Dikur jam pyetur se cila është fjala që më pëlqen më së shumti dhe pse? E unë e mendova fjalën përkrahje, se në shumicën e rasteve kur kemi vetëm pak përkrahje, ndihemi sikur kemi gjithë botën afër nesh. Përkrahje, sikur mbështjellemi e mbështetemi nga krahë që na ofrojnë siguri, mirësi, empati, dashni dhe ku ne gjejmë prehjen e qetësinë. Përkrahje, bazament i ndërtimit të çdo lidhje emocionale që kemi me familjen, miqtë, partnerin/en, e njerëzit e tjerë që na rrethojnë e me të cilët ne kalojmë më së shumti kohë në jetën tonë.
Kur flasim për jetën, njerëzit që nga krijimi i tyre kanë qenë vazhdimisht nën ndjekjen e kohës, e sidomos me shekullin 21, njerëzit janë futur nën një cikël dinamik, ku na imponohet të jemi “në një hap me kohën”. Njerëzit vazhdimisht gjejnë veten duke ndjekur trendin më të fundit, punën më të mirë, pagën më të lartë, shkollën e studimet më cilësore, festat, obligimet dhe aktivitetet tjera pafund. Janë gjëra që kërkojnë investim kohor, financiar dhe emocional, e që nëpërmjet tyre ne tentojmë të identifikojmë veten tonë. Prania e kësaj dinamike në çdo sferë të jetës, bën që përmbushja jonë personale apo shpirtërore, të përkthehet në atë se “sa të ngarkuar jemi”, në dëshirën “që të tjerët të dinë se sa i/e angazhuar jam”, dhe në ndjekjen e idesë së “perfeksionizmit” dhe “ideales” së çdo gjëje. Ndonëse puna dhe obligimet gjithmonë sjellin sukses, dhe prania jonë në disa situata është e nevojshme, kur ajo tejkalon çdo kapacitet që kemi, çoftë kapacitet fizik, kohor, apo edhe emocional, ajo shndërrohet në një ngarkesë psikologjike, e që manifestohet me stres dhe ankth. Në fakt, vetë artikujt cilësojnë se ne jemi duke jetuar një epokë ankthi.
Ankthi, i cili është reagim natyror i trupit tonë ndaj stresit, karakterizohet si ndjesi tensioni, e shoqëruar me mendime shqetësuese dhe me ndryshime fiziologjike, si: frymëmarrje e shpejtuar, rrahje të shpejta të zemrës, djersitje, tharje e gojës, dridhje, marramendje, dhe të përziera në stomak. Kur jemi në gjendje ankthi, ndihemi sikur jemi “jashtë kontrolli”, sikur gjërat nuk po shkojnë mirë, sikur diçka e keqe do të ndodh dhe kemi tendencën të irritohemi e të ndihemi shumë të ndjeshëm ndaj shumë situatave. Në shumicën e rasteve nuk e kemi idenë pse ndihemi kështu. Duket sikur ajo ëndrra jonë drejt “perfeksionit” dhe “ideales”, sapo u përmbys. Realisht, kjo nuk e shpjegon gjendjen tonë. Artikujt shkencorë, dëshmojnë se ankthi është një reagim normal ndaj stresit dhe mund të jetë i dobishëm në disa situata. Kur një person ndihet i shqetësuar, i stresuar ose i frikësuar, truri sinjalizon pjesë të tjera të trupit, përgjigjet nëpërmjet çlirimit të hormoneve të stresit (adrenalina dhe kortizoli) dhe po i njëjti duhet të përgatitet për “gjendje lufte” apo na shtyen drejt shmangjes së situatave. E kjo bën që ne të ndihemi vazhdimisht të lodhur, të irrituar, dhe vazhdimisht në gjendje vigjilente. Kur ndihemi kështu është normale që të kemi nevojë për pushim dhe të kërkojmë ndihmë. Në raste të tilla padyshim ndër kurat më efikase, janë psikoterapia dhe përkrahja nga të tjerët.
Është dëshmuar, se përkrahja emocionale është një aspekt shumë i rëndësishëm mbrojtës në përballjen me sfidat e jetës. Njerëzit nga natyra janë krijesa sociale, dhe se nevoja për të qenë të socializuar me të tjerët ka qenë kaherë e domosdoshme, si për shëndetin fizik dhe atë emocional. E kjo dëshmon rëndësinë e një sistemi mbështetës, i cili na jep forcë, teksa përballemi me situatat që mund të sjellin ankth.
Gjërat që mund të ofroni kur njihni një person i cili është duke u përballur me ankthin, së pari fillojnë me njohjen e shenjave. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë se çfarë situate sjell ankth, kur ajo situatë ngjallë ankth dhe në çfarë mënyre manifestohet ankthi tek ai person.
Ofroni dëgjim, sepse në fund të ditës krejt çka mund të na nevojitet, është vetëm një vesh që dëgjon, teksa flasim se si po ndihemi. Është shumë e rëndësishme të mos gjykoni apo të nguteni në konkluzione. Tentoni të tregoni empati, bëjeni që ky person që njihni, të ndihet se dikush me të vërtetë po e kupton, e kjo i ndihmon të ndihet më i/e sigurtë. Tentoni t’i ofroni një ambient të qetë dhe të sigurtë për të biseduar. Mbështeteni, dhe tregoni se nuk janë vetëm, se jeni aty për të, si në ditë të mira, por edhe në ditë të vështira.
Në rast se ankthi fillon të vështirësojë jetesën e ndonjë personi që ju njihni, inkurajojeni që të flasë me ndonjë profesionist/e të shëndetit mendor.
Bëhuni krahë që përkrahin, krahë që ofrojnë siguri, mbështetje dhe emocione pozitive.
Autore: Viola Greiçevci