Kur mendojmë për “subjektiven” , zakonisht nuk kërkojmë të përcaktohet një përkufizim i vetëm semantik i kësaj shprehje, ajo që kërkojmë, është të eksplorohet një botë e tërë e të papërkufizueshmes. Duke shfrytëzuar këtë linjë mendimi, mund të themi se ekzistojnë dy dimensione, që ndonëse kanë misione të ndryshme, nuk i përjashtojnë aspektet multidimensionale në të cilat mund të supozohet se funksionojnë ngjashëm, po flasim këtu për Artin dhe Psikologjinë.
Pavarësisht se Psikologjia ka fokus më shkencor se Arti, të dyja këto shkrihen mes vete, edhe në anën profesionale. Psikologjia dhe arti kanë të bëjnë me të shkaktuarit ndryshim, të shprehurit dhe të qenurit gjithnjë e më të vetdijshëm rreth thellësisë së asaj që perceptojmë, të kërkuarit e të formësuarit kuptim, të ndërtuarit një hapësirë të sigurtë të përjetimeve dhe emocioneve, të vlerësuarit e autenticitetit ashtu si dhe unikalitetit, bashkë me shumë aspekte të tjera duke mos lënë anash të krijuarit, si koncept i lidhur ngushtë me kreativitetin, që padyshim është proces kompleks dhe i pranishëm në këto dy fusha.
Një nga vendet më të rëndësishme ku arti dhe psikologjia ndërthuren mes vete, për t’i shtuar vlerë akoma më të madhe misioneve të tyre, është fusha e shëndetit mendor. Studime të ndryshme kanë treguar se të ekspozuarit ndaj ambienteve estetikisht të krijuara për të portretizuar forma të ndryshme artistike, vepra të artit qofshin ato vizuale, performuese ose letrare, të përdorurit forma personale artistike të krijimit, duke theksuar edhe terapinë e artit si kombinim i procesit kreativ dhe psikoterapisë, kanë treguar sukses në mundësi për zhvillim dhe përmirësim të shëndetit mendor në shumë studime.
Me datën 18 janar, Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore ka realizuar dy debate në kuadër të projektit “Debat n’Shilte”, me dy prezantime të veçanta rreth Artit dhe Psikologjisë. Folësit tanë kyç në këto dy debate ishin: Psikologe zj. Likana Cana dhe z. Ekrem Xani si regjisor, të cilët ndanë me ne nga ekspertiza e tyre dhe na njohën më tej rreth shtrirjes së gjerë të psikologjisë e artit si dhe ku këto dy sfera kryqëzojnë rrugët, duke korrur sukses edhe në fushën e shëndetit mendor.
Bota e artit dhe psikologjisë ka një horizont të gjerë mundësish përpara, me hapësirë të mjaftueshme për të pasuruar aspektin e mirëqenies mendore personale dhe kolektive. Fatmirësisht me rikthimin e Revistës Psika si medium, po shkruhet një kapitull i ri sa i përket shëndetit mendor, duke siguruar një vend të sigurt e inkurajues për të gjithë krijuesit, puna e së cilëve gjithmonë do të vlerësohet! Andaj, ju ftojmë që këtë kapitull ta shkruani bashkë me ne, të gjithë ju krijuesit tanë “kreArtiv”!
Autore: Aulonë Zymberi