
Rubrikat
Shkrimet e Fundit
Postimet e fundit
Niveli i zhvillimit të vlerave te studentët që përgatiten për mësimdhënie në Kosovë
Në një kohë kur arsimi kërkon më shumë ndjeshmëri, përgjegjësi dhe etikë sesa thjesht dije, pyetja që shtrohet është: sa
Përballimi i Problemeve Të Shëndetit Mendor: Përvoja Subjektive Të Vetëndihmës Dhe Faktorë Të Dobishëm Kontekstualë Në Fillim Të Trajtimit Të Shëndetit Mendor
Aktivitetet krijuese, ushtrimet fizike, jetesa e shëndetshme, rutinat e strukturuara dhe spiritualiteti u perceptuan si strategji të dobishme për përballimin

Rritja e numrit të fëmijëve me autizëm: çfarë po ndodh dhe a është kjo rritje reale?
Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve të diagnostifikuar me autizëm, ku secili

Çka janë tantrumet?
Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e: Ndërsa një

Mite dhe të Vërteta mbi Zhvillimin e Gjuhës dhe të Folurit
“Mësimi i dy gjuhëve ngatërron fëmijët dhe shkakton vonesë gjuhësore.” Mësimi i dy gjuhëve nuk e ngatërron fëmijën dhe nuk

Roli i Ekipit Multidisciplinar në Trajtimin e Vështirësive të Gjuhës dhe Komunikimit
Trajtimi i çrregullimeve të gjuhës dhe komunikimit është një proces kompleks dhe dinamik që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes profesionistëve
Niveli i zhvillimit të vlerave te studentët që përgatiten për mësimdhënie në Kosovë
Në një kohë kur arsimi kërkon më shumë ndjeshmëri, përgjegjësi dhe etikë sesa thjesht dije, pyetja që shtrohet është: sa të përgatitur janë studentët që do të bëhen mësimdhënës në aspektin e vlerave njerëzore e profesionale?
Kjo pyetje qëndron në zemër të një hulumtimi të zhvilluar në pesë fakultete të edukimit në Kosovë – në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani”, Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” dhe Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
Qëllimi ishte të kuptohej se si e vlerësojnë vetë studentët – në përfundim të studimeve të tyre – zhvillimin e vlerave etike, morale dhe profesionale që do t’i udhëheqin në profesionin e mësimdhënësit.
Ç’thonë studimet?
Rezultatet e hulumtimit, në të cilin morën pjesë 200 studentë absolventë, japin një tablo të qartë: niveli i zhvillimit të vlerave tek studentët e edukimit është vlerësuar si i lartë, por jo maksimal.
Kur u pyetën për vlera si ndershmëria, përgjegjësia në punë dhe respekti ndaj të tjerëve, pjesa më e madhe e studentëve shprehën dakordësi të lartë (mesatarisht mbi 3.7 në shkallën 1–5). Kjo tregon se shumica ndihen të përgatitur të respektojnë standardet morale të profesionit dhe të mbështesin parimet e barazisë dhe respektit në procesin mësimor.
Megjithatë, një pjesë e studentëve pranuan se vlerat sociale dhe etike, si bashkëpunimi, empatia dhe përfshirja gjithëpërfshirëse e nxënësve, nuk janë zhvilluar mjaftueshëm gjatë studimeve. Ata theksuan mungesën e praktikave që nxisin reflektim etik ose trajnim konkret mbi sjelljen profesionale në shkollë.
Dallimet mes universiteteve.
Në përgjithësi, studentët e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” dhe ata të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” treguan vlerësime më të larta për zhvillimin e vlerave (mesatarja rreth 3.8), krahasuar me ata të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjakovës (rreth 3.6). Këto ndryshime mund të lidhen me mënyrën se si fakultetet zbatojnë praktikat
pedagogjike, kulturën akademike apo përfshirjen e vlerave në kurrikulë.
Çfarë nënkuptojnë këto gjetje?
Rezultatet tregojnë se studentët që përgatisen për mësimdhënie në Kosovë kanë ndërtuar një bazë solide morale dhe etike, por ka ende hapësirë për përmirësim. Për shembull, shumë prej tyre ndihen të sigurt në respektimin e rregullave dhe detyrimeve ligjore, por më pak të përgatitur në përballjen me dilema etike të profesionit – si trajtimi i drejtë i çdo
nxënësi apo ruajtja e objektivitetit në vlerësim.
Mësimdhënësit e rinj shpesh hyjnë në profesion me dëshirën për të bërë ndryshim, por sistemi arsimor duhet të krijojë mjedise që mbështesin reflektimin moral dhe zhvillimin e integritetit profesional. Kjo do të thotë që vlerat nuk duhet të mbeten vetëm si temë teorike në kurrikulë, por të jenë pjesë e çdo përvoje mësimore dhe praktike.
Pse kjo është e rëndësishme?
Në kontekstin aktual arsimor, ku shkollat përballen me tensione sociale, rënie të motivimit dhe mungesë besimi në institucione, mësimdhënësit janë ndër figurat më të rëndësishme për formimin moral të brezave të rinj.
Një mësimdhënës me vlera të forta etike, ndershmëri dhe përgjegjësi profesionale mund të ndikojë më shumë se çdo reformë formale.
Kjo është arsyeja pse universitetet që përgatisin mësimdhënës në Kosovë duhet të vazhdojnë të integrojnë në kurrikulë elemente që nxisin reflektim mbi vlerat: praktika etike, simulime të situatave reale në shkollë, mentorim nga mësimdhënës me përvojë dhe diskutime mbi dilemat morale që sjell jeta profesionale.
Në përfundim, studimi tregon se studentët tanë janë në rrugën e duhur – e njohin rëndësinë e vlerave, i respektojnë ato dhe duan t’i zbatojnë në praktikë. Por për ta bërë këtë realitet, institucionet arsimore duhet të jenë shembull i gjallë i këtyre vlerave, duke krijuar një kulturë ku ndershmëria, përgjegjësia dhe respekti nuk mësohen vetëm, por edhe praktikohen çdo ditë.
Autor: Fisnik Krasniqi
Përballimi i Problemeve Të Shëndetit Mendor: Përvoja Subjektive Të Vetëndihmës Dhe Faktorë Të Dobishëm Kontekstualë Në Fillim Të Trajtimit Të Shëndetit Mendor
Aktivitetet krijuese, ushtrimet fizike, jetesa e shëndetshme, rutinat e strukturuara dhe spiritualiteti u perceptuan si strategji të dobishme për përballimin e vështirësive të shëndetit mendor (Lucock et al., 2011). Po ashtu, Borg dhe Davidson (2008) zbuluan se marrja e roleve aktive, angazhimi në kontekste shoqërore, përfshirja në punë, ruajtja e aktiviteteve të përditshme, gjetja e kënaqësisë në gjëra të vogla dhe ruajtja e motivimit dhe shpresës ishin elemente të rëndësishme për procesin e rimëkëmbjes. Nga analiza e mëtejshme dolën katër tema kyçe: angazhimi në aktivitete të dobishme, lidhja me persona dhe vende mbështetëse, përdorimi i vetë-udhëzimeve dhe të mësuarit mbi sëmundjen mendore, medikamentet dhe vetë-trajtimin.
Aktivitete të dobishme
Shumë pjesëmarrës ruajtën një jetë të shëndetshme përmes punës, ndjekjes së studimeve apo përmbushjes së detyrave dhe rutinave të përditshme shtëpiake. Aktivitetet si muzika, ushtrimet fizike, ecja në natyrë dhe angazhimi në punë përmendeshin shpesh si mënyra për të ndjerë mirëqenie dhe për të lehtësuar simptomat. Disa përdornin me vetëdije aktivitetin fizik për të ulur tensionin e brendshëm, agresivitetin, problemet me gjumin dhe për të larguar fokusin nga simptomat. Një i ri ndau përvojën se lojërat kompjuterike e ndihmonin të largohej nga realiteti, ndërsa të tjerë gjenin qetësi përmes dëgjimit ose krijimit të muzikës. Për shembull, një pjesëmarrës gjeti ngushëllim në kompozimin e muzikës, këndimin dhe luajtjen me instrumente, duke e përdorur këtë si një mënyrë për t’u mbështetur gjatë episodeve depresive. Po ashtu, kontakti i rregullt me kafshët u përjetua si qetësues nga disa pjesëmarrës.
P2: “Muzika … gjithmonë kam gjetur paqe në muzikë … bëj muzikë vetë, këndoj, luaj kitarë … luaj shumicën e instrumenteve. Ka qenë diçka në të cilën gjithmonë jam mbështetur.”
Persona dhe vende mbështetëse
U theksua gjithashtu rëndësia e njerëzve mbështetës dhe mjediseve pozitive. Kalimi i kohës me familjen, miqtë, apo qëndrimi në vende që krijonin ndjesi të mira — si mbledhjet shoqërore, ecjet, palestra apo vendi i punës — i ndihmonte pjesëmarrësit të ndiheshin më pak të izoluar dhe më të aftë për të përballuar problemet. Mbështetja sociale ofronte shpërqendrim, inkurajim dhe ndihmë praktike në menaxhimin e sfidave.
Vetë-udhëzimi dhe të mësuarit mbi çrregullimet e shëndetit mendor
Në fund, pjesëmarrësit përdornin teknika të vetë-udhëzimit, si përsëritja e deklaratave pozitive, për të larguar mendimet negative. Një i ri me përvoja psikotike përsëriste vetes: “Sot po ndihem mirë!” për të ruajtur një qëndrim pozitiv. Shumë pjesëmarrës gjithashtu ndiheshin më të fuqizuar kur kërkonin informacion dhe mësonin mbi gjendjet e tyre dhe trajtimet përkatëse, duke ndihmuar kështu në përballimin e sfidave të shëndetit mendor.
Autor: Trëndelina Ymeri
Referencë:
Biringer, E., Davidson, L., Sundfør, B., Lier, H. Ø., & Borg, M. (2015). Coping with mental health issues: subjective experiences of self-help and helpful contextual factors at the start of mental health treatment. Journal of Mental Health, 25(1), 23–27. https://doi.org/10.3109/09638237.2015.1078883

Rritja e numrit të fëmijëve me autizëm: çfarë po ndodh dhe a është kjo rritje reale?

Në vitet e fundit, ka pasur një rritje të dukshme të numrit të fëmijëve të diagnostifikuar me autizëm, ku secili person ka takuar të paktën njëherë një femijë me këtë diagnozë. Prevalenca e Çrregullimit të Spektrit të Autizmit (ASD) tek fëmijët ka treguar një rritje të shqetësuese gjatë dy dekadave të fundit. Në vitin 2000, afërsisht 1 në 150 fëmijë (0.66%) u diagnostifikuan me ASD. Deri në vitin 2020, ky numër ishte rritur në 1 në 36 fëmijë (2.77%). Fenomen ky që ka shkaktuar shumë diskutime: nëse po rritet numri i rasteve të autizmit, apo kjo thjeshtë është një pasqyrim i diagnostifikimit tëpërmirësuar? Për ta kuptuar këtë, është e nevojshme të shqyrtojmë disa faktorë që mund të ndikojnë në këtë ndryshim.
Çfarë është Autizmi?
Autizmi, i njohur gjithashtu si çrregullimi i spektrit i autizmit (ASD), ndikon negativisht në zhvillimin e aftësive sociale, komunikimin dhe sjelljen. Fëmijët që janë të diagnostikuar me autizëm shpesh kanë vështirësi në ndërtimin e lidhjeve sociale, kanë interesa të kufizuara, janë rezistent ndaj ndryshimeve dhe demostrojnë sjellje specifike të përsëritura.
Rritja e numrit të diagnozave: A është rritje reale?
Një nga pyetjet kryesore është nëse rritja e dukshme e diagnozave të autizmit është e vërtetë apo është thjeshtë një pasqyrim i diagnostifikimit të përmirësuar. Shifrat sugjerojnë se numri i fëmijëve të diagnostikuar me autizëm është rritur në mënyrë dramatike në dekadat e fundit. Megjithatë, ekspertët ndajnë disa shpjegime potenciale për këtë fenomen.
- Përmirësimi i Diagnostikimit: Një faktor kryesor është përmirësimi i metodave të diagnostikimit. Mjekët, psikologët dhe logopedët janë tani më të aftë të identifikojnë simptoma të autizmit që mund të mos ishin të dukshme më parë. Gjithashtu, është ulur dhe mosha e diagnostifikimit ne 2 vjeç. Tutje, një tjetër faktor është zgjerimi i kritereve diagnostikuese për autizmin. Më parë, vetëm fëmijët me forma të dukshme të autizmit mund të diagnostikoheshin. Sot, kritere të reja përfshijnë fëmijë me simptoma më të buta, duke e bërë diagnozën më të përhapur, ngase tani autizmi shihet si një spektër.
- Rritja e Ndërgjegjësimit: Me kalimin e kohës, ndërgjegjësimi për autizmin është rritur shumë. Familjet dhe shkollat janë më të vetëdijshme për simptomat e mundshme dhe shpesh referojnë për vlerësim dhe kërkojnë diagnostikim më herët. Kjo ka ndikuar në rritjen e rasteve të diagnostikuara.
- Faktorët Gjenetikë dhe Ambientalë: Disa studiues sugjerojnë se faktorët gjenetikë dhe mjedisorë mund të kenë një ndikim në rritjen e numrit të rasteve. Ndikimi i ndotjes, ushqyerjes dhe ekspozimi ndaj substancave kimike gjatë periudhës së shtatzënisë mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Gjithashtu dhe rritja e përdorimit të telefonit nga mosha e vogla, duke kompromentuar zhvillimin e fëmijëve.
A është rritja një krijim i shoqërisë moderne?
Disa ekspertë kanë sugjeruar se ndoshta rritja e numrit të diagnozave është më shumë një reflektim i një shoqërie që është më e vetëdijshme dhe më e aftë për të identifikuar autizmin, sesa një “epidemi” e vërtetë. Në fakt, shumë familje dhe profesionistë tani janë më të përgatitur për të njohur simptomat e autizmit, dhe ky mund të jetë një faktor kyç në këtë ndryshim të dukshëm. Ata identifikojnë symptomat, referojnë për vlerësim dhe marrin diagnoza.
Përfundimi: rritja e diagnozave – realitet apo efekt i ndërgjegjësimit?
Rritja e numrit të fëmijëve të diagnostifikuar me autizëm është një fenomen i shumëanshëm që ka shumë faktorë që ndikojnë në të. Megjithatë, nuk ka dyshim se ka një rritje të dukshme të ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të diagnostikimit që ka bërë të mundur identifikimin e rasteve që më parë mund të ishin lënë pas dore. Kjo është një fushë që vazhdon të zhvillohet, dhe është e rëndësishme që të ofrohet mbështetje e duhur për fëmijët dhe familjet që përballen me autizmin.
Autor: Erestinë Uka
Burime:
Hansen, S. N., Schendel, D. E., & Parner, E. T. (2015). Explaining the increase in the prevalence of autism spectrum disorders: The proportion attributable to changes in reporting practices. JAMA Pediatrics, 169(1), 56–62. https://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2014.1893
Ostrowski, J., Religioni, U., Gellert, B., Sytnik-Czetwertyński, J., & Pinkas, J. (2024). Autism Spectrum Disorders: Etiology, Epidemiology, and Challenges for Public Health. Medical science monitor : international medical journal of experimental and clinical research, 30, e944161. https://doi.org/10.12659/MSM.944161

Çka janë tantrumet?
Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e:
- Nevojave dhe dëshirave të paplotësuara
- Mungesës së aftësisë për të shprehur ndjenjat në mënyrë të përshtatshme
Ndërsa një fëmijë fillon të zhvillojë pavarësinë dhe përpiqet të përmbushë detyra më komplekse, ai/ajo mund të përjetojë episode të mbingarkesës emocionale që shpesh përfundojnë në shpërthime të zemërimit.
Tantrumet janë më të zakonshme midis moshës 2 dhe 4 vjeç dhe zakonisht zbehen pas moshës 5 vjeç.
Pse ndodhin?
Sipas Watson & Gebhardt (2020), ndërsa fëmijët zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore, ata fillojnë të përdorin një gjuhë më të qartë për të shprehur refuzime ose kërkesa.
Megjithatë, tantrumet mund të ndodhin si rezultat i:
- Ndjenjave të zemërimit dhe frustrimit
- Nevojës për vëmendje
- Pamundësisë për të komunikuar
- Frikës, lodhjes ose dëshirës për autonomi
- Vështirësisë për të menaxhuar emocionet
Si mund të reagojnë fëmijët gjatë një episodi shpërthyes?
Gjatë episodeve të tantrumeve, fëmijët mund të shfaqin sjellje si:
- Të bërtitura dhe të qara të forta
- Rënie në dysheme
- Goditje ose shkelmim
- Hedhje të sendeve
- Përplasje e kokës në mure, tavolina ose dysheme
- Kafshime, etj.
Si t’i menaxhojmë tantrumet?
Tantrumet duhet të menaxhohen në mënyrë të përshtatshme, varësisht nga arsyeja. Ja disa strategji:
• Ofrimi i Rehatimit
Nëse fëmija është i lodhur, i uritur ose ka nevojë për mbështetje emocionale, ofroni rehati dhe përkujdesje për ta ndihmuar të qetësohet.
• Injorimi i sjelljes
Kur tantrumi ndodh për vëmendje, injoroni sjelljen për sa kohë që fëmija nuk është në rrezik. Kjo ndihmon që fëmija të mësojë se shpërthimet nuk japin rezultat.
• Qëndroni të qetë dhe sqaroni rregullat
Në rast refuzimesh, qëndroni të qetë dhe shpjegoni qartë pse nuk është e mundur ajo që fëmija kërkon.
• Konsistenca dhe qëndrueshmëria
Nëse pas një tantrumi fëmija e merr atë që dëshiron, ai mëson të përdorë këtë sjellje për të manipuluar situatat. Qëndroni të vendosur dhe konsistentë.
• Jini të sjellshëm dhe shmangni bërtitjen
Fëmijët mësojnë duke ju imituar. Tregohuni të sjellshëm edhe kur jeni të frustruar, sepse kjo ndihmon fëmijën të mësojë të menaxhojë emocionet në mënyrë të shëndetshme.
Mund t’i thoni me vendosmëri, por edhe me dashamirësi:
“E kuptoj që je i mërzitur, por nuk mund ta kesh këtë tani.”
• Sigurimi i një hapësire të sigurt
Nëse fëmija është në rrezik për veten apo të tjerët, drejtojeni në një hapësirë të sigurt dhe të qetë. Përdorni teknikën Time-Out nëse është e nevojshme, për t’i dhënë kohë të rikuperohet emocionalisht.
• Evitoni ndërhyrjen nga të tjerët
Shmangni që gjyshërit ose të afërmit të ndërhyjnë në mënyra që krijojnë kontradikta. Sipas Fetsch dhe Jacobson (2013), disiplina jokonsistente mund të rrisë zemërimin te fëmijët.
Çfarë të bëni pas sjelljeve maladaptive?
Pasi fëmija të qetësohet:
- Komplimentojeni për përpjekjen për të kontrolluar emocionet
- Përqafojeni, tregojini se e doni dhe se jeni aty për të
Autor: Adela Bajrami
Referenca
Beers, N. S., & Howard, B. (2003). Managing Temper Tantrums. Pediatrics in Review, 24(2), 70–a–71. doi:10.1542/pir.24-2-70-a
Daniels, E., Mandleco, B., & Luthy, K. E. (2012). Assessment, management, and prevention of childhood temper tantrums. Journal of the American Academy of Nurse Practitioners, 24(10), 569–573. doi:10.1111/j.1745-7599.2012.00755.x

Mite dhe të Vërteta mbi Zhvillimin e Gjuhës dhe të Folurit
“Mësimi i dy gjuhëve ngatërron fëmijët dhe shkakton vonesë gjuhësore.”
Mësimi i dy gjuhëve nuk e ngatërron fëmijën dhe nuk shkakton vonesë në të folur, edhe pse ky është një besim i gabuar i përhapur . Studimet tregojnë se fëmijët dygjuhësh nuk kanë më shumë gjasa sesa fëmijët njëgjuhësh të kenë vështirësi me gjuhën, të shfaqin vonesa në mësim ose të diagnostikohen me një çrregullim gjuhësor (Paradis et al., 2011). Dygjuhëshët tregojnë gjithashtu disa avantazhe njohëse. Në veçanti, ata duket se performojnë pak më mirë se njëgjuhëshët në detyra që përfshijnë kalimin midis aktiviteteve dhe frenimin e përgjigjeve të mësuara më parë (Bialystok et al., 2012).
“Fëmijët që fillojflasin vonë, por zhvillohen normalisht në fusha të tjera, gjithmonë arrijnë moshatarët e tyre më vonë”
Një mit i zakonshëm është se fëmijët që flasin vonë, por zhvillohen normalisht në fusha të tjera, gjithmonë arrijnë moshatarët e tyre me kalimin e kohës. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se rreth 40-50% e këtyre fëmijëve nuk e kompensojnë plotësisht vonesën e tyre pa ndërhyrje (Paul, 1991). Edhe ata që duket se arrijnë nivelin e moshatarëve të tyre mbeten në rrezik më të lartë për vështirësi në lexim, aftësi sociale dhe sukses akademik në të ardhmen (Rescorla, 2009). Këto gjetje theksojnë rëndësinë e identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme për fëmijët me vonesë në të folur, edhe kur ata nuk shfaqin probleme në fusha të tjera të zhvillimit.
“Përdorimi i teknologjisë, si, ekranet dhe aplikacionet edukative, ndihmon fëmijët me vonesë në të folur të zhvillojnë më shpejt aftësitë gjuhësore.”
Hulumtimet tregojnë se ekspozimi i tepërt ndaj teknologjisë, veçanërisht ndaj ekraneve pasive (TV, tabletë, celularë), mund të lidhet me vonesa në zhvillimin gjuhësor te foshnjat dhe fëmijët e vegjël (Madigan et al., 2020). Fëmijët mësojnë më mirë gjuhën përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë me të rriturit dhe moshatarët, sesa duke shikuar ekrane (American Academy of Pediatrics, 2016). Ndërsa disa aplikacione edukative mund të ndihmojnë në disa raste, ato nuk mund të zëvendësojnë komunikimin e drejtpërdrejtë dhe ndërveprimin social, që janë thelbësore për zhvillimin e gjuhës (Hutton et al., 2019).
Autor: Urtina Sherifi
Referencat
American Academy of Pediatrics. (2016). Media and young minds. Pediatrics, 138(5), e20162591. https://doi.org/10.1542/peds.2016-2591
Bialystok, E., Craik, F. I. M., & Luk, G. (2012). Bilingualism: Consequences for mind and brain. Trends in Cognitive Sciences, 16(4), 240–250. https://doi.org/10.1016/j.tics.2012.03.001
Hutton, J. S., Dudley, J., Horowitz-Kraus, T., DeWitt, T., & Holland, S. K. (2019). Associations between screen-based media use and brain white matter integrity in preschool-aged children. JAMA Pediatrics, 173(3), 244–250. https://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2018.5056
Madigan, S., McArthur, B. A., Anhorn, C., Eirich, R., & Christakis, D. A. (2020). Associations between screen use and child language skills: A systematic review and meta-analysis. JAMA Pediatrics, 174(7), 665–675. https://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2020.0327
Paradis, J., Genesee, F., & Crago, M. B. (2011). Dual language development and disorders: A handbook on bilingualism and second language learning (2nd ed.). Paul H. Brookes Publishing.
Paul, R. (1991). Profiles of toddlers with slow expressive language development. Topics in Language Disorders, 11(4), 1–13. https://doi.org/10.1097/00011363-199108000-00004
Rescorla, L. (2009). Age 17 language and reading outcomes in late-talking toddlers. Journal of Speech, Language, and Hearing Research, 52(1), 16–30. https://doi.org/10.1044/1092-4388(2008/07-0171)

Roli i Ekipit Multidisciplinar në Trajtimin e Vështirësive të Gjuhës dhe Komunikimit
Trajtimi i çrregullimeve të gjuhës dhe komunikimit është një proces kompleks dhe dinamik që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes profesionistëve të ndryshëm. Vështirësitë si vonesa në të folur, artikulimi jo i qartë, belbëzimi, çrregullimet e gjuhës dhe të gëlltitjes nuk kanë gjithmonë një shkak të vetëm, prandaj kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse që adreson zhvillimin njohës, emocional, social dhe motorik të fëmijës. Kjo qasje realizohet përmes ekipit multidisiplinar, i përbërë nga profesionistë si logopedë, psikologë, pedagogë specialë, ergoterapeutë, fizioterapeutë, mjekë pediatër, punëtorë socialë dhe infermierë. Secili profesionist sjell njohuritë dhe përvojën e tij për të ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin sa më të mirë të fëmijës, duke u siguruar që të gjitha aspektet e zhvillimit të tij të trajtohen në mënyrë të koordinuar (Ferigollo & Kessler, 2017).
Pse është thelbësor bashkëpunimi mes ekipit multidisciplinar ?
Bashkëpunimi mes ekipit multidisciplinar në trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve me vështirësi në gjuhë, të folur dhe komunikim është më shumë se një mënyrë organizimi pune, është një qasje thelbësore që garanton trajtim të plotë dhe gjithëpërfshirës. Gjithashtu mundëson ndarjen e informacionit dhe krijimin e një plani të përbashkët, të qartë dhe të koordinuar. Kjo shmang ndërhyrjet e fragmentuara, që shpesh ndodhin kur secili profesionist punon i ndarë dhe ndonjëherë pa dijeninë e të tjerëve.
Një plan i unifikuar u jep qartësi jo vetëm profesionistëve, por edhe familjes, e cila shpesh ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe ndjehet e pasigurt për rrugën që duhet ndjekur. Kur prindërit marrin udhëzime të qëndrueshme dhe të përbashkëta nga një ekip, ata ndihen më të mbështetur dhe më të angazhuar në procesin terapeutik. Vështirësitë e komunikimit nuk ndikojnë vetëm në të folur, por prekin edhe ndjenjat, marrëdhëniet sociale, të nxënit dhe vetëvlerësimin e individit. Për këtë arsye, asnjë profesionist nuk mund të mbulojë të gjitha aspektet i vetëm.
Ky model synon jo vetëm përmirësimin e aftësive të fëmijës në komunikim, lëvizje dhe ndërveprim social, por gjithashtu fuqizon edhe prindërit dhe kujdestarët, duke i përfshirë ata si partnerë aktivë në procesin terapeutik. Në rastet e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit, ndërhyrjet që përfshijnë logopedin, psikologun, terapistin e sjelljes dhe edukatorin kanë pasur rezultate dukshëm më të mira sesa qasjet e izoluara (Vargas, Leon, & Rodriguez, 2020).
Kur ka më shumë efekt qasja me ekipin multidisciplinar ?
Kur profesionistë të ndryshëm – si logopedë, psikologë, edukatorë, mësues e terapistë punojnë së bashku për të ndihmuar fëmijën, rezultatet janë shumë më të mira. Secili sjell njohuritë e veta dhe, kur kombinohen, krijojnë një plan të përbashkët që i përshtatet nevojave të fëmijës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (2007) thekson se ndërhyrja në moshat e hershme është thelbësore për të ndihmuar fëmijët të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ndërsa hulumtime të shumta tregojnë se ndërhyrja që ndodh para moshës 5 vjeç ka ndikim më të madh në zhvillimin e komunikimit, gjuhës, të menduarit dhe aftësive sociale (Shonkoff & Phillips, 2000; Law, Garrett, & Nye, 2004).
Kur flasim për zhvillimin e fëmijëve, vitet e para të jetës janë vendimtare. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, truri i fëmijës është në fazën e tij më të ndjeshme dhe më të hapur për të mësuar. Në këtë kohë, truri formon lidhje të reja çdo ditë, duke reaguar fuqishëm ndaj çdo përvoje, komunikimi dhe ndërveprimi që ndodh përreth tij. Kjo aftësi e trurit për t’u përshtatur dhe për t’u zhvilluar quhet plastike neurale. Në fjalë të thjeshta, kjo do të thotë se truri i një fëmije të vogël është shumë më i hapur për të përthithur informacion, për të ndryshuar dhe për të mësuar, krahasuar me trurin e një fëmije më të rritur apo të një të rrituri. Prandaj, ndërhyrja e hershme, kur shfaqen vështirësi në të folur, në të kuptuar apo në komunikim, është vendimtare. Në këtë pikë, qasja multidisiplinare luan një rol kyç.
Autor: Fitore Sherifi Kelmendi
Literatura
Ferigollo, D. C., & Kessler, T. M. (2017). A importância do trabalho em equipe interdisciplinar para a aprendizagem. Revista de Educação, 10(2), 45–52.
Law, J., Garrett, Z., & Nye, C. (2004). The efficacy of treatment for children with developmental speech and language delay/disorder: A meta-analysis. Journal of Speech, Language, and Hearing Research, 47(4), 924–943.
Organizata Botërore e Shëndetësisë. (2007). Early childhood development and disability: A discussion paper. World Health Organization.
Shonkoff, J. P., & Phillips, D. A. (Eds.). (2000). From neurons to neighborhoods: The science of early childhood development. National Academy Press.
Vargas, M. R., Leon, M., & Rodriguez, C. (2020). Multidisciplinary intervention in children with autism spectrum disorder: A systematic review. Journal of Autism and Developmental Disorders, 50(9), 3217–3230.