Manipulimi negativ emocional – fjalë dhe sjellje që inkurajojnë ndjenja të errëta, trishtimi dhe frike. Në disa raste, mund të ndihemi viktima të këtij manipulimi, ndërsa në të tjera, mund të jemi ata që po e kryejmë. Po kur jemi viktima e kur jemi ata që po manipulojnë?
Sapo të hyjmë në rrjetet sociale, vend që është bërë si shkollë e jona e dytë, mbledhim me dhjetra informata në sekonda, e jo gjithëherë nga ato të dobishmet. Truke manipulimi, të atilla se si ti bëjmë të tjerët të na pëlqejnë e si të ndikojmë tek të tjerët, shpeshherë na tërheqin vëmendjen. Ndonëse bëhet kështu, me ose pa vëmendje të vetdijshme, ne vetë fillimisht mund të përfshihemi në këto veprime për të arritur qëllimet tona.
Por për çfarë flasim kur flasim për manipulimin emocional?
Manipulimi emocional është një formë kontrolli ku një person përdor taktika të ndryshme për të ndikuar në emocionet, mendimet dhe sjelljet e një personi tjetër (Evans, 2008). Qëllimi këtyre sjelljeve shpesh janë përfitimet egoiste, ku në këtë rast, për dallim nga influencimi, nuk nënkuptojmë të mirën e përgjithshme. Influencimi në anën tjetër konsiderohet të jetë një mënyrë e shëndetshme që të rrisim lidhjen ndërnjerëzore dhe ndërveprimin kur bëhet për qëllime në të mirë të të tjerëve, por në rastet kur influencimi përdoret për të ushtruar dominancë dëmtuese, ai kalon në manipulim.
Identifikimi i manipulimit emocional është thelbësor për të parandaluar situata të dëmshme në marrëdhëniet tona. Disa nga tendencat më prezente në rastin e individëve që mund të jenë të përfshirë në realizim të manipulimit emocional përfshijnë prezentimin e vetes si viktimë në mënyrë të padrejtë për të fituar simpati, poshtërimin dhe presionin e një individi tjetër për të arritur qëllime personale, injorimin e ndjenjave të tjetrit ose reagime me zemërim kur ata i shprehin ato, kërcënimet për t’i dhënë fund marrëdhënies ose për t’i bërë dëm personit tjeter, si dhe manipulim me pasiguritë e tjetrit.
E pyetur rreth ndikimit të manipulimit emocional, në një intervistë të realizuar, psikologia Arta Hiseni shpjegon se: “Nga aspekti akademik, në disa raste ka edhe rënie të performancës akademike, që ndikon më pas në rënie të suksesit të përgjithshëm. Në aspektin social, viktima ndihet e izoluar dhe e frikësuar, që ndikon negativisht në kultivimin e raporteve të saj shoqërore. Si dhe në aspektin mental, ka një mosbesim të madh ndaj vetës dhe tjerëve, shpeshherë e lidhur me dilemën se çka është e mirë dhe çka është e drejtë.”
Duke shtuar se për këta persona është e rëndësishme “Ta kuptojnë që nuk janë vet.”, znj. Hiseni sugjeron se: “Nëse kanë dyshime që munden me qenë viktima të manipulimit emocional apo për çfarëdo lloj vështirësie, të kerkojnë ndihmë profesionale, ndihmë nga personat e besueshëm në shkollë, apo edhe jashtë saj, që mund t’i ndihmojnë për orientim. Në fakt, individi bëhet më i vetëdijshëm për manipulimin atëherë kur lexon më tepër për të. Për fund, një mesazh është që secili prej jush ta kuptojë që e ka rëndësinë e tij/saj dhe që gjithmonë do të ketë persona që janë të gatshëm t’ju ndihmojnë nëpër gjithçka që jeni duke kaluar. Vetëdijësimi mbi këtë fenomen, por edhe shumë të tjera, është çelësi i një zhvillimi të suksesshëm. Andaj vazhdoni të edukoheni dhe të merrni informata nga burimet e sigurta.”
Duke mos jua ngarkuar tutje porosinë e psikologes Hiseni, ta kujtojmë se orientimi te personat me potencial për të na ndihmuar është thelbi që të kalojmë këto vështirësi dhe çdo vështirësi që mund të lindë ndërkohë.
Autore: Vesa Mala
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.