më lart dhe një prevalencë të lartë të problemeve të shëndetit mendor—intensiteti dhe territori i arritur i të cilave e bëri të pamundur injorimin e pashpjegueshëm që u ishte bërë deri më atëherë.
Gjatë vitit që po lëm pas, Ministria e Shëndetësisë (MSh) në Kosovë publikoi Koncept Dokumentin për Shëndet Mendor, në të cilin është bërë analiza e bazës ligjore dhe politikave të tjera që e rregullojnë shëndetin mendor në vend, së bashku me opsione për trajtim të problematikave të ndryshme të ngritura gjatë këtij shkrimi dhe, respektivisht, nga vetë dokumenti i publikuar nga institucioni në fjalë.
Në pritje aktive për angazhim emergjent dhe, njëherazi, të kujdesshëm të institucioneve përkatëse në përmirësim të gjendjes së shëndetit mendor në Kosovë, “Psika”, platforma më e madhe e eksplorimit të Psikologjisë dhe komunikimit të saj në të mirën shoqërore, po vjen sërish në mesin tonë.
“Psika” do të ketë për qëllim kryesor edukimin dhe informimin e komunitetit përmes përmirësimit të komunikimit dhe aplikimit të njohurive të Psikologjisë dhe shkencave të tjera shëndetësore, arsimore dhe shoqërore, në sfera të ndryshme të jetës.
Përveç shqyrtimit dhe trajtimit të mirëfilltë të evidencës shkencore, përderisa përpiqemi të mbledhim psikologë, akademikë dhe profesionistë të shëndetit mendor, të cilët do të krijojnë dhe kontribuojnë në materialet tona, “Psika” do të ofrojë hapësira të sigurta dhe konstruktive brenda revistës, ku njerëzit do të mund të reflektojnë mbi përvojat e tyre personale dhe t’i ndajnë mesazhet e tyre me komunitetin.
Me anë të materialeve tona, hapësirave të reja për dialog e diskutim, përmes objektivës së thyerjes së stigmës së problemeve të shëndetit mendor, ne synojmë të promovojmë nivele më të gjera të të kuptuarit të shëndetit mendor dhe çështjeve të tjera me rëndësi në shoqëri, duke integruar procese të shëndosha të avokimit për politika e praktika gjithëpërfshirëse të cilat shqyrtojnë çështjet e shëndetit mendor në raport me personat e grupeve me të ardhura të ulëta, minoritetet etnike, komunitetet LGBTIQ+, fëmijët dhe të rinjtë, gratë, burrat, të moshuarit dhe grupet e tjera shoqërore në vend.
Krejt në fund, “Psika” sot ju është falënderuese të gjithë juve që na besuat dhe na i hapët dyert për t’u kthyer sërish;
i është falënderuese Psikës së atëhershme për kontributin e saj me ndikim të pazëvendësueshëm gjatë kohës së saj të veprimit;
i është falënderuese të gjithë anëtarëve të Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore që mbështetën procesin e kthimit të saj dhe pasuruan rrugëtimin e saj të ri në kushte plotësisht vullnetare;
dhe është falenderuese për të gjithë ju që keni ardhur deri në fund të këtij shkrimi dhe që do të vazhdoni të kontribuoni në përmirësimin e saj përmes komenteve, kritikave e rrëfimeve tuaja.
Përzemërsisht,
Veronë Perçuku