Pasqyra empatike: Bota e neuroneve pasqyrë

A keni përjetuar një ndjenjë trishtimi kur një mik ka ndarë me ju hallet që po e shqetësojnë? Ose a ju ndodh shpesh të buzëqeshni spontanisht kur dikush tjetër shkëlqen nga lumturia?

Ky nuk është vetëm një aksident i rastësishëm e i mistershëm. Këto momente janë dëshmi se si qenie njerëzore, jemi të prirur për të qënë empatik dhe për ta njohur botën psikologjike të personave që na rrethojnë.

E definuar si aftësia për të kuptuar dhe ndjerë atë që dikush tjetër po përjeton, me mirëkuptim dhe dhembshuri, fjala ‘empati’ rrjedh nga fjala në gjuhën gjermane ‘einfühlung’, e cila do të thotë ‘në-ndjenjë’. Empatia është një koncept kompleks që përfshin tipare emocionale, mirëkuptimi dhe dhembshurie të cilat kalojnë përtej rezonancës së thjeshtë emocionale. Ky kombinim kompleks bën të mundur që njerëzit të ndjejnë dhe të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve, duke krijuar një lidhje mes njëri-tjetrit që është thelbësisht njerëzore (Riess, 2017). Nga fusha e neurologjisë, empatia lidhet thellë edhe më të ashtëquajturat ‘neurone pasqyrë’ – një aspekt magjepsës i trurit që lidh individualen me kolektiven.

Neuronet pasqyrë, ashtu siç mund ta hamendësoni nga emri, janë një kategori neuronesh që aktivizohen kur individi kryen një aktivitet të caktuar, kur sheh dikë tjetër që kryen të njëjtin veprim. Ato u identifikuan për herë të parë në vitet e 90-a nga një ekip i udhëhequr nga neuroshkencëtari italian Giacomo Rizzolatti. Të dhënat e ndryshme tregojnë se, përmes punës së këtyre neuroneve, përveç veprimeve, pasqyrohen edhe përjetimet dhe emocionet. Sa i takon aspektit anatomik, neuronet pasqyrë gjenden në lobin parietal inferior dhe korteksin paramotorik të trurit, ku sigurojnë një urë nervore që lejon një individ të përjetojë proceset mendore dhe emocionale që personi tjetër po kalon (Rizzolatti & Craighero, 2004).

Në raport me empatinë ato reflekojnë një marrëdhënie dinamike dhe reciproke. Përmes aktivizimit të neuroneve pasqyrë në rastet kur vëzhgojmë një emocion ose sjellje tek të tjerët, ne simulojmë përvojën e vëzhguar në qarkun tonë të trurit. Ky pasqyrim nervor përfshin një ndarje të thellë të gjendjeve emocionale, duke na mundësuar të lidhemi me përvojat e njerëzve përreth nesh (Iacoboni, 2009). Si rezultat i marrëdhënies së tyre intriguese, sjelljet empatike mund të aktivizojnë dhe ndezin këto qarqe nervore, ashtu si neuronet pasqyrë na ndihmojnë të kuptojmë përvojat e të tjerëve. Kjo marrëdhënie reciproke sugjeron një lak të vazhdueshëm të mirëkuptimit të përbashkët midis përvojave dhe veprimeve, duke nxjerrë në pah natyrën dinamike të lidhjes së neuroneve empati-pasqyrë.

Përveç në suaza të ndërveprimeve individuale, neuronet pasqyrë ndikojnë edhe në kontekstet sociale. Njerëzit janë të predispozuar të mësojnë duke vëzhguar dhe modeluar apo kopjuar të tjerët që në moshë të hershme. Në këtë rast neuronet pasqyrë janë thelbësore për këtë proces të të mësuarit social, duke u mundësuar si fëmijëve ashtu edhe të rriturve të imitojnë sjelljet e të tjerëve përreth tyre dhe të marrin aftësi të sofistikuara, të përvetësojnë norma të caktuara kulturore dhe sjellje përkatëse sociale (Mara, 2017).

Si përfundim, duke u thelluar në lidhjen e ndërlikuar midis empatisë dhe neuroneve pasqyrë, ne mund ta shohim se më shumë sesa thjesht një lidhje nervore; empatia dhe neuronet pasqyrë përbëjnë thelbin e përvojës sonë të përbashkët njerëzore. Empatia, si ura lidhëse midis mendjeve dhe zemrave, ndërthuret pa probleme me neuronet pasqyrë, ‘arkitektët’ e aftësisë sonë për të kuptuar dhe ndjerë emocionet e të tjerëve. Ndërsa kuptojmë ndërlikimet e këtij ndërveprimi nervor, e gjejmë veten në pragun e një bote më empatike dhe të bashkuar, ku mirëkuptimi dhe përvojat e përbashkëta krijojnë mjedise bashkëpunuese të lidhjes njerëzore, duke kontribuar kështu në mirëqenien emocionale dhe mendore të njëri-tjetrit.

Autor: Ardi Zenelaj

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë