A keni dëgjuar ndonjëherë për shprehjen “Njeriu është më i fortë se guri.”?
Nëse po, çfarë ju shkon në mendje kur e dëgjoni?
Si do ta përshkruanit personin e parë që ju vjen në mendje, kur e dëgjoni këtë shprehje?
Me çfarë karakteristika do ta mveshnit atë person?
Nëse ndaleni për një moment dhe mendoni për atë person, shtrohet pyetja çfarë është ajo që e bën këtë person kaq të fortë? Cilat janë rrethanat nëpër të cilat ka kaluar ky person, dhe se a ka emër ky fenomen?
Shkenca është munduar ta dëshmojë këtë me vite dhe oqeani i saj i pafundëm, na shpien drejt termit, reziliencë. Ndër vite, janë shpalosur perspektiva nga më të ndryshmet mbi atë se çfarë është rezilienca, dhe ky term e prania e tij filloi të merr hov, specifikisht përgjatë viteve të 70-ta dhe 80-ta, falë punës shkencore të Emmy Werner. E lindur më 1929, Emmy Werner ishte një psikologe zhvillimore amerikane e njohur për kërkimet e saj shkencore mbi reziliencën tek fëmijët. Ajo mori doktoraturën e saj, nga Universiteti i Nebraskës dhe ishte profesoreshë emerita në departamentin e zhvillimit njerëzor dhe të komunitetit në Universitetin e Davis, në Kaliforni.
“Interesi im për hulumtim, filloi me të vërtetë në përpjekjen për të gjetur se çfarë ndodh me fëmijët të cilët përballen me vështirësi në jetë. Në atë kohë njerëzit ishin shumë të interesuar se çfarë ndodh me fëmijët që mund të jenë duke u përballur me kohë të vështira dhe nëse kanë pasur probleme. Theksi ishte përqendruar shumë tek gjërat negative. “Nëse keni probleme si adoleshent, do të keni probleme si i rritur”. Pra, në fillim, shumica e hulumtimeve në fushën e zhvillimit u përqendruan shumë në mitet e vjetra. Çfarë ndodh me fëmijët që janë të varfër ose vijnë nga shtëpitë ku ka alkoolizëm, sëmundje mendore, ose shumë mosmarrëveshje dhe në këtë mënyrë kam ardhur në këtë fushë kërkimore”, ishte një ndër përgjigjjet e Emmy Werner, gjatë një interviste të realizuar në vitin 2003.
Werner ishte e njohur për udhëheqjen e saj të një studimi longitudinal (gjatësor) 40-vjeçar, të një grupi prej 698 foshnjave të lindura në Kauai, në ishullin e Hawaii në vitin 1955. Pjesë e këtij studimi, ishte një ekip i tërë, ku merrnin pjesë profesionistë të shëndetit mendor, mjek-pediatër, infermierë dhe punonjës social, ku hetonin zhvillimin e të gjithë fëmijëve të sapo-lindur në Kauai prej moshave 1, 2, 10, 18, 32 dhe 40 vjeç. Sipas këtij studimi, arsyeja e zgjedhjes së këtyre periudhave, ishte sepse po të njejtat pasqyrojnë stade thelbësore në zhvillimin e autonomisë, besimit, identitetit, afërsisë, dhe gjenerimit.
Në popullatën e studimit, 30% e foshnjeve kishin lindur dhe po rriteshin në varfëri, kishin probleme para ose perinatale, jetuan në familje me shqetësime nga mosmarrëveshjet kronike, divorci ose psikopatologjia e prindërve. Dy të tretat e fëmijëve që kishin katër ose më shumë nga këta faktorë rreziku, nga mosha 2 vjeç kishin vështirësi në të nxënit ose të sjelljes sipas moshës 10 vjeç, ose kishin probleme të shëndetit mendor deri në moshën 18 vjeç. Ndër gjetjet më domethënëse të Werner ishte se një e treta e të gjithë fëmijëve me rrezik të lartë shfaqën reziliencë dhe u zhvilluan në të rritur të kujdesshëm, kompetent dhe të sigurt, pavarësisht historive të tyre problematike të zhvillimit. Ata nuk kishin vështirësi në sjellje ose vështirësi të të nxënit përgjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Ata shkëlqyen në shkollë, kishin një jetë të shëndetshme familjare e shoqërore, vendosën objektiva e pritshmëri reale arsimore dhe kishin karrierë për veten e tyre. Në moshën 40 vjeç, asnjë nga këta njerëz nuk ishte i papunë, dhe nuk kishin nevojë të mbështetenin në ndihmën sociale. Ajo dhe kolegët e saj studiues identifikuan një numër faktorësh mbrojtës në jetën e këtyre individëve rezilientë që ndihmuan në balancimin e faktorëve të rrezikut në periudha kritike të zhvillimit të tyre. Midis këtyre faktorëve ishte një lidhje e fortë atashuese me një kujdestar jo-prindëror (të tillë si halla, dado ose mësuese), përfshirja në një kishë ose grup komuniteti, dhe mënyra se si këta fëmijë reagonin ndaj mjedisit.
Shumë faktorë, pra dalin të jenë kontribuesit kryesorë, që këta fëmijë të jenë rezilientë. Mirëpo, cila ishte arsyeja specifike, që pavarësisht rrethanave të vështira në të cilat këta fëmijë gjendeshin, arritën të kenë një jetë kaq të shëndetshme? Sepse, që në moshë të re, fëmijët rezilientë prireshin ta “shihnin botën sipas kushteve të tyre”. Ndoshta më e rëndësishmja, fëmijët rezilientë kishin atë që psikologët e quajnë “lokus i brendshëm i kontrollit”. Ata besonin se ata, dhe jo rrethanat e tyre, ndikonin në arritjet e tyre. Fëmijët rezilientë e shihnin veten si orkestruesit e fatit të tyre.
“Si fëmijë kam jetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Nuk ishte përvoja më e madhe, por ata që mbijetuan, mendoj se të gjithë ndoshta kishin të përbashkët faktin që nuk kishin hequr dorë nga shpresa. Thjesht mendoni për këtë, vetëm mendoni! Dhe pasi mbaroi ajo luftë, edhe pse kishte shumë fëmijë viktima, ata që u kthyen në shkollë, dukej se kishin diçka të përbashkët: faktin që ata ishin në gjendje të mos shikonin prapa gjërat e këqija që u kishin ndodhur, por përpara për atë që ata mund të bënin tani nga mundësia për t’u kthyer në shkollë, edhe pse kishte rrënoja rreth tyre”, thoshte Emmy Werner.
“(…) ndoshta ajo që duhet të them është, nëse doni të jeni vërtet të sinqertë për mënyrën se si bëni kërkime dhe pse interesohem për një fenomen, shumë nga kjo nuk është vërtet, e paraqitur në intelekt. Shumë nga njohuritë mund të jenë thellë në zemrën tuaj dhe jo në kokën tuaj. Unë mendoj se nëse je një studiues që e bën punën e tij për shkak të një pasioni që ka në zemrën e tij, dhe jo vetëm për idenë, “Unë duhet të jem përpara në rradhë”, mendoj se ju thjesht e ndiqni atë pasion, jo domosdoshmërisht duke menduar nëse kjo do të rezultojë apo jo në një prodhim monumental të shumë vëllimeve që njerëzit e tjerë duhet të lexojnë. Unë i pyes studentët e diplomuar tani: “Çfarë është ajo që ju pëlqen vërtet?” “Çfarë të thotë zemra jote të bësh? (…) Unë isha kurioze ndoshta më shumë se disa nga studiuesit e tjerë për atë që ndodhi me ata që nuk u bënë viktima. Sepse për shumë vite fokusi në media ka qenë kryesisht tek ajo se çfarë nuk shkon. Titujt janë gjithmonë të tillë. Unë gjithmonë përpiqem t’i shikoj gjërat nga ana tjetër. Por, çfarë shkoi mirë?”.
Vetëm disa studime longitudinale (gjatësore) nga foshnjëria deri në pjekuri- e kanë shqyrtuar këtë fenomen për periudha të gjata kohore. Deri më tani, studimi longitudinal i bërë në Kauai është i vetmi që ka ekzaminuar zhvillimin që nga lindja deri në moshën e mesme. E në të njejtën kohë, e bënë atë si një nga perspektivat më të çmuara mbi zhvillimin njerëzor, specifikisht mbi reziliencën.
Autore: Viola Greiçevci