Një ndër komponentët më të rëndësishme për të zgjidhur krimet është informacioni që jepet nga dëshmitarët dhe viktimat. Megjithatë, kujtesa e njerëzve për evente dihet të jetë e lakueshme (lehtë e ndryshueshme), prandaj është e vështirë të dihet kur informata e dhënë është e saktë dhe nëse dëshmitari është duke treguar gjithçka që di. Informata e mbledhur nga dëshmitarët dhe viktimat bëhet përmes intervistës, gjë e cila, gjithashtu, mund të ndikojë negativisht në rikthimin e kujtesës rreth skenës së krimit apo kryesit të krimit. Një mënyrë e hulumtuar dhe evidentuar në mënyrë empirike për marrjen e informatave më të sakta nga dëshmitarët është Intervista Kognitive (anglisht: Cognitive Interview). Është e rëndësishme të dihet që teknikat e dobëta të intervistimit mbi të gjitha mund të sjellin pohime të gabuara, dhe idenitifikime të gabuara (apo të falsifikuara). Prandaj Intervista Kognitive duhet të jetë pjesë e trajnimit zyrtar të oficerëve të policisë dhe një trajnim standard dhe i akredituar për Intervistën Kognitive duhet të krijohet pët të pasur konsistencë ndërmjet departamenteve të policisë.
Intervista Kognitive është procedurë e intervistimit e bazuar specifikisht në Psikologjinë Kognitive dhe mënyrat e ndryshme që Psikologjia mund të përdoret për përmisimin e kujtesës. Kjo intervistë përfshinë katër pika kryesore, që janë: rikthimi i ngjarjes në mendje, raportimi i çdo gjëje që personi e kujton, rrëfimi i ngjarjes në renditje të ndryshme (p.sh., renditja kronologjike e kundërt me ngjarjen reale), dhe raportimi nga perspektiva të ndryshme. Disa mënyra se si intervistuesit mund të ndihmojnë me këtë teknikë janë: minimizimi i shpërqendrimeve kur dështimari/ja është duke u intervistuar, duke bërë pyetje të hapura, inkurajimi i përdorimit të imazheve mendore, duke bërë pyetje rreth asaj që raporton dëshmitari/ja, dhe duke krijuar lidhje me dëshmitarin. Intervista Kognitive ka disa komponente të cilat mund të jenë të vështira për t’u mësuar nga hetuesit, prandaj trajnimi i oficerëve është kritik.
Intervista Kognitive ka treguar që mund të ndihmojë me përmisimin e kujtesës duke pëdorur teknika jo-sugjestive të intervistimit, duke krijuar lidhje me dëshmitarët dhe duke u dhuruar dëshmitarëve mjaftueshëm kohë dhe hapësirë për t’i rikujtuar informatat. Përmisimi i kujtesës vjen nga pyetjet e hapura të intervistuesve, mos ndërprerja, kuptimi i gjendjes emocionale të dëshmitarëve dhe theksimi që çdo informatë mund të jetë e dobishme për policinë.
Ky lloj i intervistimit është hulumtuar në disa mjedise, me popullata të ndryshme, dhe është krahasuar me intervistat standarde të policisë dhe intervistën përmes hipnozës. Në çdo rast, përdorimi i kësaj teknike në studentët e universiteteve dhe të rriturit ka rezultuar më mirë se intervistat standarde dhe intervistat përmes hipnozës. Intervista Kognitive gjithashtu ka treguar rritje në besueshmërinë e dëshmive të fëmijëve të vegjël si dëshmitarë okularë, rëndësia e së cilës vjen si shkak se fëmijët e vegjël shpesh kanë rezultuar më pak të besueshëm si dëshmitarë sesa fëmijët më të rritur.
Ashtu siç u përmend më herët, teknikat e dobëta të intervistimit mund të ndikojnë negativisht në dëshmitë e dëshmitarëve dhe viktimave. Brendan Dassey ishte vetëm adoleshent kur xhaxhai i tij ishte akuzuar për vrasje. Në një video të postuar në Youtube mund të shihni mënyrën se si policia e kishte hetuar Dassey-n. Hetuesit i bëjnë presion Dassey-t për të dhënë një dëshmi, ata nuk i japin mjaftueshëm kohë të përgjigjet, e bëjnë të duket se ata “vetëm e dijnë” se çfarë kishte ndodhur, prandaj ai nuk ka zgjidhje tjetër etj. Rasti i Dassey është një shembull i një teknike të dobët të intervistimit, por për fat të keq ka edhe më shumë se ky rast (p.sh., rasti i vrapueses në Central Park – the Jogger Case).
Hulumtimet e teknikave të ndryshme të intervistimit kanë treguar se qasja përmes mbledhjes së informacionit rezulton në informata më të sakta dhe të dobishme nga dëshmitarët dhe në më pak dëshmi të rrejme se sa qasja akuzuese. Intervista Kognitive ka qasje të mbledhjes së informacioneve, prandaj duket të jetë më e dobishme se teknikat e zakonshme të përdorura nga hetuesit. Qasja e mbledhjes së informacioneve nga Intervista Kognitive ndihmon hetuesit të fokusohen më shumë në informatat e dobishme që ata mund të mbledhin, në vend se, thjesht, të gjejnë dikë për të akuzuar. Në këtë mënyrë, të intervistuarit fitojnë më shumë besim dhe bëhen më të hapur ndaj hetuesve dhe prandaj ofrojnë më shumë informata që mund të rezultojnë në autorin e vërtetë të krimit.
Rëndësia dhe përdorimi i Intervistës Kognitive është propozuar të paktën që nga viti 1994. Sidoqoftë, edhe pas gati dy dekadave, nuk është bërë ndonjë ndryshim në mënyrën se si hetuesit trajnohen për të mbajtur intervista . Hulumtimet sugjerojnë që kjo mënyrë e intervistimit duhet të adoptohet në të gjitha departamentet e policisë. Oficerët, sidomos ata që bëhen hetues, duhet të jenë të trajnuar siç duhet në këtë teknikë, që të mbledhin sa më shumë informata të sakta dhe të dobishme. Kjo mund të çoj në zgjidhjen e më shumë rasteve, më pak dëshmi dhe identifikime të false (të pasakta) dhe , në përgjithësi, në një sistem më të mirë të drejtësisë. Sidoqoftë është e rëndësishme që trajnimi për Intervistën Kognitive të jetë standard në çdo vend në mënyrë që hetuesit të kenë trajnim konsistent, stabil dhe të sigurtë.
Autore: Dea Saraqini