Java e Ndërgjegjësimit mbi Çrregullimet e të Ngrënit

Këtë javë, duke filluar nga data 26 Shkurt e deri më 3 Mars, mbarë botën shënohet Java e Ndërgjegjësimit mbi Çrregullimet e të Ngrënit, duke na rikujtuar njëherazi kompleksitetin dhe prevalencën globale të këtyre çrregullimeve, rëndësinë e kujdesit dhe prioritizimit ndaj shëndetit mendor, si dhe mbështetjen ndaj njëri-tjetrit në ballafaqimin e këtyre gjendjeve.

Por çfarë janë çrregullimet e të ngrënit?

Sipas Asociacionit të Psikiatërve Amerikanë, çrregullimet e të ngrënit janë gjendje të sjelljes të karakterizuara nga shqetësime të rënda dhe të vazhdueshme të të ngrënit, si dhe të shoqëruara nga mendime dhe emocione shqetësuese. Çrregullimet e të ngrënit mund të jenë gjendje shumë serioze të cilat mund të ndikojnë dukshëm në funksionimin fizik, psikologjik dhe social të individëve.

Këto çrregullime përbëjnë njëherazi kategorinë e çrregullimeve të të ushqyerit dhe të ngrënit, sipas Manualit Diagnostik DSM-V-TR, ku ndër to janë: anoreksia, bulimia, çrregullimi shmangës/kufizues i marrjes së ushqimit, çrregullimi i ngrënies së tepërt, etj.

Sa i përket simptomatologjisë së këtyre çrregullimeve, ato mund të varijojnë për secilin çrregullim dhe person, i/e cili/a mund të jetë duke u përballur me ndonjërën prej këtyre gjendjeve.

Ndërkaq, si shkaktarë të këtyre gjendjeve, sipas burimeve mendohen të jenë faktorë të ndryshëm psikologjik (stresi, të pasurit mendime obsesive-kompulsive, etj), apo edhe mjedisor (ngacmimet nga të tjerët, kritikat nga të tjerët mbi peshën ose mënyrat e të ushqyerit, presioni nga të tjerët për t’u dukur në një mënyrë të caktuar), etj.

Vlen të përmendet se gjasat që këta faktorë të kombinohen mesvete, janë shumë të larta, e që në disa raste mund të vijnë edhe si pasojë e komorbiditetit me çrregullime tjera të shëndetit mendor, si: ankthi, depresioni, çrregullimi obsesiv-kompulsiv, çrregullimi bipolar, etj.

Gjithashtu, hulumtimet tregojnë se ekspozimi ndaj përmbajtjeve mediatike të cilat promovojnë “ideale” të caktuara trupore, mund të kontribuojë dukshëm në këtë rast, për shkak se ushtrojnë presion tek individët, dhe njëkohësisht rrisin pakënaqësinë dhe vlerësim të ulët ndaj trupit të tyre dhe promovojnë mënyra të të ushqyerit jo-shëndetshëm.

Java e Ndërgjegjësimit mbi Çrregullimet e të Ngrënit ka për synim që së pari, të promovojë rritje në ndërgjegjësimin e publikut mbi këto çrregullime, duke nxjerrë në pah kompleksitetin e tyre dhe duke hedhur poshtë mitet e zakonshme që kontribuojnë në stigmatizim dhe keqkuptim të vetë këtyre çrregullimeve, por edhe të individëve të cilët mund të jenë duke kaluar në këto lloj gjendje.

Kjo vjen si pasojë e keqinformimit të publikut, ku shumë njerëz ende gabimisht i shohin këto çrregullime/gjendje si zgjedhje vetanake të individëve ose preferenca të stilit të jetesës dhe jo si çështje serioze të shëndetit mendor, dhe atij fizik.

Dhe së dyti, kjo javë ka për qëllim të promovojë dhe informoj publikun e gjerë mbi opsionet më të volitshme dhe efektive mbi trajtimin e këtyre çrregullimeve, sepse pavarësisht prevalencës dhe ashpërsisë së tyre, individët me çrregullime të të ngrënit shpesh përballen me barriera financiare të trajtimit dhe kujdesit, për shkak të disponueshmërisë së kufizuar të institucioneve apo profesionistëve kompetent, me specializim mbi trajtimin e këtyre çrregullimeve.

Në rast se njihni dikë i/e cila është duke u përballur me këtë gjendje, ofrimi i një hapësire mbështetëse dhe të sigurtë, si dhe inkurajimi për të marrur ndihmën e duhur nga profesionistët e shëndetit mendor, janë tejet esenciale.


Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë