,

Bashkë për Shëndetin Mendor (Fjalim)

Të dashura e të dashur të gjitha e të gjithë ju që nuk jeni sot këtu me ne,

qoftë për shkak të distancës fizike, obligimeve të caktuara, apo barrierave të ndryshme ekonomike e sociale.

Të dashura e të dashur të gjitha e të gjithë ju që nuk jeni sot këtu me ne,

pasi që mund të jeni duke kaluar në një periudhë sfiduese me shëndetin tuaj mendor apo pasi që mund të jeni duke i qëndruar pranë dikujt që mund të jetë duke kaluar në një periudhë të vështirë me shëndetin e tyre mendor,

sot, nga Marshi i Parë Ndërgjegjësues për Shëndetin Mendor në Kosovë, duam t’ju sigurojmë e t’ju themi me sinqeritetin më të madh, se prania juaj sot këtu, edhe pse nuk ishit këtu, është ndjerë thellësisht e pakushtimisht në çdo hap të këtij marshi.

Të dashura e të dashur të gjitha e të gjithë ju që jeni sot këtu me ne,

gjersa qëndrojmë së bashku për t’u dhënë zë rrëfimeve tona me shëndetin mendor, rrëfimeve të heshtura të të tjerëve që nuk u ndjenë kurrë të sigurta të merrnin zë, rrëfimeve të atyre që edhe kur u zëruan, nuk u dëgjuan dhe, edhe kur u dëgjuan, u harruan;

duam t’ju sigurojmë që prania juaj sot këtu përfaqëson jo vetëm rrëfimin tuaj, por rrëfimet e qindra e mijëra njerëzve që nuk janë sot këtu me ne.

Nën thirrjen “Bashkë për Shëndetin Mendor”, kështu pranë njëri-tjetrit, nga cepe të ndryshme të Kosovës e në qendër të kryeqytetit, jemi mbledhur së bashku për të përcjellë mesazhe shprese e mbështetjeje si dhe për ta zëruar deklaratën tonë kolektive, se shëndeti mendor ka rëndësi.

Jemi mbledhur e kemi marshuar për të gjithë ata individë që janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor, për të gjithë ata që mund të jenë të privuar nga mundësia për ta kuptuar se janë duke u ballafaquar me sfida të shëndetit mendor, për ata që ende nuk ndihen të gatshëm të kërkojnë ndihmë për shëndetin e tyre mendor, për ata që edhe pse ndihen të gatshëm të kërkojnë ndihmë, nuk janë të sigurt se ku ta kërkojnë, për të gjithë ata që kur kanë kërkuar ndihmë, nuk iu është dhënë dhe për të gjithë ata që kur iu është dhënë ndihma e kërkuar, cilësia e ofruar e ndihmës ka shtuar nevojën për të parashtruar kërkesa të reja për ndihmë.

Jemi mbledhur e kemi marshuar për të gjithë ata që kanë humbur dikë nga vetëvrasja, për të gjithë ata që janë stigmatizuar, diskriminuar e trajtuar çnjerëzisht për shkak të gjendjes së tyre të shëndetit mendor, si dhe për të gjithë ju dhe të gjithë ata e ato që kanë avokuar vazhdimisht që shëndeti mendor ta marrë vëmendjen dhe kujdesin që meriton.  

Jemi mbeldhur e kemi marshuar duke kërkuar për vëmendje të shtuar karshi shëndetit mendor, me një zë pothuajse të ngulfatur nga siguria e bindja, se institucionet shtetërore duhet t’i shumëfishojnë investimet e tyre në shërbimet, politikat dhe praktikat e shëndetit mendor në vend. 

Me plot siguri e bindje, ne kemi treguar e do të vazhdojmë të tregojmë se shëndeti mendor nuk është luks, por është domosdoshmëri.

Me plot siguri e bindje, ne kemi treguar e do të vazhdojmë të tregojmë se qasja në shërbime cilësore të shëndetit mendor është një e drejtë themelore e njeriut, ku nën përgjegjësitë ligjore të qeverisë dhe politikëbërësve, të gjithë individët, pavarësisht nga gjinia, mosha, seksi, raca, klasa, feja, përkatësia etnike, aftësia, gjuha, orientimi seksual ose identiteti gjinor, duhet të jenë të ekspozuar plotësisht ndaj të gjitha mundësive për ta realizuar këtë të drejtë.

Sot me bindjen se edukimi luan një rol vendimtar në promovimin e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe reduktimin e stigmës, ne besojmë se është thelbësore që edukimi i shëndetit mendor të përfshihet në kurrikulat shkollore, mjediset e punës dhe iniciativat për shtrirje në komunitet, si dhe kërkojmë nga qeveria dhe institucionet relevante të investojnë në programet dhe burimet e edukimit për shëndetin mendor, në mënyrë që kjo gjë të realizohet.

Nën deklaratën se vetëvrasja është e parandalueshme, ne u bëjmë thirrje institucioneve që ta zhvillojnë dhe zbatojnë një strategji gjithëpërfshirëse për parandalim të vetëvrasjes dhe bëjmë thirrje për ligjësimin e linjës telefonike kombëtare për parandalim të vetëvrasjes, për të siguruar që të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje, mund ta marrin atë dhe për të punuar drejt një të ardhmeje ku vetëvrasja nuk bën pjesë në grupin e shkaktarëve kryesorë të vdekjeve të parandalueshme.

Nën thirrjen se hulumtimi është shpresë, duke e kujtuar se hulumtimi nuk është vetëm aktivitet akademik, bëjmë të ditur se investimet në hulumtim për shëndetin mendor ofrojnë mundësinë për përdorimin e hulumtimit si një nga mjetet më të fuqishme për t’i udhëhequr përpjekjet e çdo shoqërie në të kuptuarit e natyrës së shëndetit mendor dhe zhvillimit të strategjive efektive parandaluese dhe trajtuese, si dhe përpjekjet tona të përbashkëta për krijimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të barabartë.

Nën thirrjet për barazi, drejtësi, investime, politika dhe strategji gjithëpërfshirëse, ne e theksojmë se shëndeti mendor mund të prekë secilin individ të shoqërisë dhe ne duhet të sigurojmë që secili prej tyre të ndihet dhe të jetë i përfaqësuar në çdo veprim e proces vemdimmarrës.

Nën të gjitha thirrjet e deklaratat e shkruara e të lexuara dhe të gjitha ato që do të shkruhen e thuhen në vazhdim, ne do të vazhdojmë të marshojmë, ecim e punojmë dhe do kërkojmë të punohet drejt një të ardhmeje më të ndritur për shëndetin mendor në Kosovë.

Fjalimi i mbajtur nga Veronë Perçuku pranë Qeverisë së Kosovës në kuadër të marshit ndërgjegjësues “Bashkë për Shëndetin Mendor”, 15 maj 2023

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë