Roli i përfshirjes së prindërve në shëndetin mendor të nxënësve në shkollimin e mesëm

Shkollimi i mesëm mund të jetë periudhë sfiduese për shumë nxënës, pasi ata ballafaqohen me një shumëllojshmëri presionesh akademike, shoqërore dhe personale. Kjo periudhë është thelbësore për zhvillimin e tyre, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në aspektin e mirëqenies së tyre mendore. Përfshirja e prindërve luan një rol të rëndësishëm në formimin e mirëqenies mendore të një nxënësi gjatë këtyre viteve. Ky artikull shpalosë ndikimin e thellë të përfshirjes së prindërve në mirëqenien mendore të nxënësve të shkollës së mesme, duke u bazuar në raporte psikologjike dhe hulumtime për të theksuar rëndësinë e prindërve aktivë dhe mbështetës.

Njohja dhe kuptimi i mirëqenies mendore të nxënësve gjatë shkollimit të mesëm:

Para se të zhytemi në rëndësinë e përfshirjes prindërore, është rëndësishme e të kuptohen sfidat e betejat me të cilat ballafaqohen ata nxënës në kuadër të sferës së shëndetit mendor. Adoleshenca është një kohë e zhvillimit të hovshëm emoconal dhe psikologjik, duke e kthyer këtë në një periudhë me ndjeshmeri më të lartë ndaj sfidave të shëndetit mendor. Sipas një studimi të botuar në JAMA Pediatrics (2022), periudha midis vitit 2016 dhe 2020 dëshmoi një rritje prej 29% të diagnozave të ankthit tek fëmijët e moshës 3 deri në 17 vjeç, së bashku me një rritje prej 27% të rasteve të depresionit. Kjo thekson nevojën për metoda efikase që mbështesin mirëqenien e tyre.

Ndikimi i përfshirjes së prindërve:

Mbështetja emocionale dhe komunikimi:

Një nga aspektet më të rëndësishme të përfshirjes së prindërve është ofrimi i mbështetjes emocionale. Komunikimi i hapur dhe i sinqertë mes prindërve dhe nxënësve mund të krijojë një hapësirë të sigurt për të diskutuar shqetësimet, frikën dhe ankthin e tyre. Ky komunikim ndihmon nxënësit të ndjehen të vlerësuar dhe të dëgjuar, duke zvogëluar ndjenjat e izolimit dhe stresit. Një raport i publikuar në Journal of Adolescence, tregon se nivelet e larta të komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve janë të shoqëruara me nivele më të ulëta të depresionit dhe ankthit te adoleshentët (Ioffe et al., 2020).

Udhëzimi dhe mekanizmat ndihmës:

Prindërit që përfshihen në mënyrë aktive në jetën e fëmijës së tyre mund të ofrojnë udhëzim për të trajtuar stresin dhe sfidat. Ata mund të ndihmojnë nxënësit të zhvillojnë aftësi efikase zgjidhjesh dhe mekanizma të përshtatshëm ndihmues. Adoleshentët që marrin këtë lloj mbështetje janë më mirë të pajisur në menaxhimin e presionit akademik dhe sfidave shoqërore. Sipas studimit të Ioffe dhe kolegëve (2020), adoleshentët që raportuan nivele të larta të udhëzimit prindëror treguan nivele më të ulëta të stresit dhe si rezultat nivele më të larta të mirëqenies mendore.

Monitorimi dhe ndërhyrja e parakohshme:

Prindërit që i kushtojnë vëmendje sjelljes dhe mirëqenies emocionale të fëmijëve të tyre mund të identifikojnë sinjale të stresit në faza të hershme. Njohja e ndryshimeve në disponim, sjellje ose performancë akademike mund të mundësojë prindërit të kërkojnë ndihmë profesionale ose të ofrojnë mbështetje emocionale sipas nevojës. Ndërhyrja e parakohshme është jetike për të parandaluar çrregullimet e mirëqenies mendore që shkaktohen nga stresi, ndërsa monitorimi prindëror është një faktor mbrojtës kundër zhvillimit të çrregullimeve të ndryshme psikologjike te adoleshentët (Pollak et al., 2020).

Vendosja e pritshmërive reale:

Pritshmëritë e larta të prindërve, nën shoqërimin e mbështetjes së nevojshme, mund të motivojnë adoleshentët për të arritur suksese të larta, por pritshmëritë e pashoqëruara me mbështetje mund të shkaktojnë stres dhe ankth të panevojshëm. Prindërit që përfshihen në vendosjen e qëllimeve realiste ndihmojnë në parandalimin e stresit akademik. Adoleshentët kanë nevojë për shtyrje drejt sukseseve, por kjo duhet bërë në mënyrë të duhur dhe duke i treguar atyre se rezultatet e punës mund të përmirësohen dhe se nuk janë produkt final. Shpeshherë, adoleshentët që ndjejnë presion nga prindërit e tyre arrijnë në nivele të larta të pasigurive kur përballen me dështime apo edhe gabimet nga më të thjeshtat, shkak i mosmbështetjes së duhur prindërore. Përfshirja e prindërve në vendosjen e qëllimeve mund të zvogëlojë stresin akademik dhe të përmirësojë përgjithësisht mirëqenien (Roy & Giraldo-García, 2018).

Sfidat ndaj përfshirjes së prindërve:

Përderisa përfshirja e prindërve është jetike, është e rëndësishme të njihen sfidat me të cilat përballen prindërit dhe nxënësit.  Disa nxënës mund të hezitojnë apo edhe refuzojnë përfshirjen e prindërve për shkak të dëshirës për pavarësi, duke çuar në konflikte potenciale. Për më tepër, vetë prindërit mund të përjetojnë stres dhe kufizime kohore që pengojnë aftësinë e tyre për të qenë të përfshirë në jetën e fëmijës së tyre. Gjetja e ekuilibrit të duhur mes përfshirjes dhe autonomisë është një detyrë delikate. 

Faktorët kulturorë dhe socioekonomikë:

Është e rëndësishme të theksohet se faktorë kulturorë dhe socioekonomikë mund ta ndikojnë nivelin e përfshirjes së prindërve. Në disa kultura, traditat e përfshirjes familjare në arsim mund të jenë më të forta, ndërsa në të tjera mund të jenë më pak të theksuara. Dallimet socioekonomike gjithashtu mund të ndikojnë në aftësinë e prindërve për t’u përfshirë, pasi kufizimet financiare dhe detyrat e punës mund të kufizojnë disponueshmërinë e tyre. Ata mund të jenë nën presionin e mbajtjes së dy apo më shumë punave duke shpier në kohë të pamjaftueshme për fëmijët e tyre.

Rekomandime për përfshirje më efektive të prindërve:

Mbani komunikim të hapur, duke inkurajuar dialogun e hapur me fëmijët tuaj dhe dëgjoni aktivisht shqetësimet e tyre. Po ashtu, vendosni pritshmëri reale duke bashkëpunuar me fëmijët tuaj për të vendosur qëllime të arritshme, duke marrë në konsideratë aftësitë dhe synimet e tyre. Provoni të njiheni me shenjat paralajmëruese të stresit ose ndryshimeve në sjellje që mund të tregojnë nivele të ulëta të mirëqenies së tyre. Në këto raste dhe jo vetëm, ofroni mbështetje emocionale duke krijuar një hapësirë të sigurt për fëmijët tuaj që të shprehin ndjenjat e tyre dhe ofroni mbështetje emocionale gjatë periudhave të vështira për ta. Gjiashtu, nëse vini re shenja të vazhdueshme të përkeqësimit të shëndetit mendor, mos hezitoni të kërkoni ndihmë nga një profesionist i kësaj fushe (American Academy of Pediatrics, 2018; National Institue of Mental Health, 2021; American Academy of Child & Adolescent Psychiatry, 2022).

Autore: Blerta Ademi

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë