Pëshpërima të hidhura: Një monolog introspektiv (Rrëfimi im)

Njihuni me Osedën. Oseda është një shoqe e imja. Osedës i pëlqejnë librat, filmat, dhe arti. Ajo pëlqen ushqimin, por jo ta gatuaj atë. Oseda ka nam për vonesat e saja. Ajo vonohet shpeshherë kur del me shoqërinë apo kur shkon në punë. Shpeshherë mbyllet brenda, me arsyen se ka nevojë për një “detoks social”.

Një ditë prej ditësh ajo vendosi të ndajë me mua disa mendime, të cilat asaj i sillen shpesh nëpër kokë.

Natyrisht, ajo filloi me një thënie nga një film të cilin ajo e ka shikuar:

– “Ky vend më bën të mendoj… Cila do të kishte qenë më keq, të vdesësh si njeri i mirë apo të jetosh si përbindësh?”. Thëniet nga filmat e tillë, gjithmonë më kanë lënë përshtypje. Filma që kanë shtjelluar tema të tilla të lidhura me psikologji. Për mua kjo thënie pak a shumë përmbledh shkurt një luftë të gjatë, për personat që luftojnë me mendimet e tyre të errëta.

– Hmm, mendime të errëta?! E çfarë ndjesie të japin ato?

– Një ndjesi që ke bërë “mëkate”. Një kërkim i përsosmërisë. Kërkim i pastërtisë shpirtërore dhe mendjes. Mendime që të prekin vlerat. Unë e di që natyra e njeriut është e papërsosur, unë e di që në këtë udhëtim të jetës të gjithë bëjnë gabime dhe ndryshojnë rrugë nga arsye të ndryshme, por për dikë në kërkim të pastërtisë së shpirtit dhe mendjes, rrugët që ndërrohen për shkak të “gabimeve”, janë të mbushura me gjemba dhe me tabela me fjalë turpi dhe ofendimi për udhëtarin. Është ngulfatëse, sepse vetëm mund t’ia konfirmosh mendjes atë për çfarë ajo lufton.

– Ti po flet për një përbindësh.

– Ndoshta edhe mund të duket sikur një lloj përbindëshi. Mund të thuhet edhe ashtu për t’u kuptuar më lehtë. Nganjëherë, unë ndihem si ajo dilema e lexuesve të Frankenshtajnit. E quajnë Frankenshtajnin përbindësh, kur në fakt vetë Frankenshtajni është shkencëtari. Edhe unë në momentet kur ndihem e dobët, e humbi atë vijën mes meje dhe errësirës, sepse kur jeton gjatë me diçka të tillë është vështirë ta ndash përbindëshin nga vetja e vërtetë.

Heshtje.

Nganjëherë i kam zili njerëzit që nuk dinë të duan shumë. Ndoshta, sepse ata e kanë mundësinë të mësojnë të duan më shumë. Por unë nuk po mundem të mësojë të dua më pak, sepse nëse jap ose kam më pak dashuri, mendja ime ka më pak mundësi për të sulmuar. Të kapet në vlerat që ndërlidhen me atë dashuri. E çka është më e keqja, është se nuk ka “burgje të moralit” ku ti mund të mbash dënimin për atë se çfarë të sjellë mendja jote. Mirëpo, krejt çfarë mbetet është “burgu” brenda teje, duke të munduar dyfish që nuk ke se ku ta largosh ndjenjën e fajit. Si mund të ekzistojë në të njëjtin vend faji, turpi dhe dashuria?!

– Ti po më thua që nuk ke asnjë mundësi të arratisesh nga kjo?

– Arratisja nga realiteti është çfarë kërkoj, por nuk e arrij dot. Kur kam ngecur në një vend ku nuk di ta bëj dallimin në mes realitetit dhe imagjinatës, e pyes veten, përse më urren kaq shumë kjo? Çfarë dëshiron nga unë? Më kërkon atë çfarë unë dua më së shumti, çfarë unë kam më së shumti për zemër dhe ma largon. Më humb lidhjet e mia me çdo gjë; me librin, me njeriun, me vetminë.

Pse kërkon t’i marrë bekimet e mia? Më duket se më qeshë duke më parë teksa vuaj kur fiton një betejë me mua. Mundohet të m’i marrë vlerat, dashurinë, kënaqësinë që vjen me to, edhe pse unë e di që, logjikisht, të gjitha këto, pa burim, vyshken, por nuk e di se si ia bënë dhe më shpërfill logjikën dhe arsyen e shëndoshë.

Mendoj se ka ardhur koha që Oseda të largohet nga filmat dhe librat filozofikë.

– Oseda, përse nuk provon t’i ekspozohesh këtyre mendimeve. Unë kam dëgjuar që është mirë ta bësh këtë.

– Këshilla më e shpeshtë që u ofrohet personave për këto mendime është t’i ekspozohen këtyre mendimeve; t’i pranojnë. “Eksopozohu!”. Ata që i japin këto këshilla, shpesh, nuk e kuptojnë që ai sekondi, ai fraksioni i sekondit, që ty mund vetëm të të shkojë mendja ta pranosh atë mendim, është i njëjtë si tingujt e shpresës së humbur.

– Përse nuk mëson më shumë rreth kësaj? Ndoshta të marrësh informacione është më mirë.

– Errësira e ka menduar edhe këtë pjesë. Sa më shumë njohuri që merr, aq më e fuqishme bëhet edhe errësira brenda. Për mua mund të jetë betejë e fituar me qenë një hap me errësirën apo një më tej saj. Por, luftë e fituar, ndoshta jo.

– Unë nuk mund të kuptoj. Më vjen keq. Nëse edhe unë do të isha përballur me këto lloj mendime, ndoshta do të kisha kuptuar.

– Nganjëherë mund të thuash që është mirë që je ti që po përballesh me këto mendime, e jo dikush që e ke të afërt. Jo që ata nuk janë të fortë të përballen me të, por për arsye se nganjëherë është e rëndë ta shohësh tjetrin në dhimbje të tillë.

Unë e di që kam me vete mbështetje hyjnore dhe njerëzore. Gjej ngushëllim në Zot dhe në familje, shoqëri e në punë. Edhe pse shpesh ndihem keq, janë disa momente kur them ndoshta nuk jam edhe ashtu si më bënë mendja të ndihem, kur afër më rrinë njerëz të mirë që i njoh me vite. Nëse në jetë më mirren copëza lumturia nga këto mendime të errëta, jam e lumtur të jetoj edhe me to, kur në anën tjetër jam e bekuar të më jepet dashuri nga njerëzit dhe gjëra tjera të mira në jetë.

Të dyjat në heshtje pimë kafet tona dhe shikojmë jashtë dritares.


Autore: Valmira Dubova

Shënim nga redaksia: Reflektimet e ndara në këtë artikull janë personale të autores dhe nuk zëvendësojnë këshillat profesionale. Nëse ju duket se përmbajtja është rënduese emocionalisht, ju lutemi kërkoni mbështetje nga profesionistët e shëndetit mendor ose nga njerëzit tuaj të dashur.

Një rikujtim se kjo platformë shërben si një hapësirë për rrëfime të ndryshme dhe mendimet e shprehura janë vetëm ato të autorit/es. Ne vlerësojmë mirëqenien mendore dhe emocionale të lexuesve tanë dhe i japim përparësi një komuniteti të sigurt dhe të kuptueshëm.

Lista e shërbimeve të ndihmës: www.revistapsika.com/sherbimet-e-ndihmes

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë