Përtej jetës studentore – Roli dhe rëndësia e Programeve Mbështetëse për studentët

Vendosmëri, pasion, emocion, orë të tëra përgaditjesh, literaturë e shënime të panumërta, dhe copëza shprese e krenarie, janë ndër elementet të cilat ndërtojnë dhe i japin kuptim epitetit student/e. Dhe kështu së bashku, i japin edhe një ngjyrim asaj copëz rrugës sonë të përkohshme, por tejet të rëndësishme, e që ne i referohemi si jetë studentore. E mbushur me momente frymëzuese e përmbushëse, e farkëtuar me dije e njohje të reja, e rrethuar me dinamika të reja sociale dhe e nuancuar me shumë përvoja të reja, bën që ne si individ përgjatë gjithë kësaj rruge të përjetojmë një rritje kuptimplotë personale dhe profesionale.

Mirëpo, në anën tjetër, padyshim se përbrenda këtij rrugëtimi ngërthehet edhe presioni për të shkëlqyer në provime, i shoqëruar me kërkesa të shumta të realizimit të punimeve shkencore dhe detyrave, ndjekjes së ligjeratave/ushtrimeve, përfshirja në aktivitete jashtë-kurrikulare, që përveç se kërkojnë një investim të madh kohor dhe emocional, shpesh mund të krijojë një mjedis stresues për shumë studentë. Njëkohësisht, natyra konkurruese e krijuar brenda mjediseve akademike, mund të çojë drejt ndjenjave të pamjaftueshmërisë, pasi që studentët mund të krahasojnë veten me studentët e tjerë, dhe si rezultat përpiqen të jenë më të përsosur. Ky lloj presioni mund të jetë i lodhshëm, dhe mund të çojë drejt ndjenjave negative stresuese, anksioze, apo mund të rezultojë edhe në probleme tjera të shëndetit mendor.

Ky lloj mjedisi mund të ndikojë gjithashtu edhe në shëndetin fizik të shumë studentëve, në momentin kur ata/ato sakrifikojnë gjumin, vaktet ushqimore, pauzat apo edhe ushtrimet fizike, në mënyrë që ajo lloj përsosmërie drejt mbërritjes së qëllimeve akademike, të arrihet. Kjo mungesë apo neglizhencë e kujdesit për veten, kontribuon që ky lloj cikli stresues dhe anksioz të fuqizohet më tej, duke krijuar kështu një rreth vicioz që mund të jetë e vështirë për t’u thyer.

Në disa universitete dhe kolegje në botë, po realizohen iniciativa dhe po zbatohen strategji të ndryshme për të mbështetur mirëqenien e studentëve, të tilla si: shërbime të këshillimit, programe mbështetëse, fushata ndërgjegjësuese për shëndetin mendor, etj.

E ndër to, edhe në vendin tonë, në Departamentin e Psikologjisë, së Universitetit të Prishtinës, ekziston një grup i përbërë nga studentë të Psikologjisë, alumni të diplomuar, dhe profesorë/esha të cilët në baza vullnetare, tash e disa vite realizojnë së bashku disa aktivitete brenda Programeve Mbështetëse, për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës.

Se si lindi ideja për inicimin e këtyre programeve, Zamira Hyseni-Duraku, profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë së Universitetit të Prishtinës, e njëkohësisht edhe themeluese e Programeve Mbështetëse, u përgjigj si në vijim: ”Ideja për inicimin e programeve mbështetëse për studentët u shfaq gjatë pandemisë së COVID-19, një kohë kur mësimi u transferua për herë të parë nga mjediset fizike në ato online në Kosovë. Ky tranzicion, së bashku me sfidat e tjera të shkaktuara nga pandemia, u raportua të kishte një ndikim të theksuar në mirëqenien dhe performancën akademike të studentëve, veçanërisht tek studentët e rinjë. Kjo situatë krijoi një nevojë urgjente për mbështetje, e cila nxiti fillimisht organizimin e grupeve të mbështetjes të udhëhequra nga profesorët e departamentit për studentët, të cilat kishin për qëllim të krijojnë një mjedis mbështetës ku studentët mund të ndajnë përvojat dhe sfidat e tyre, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të zhvillojnë strategji për të menaxhuar stresin dhe ankthin”.

Ndër tjera, profesoreshë Hyseni-Duraku përmendi se “Me kërkesën e studentëve për vazhdimësinë e këtyre programeve mbështetëse, grupet u transformuan në “grupe të mbështetjes së ndërsjellë”, ku studentët ndihmonin njëri-tjetrin. Që nga ajo kohë, këto grupe kanë qenë vazhdimisht aktive dhe luajnë një rol thelbësor për të adresuar nevojat e studentëve dhe për të lehtësuar përshtatjen me rrethanat e reja akademike dhe emocionale”.

Këto Programe fillimisht ishin realizuar brenda Departamentit të Psikologjisë, kurse tani janë duke u realizuar për të gjithë studentët e të gjitha njësiteve akademike, brenda Universitetit të Prishtinës.

Disa nga aktivitetet të cilat realizohen aktualisht brenda Programeve Mbështetëse, janë:

  • Grupet e Përkrahjes – të cilat fascilitohen nga vetë studentët vullnetarë të Departamentit të Psikologjisë, synojnë që nëpërmjet realizimit të disa takimeve, studentët të kenë mundësi të socializohen mesvete, dhe nëpërmjet ndarjes së eksperiencave të tyre, t’i ndihmojnë njëri-tjetrit për çdo vështirësi eventuale.
  • Punëtoritë – të cilat realizohen nga studentë të diplomuar (alumni) nga Departamenti i Psikologjisë, synojnë që t’i pajisin studentët pjesëmarrës me informata dhe këshilla në lidhje me menaxhimin e ankthit, menaxhimin e emocioneve, si dhe ofrimin e disa këshillave në lidhje me shkathtësitë në të nxënit.
  • Webinare psiko-edukuese – të cilat realizohen në formë të sesioneve informuese, me folës të ndryshëm nga fusha e Psikologjisë, studentët pjesëmarrës kanë mundësi të informohen mbi gjetjet më të fundit të cilat bëhen krahas studimeve në Psikologji nga studiues të ndryshëm.

Sa i përket zhvillimit të deritanishëm të Programeve Mbështetëse, profesoreshë Hyseni-Duraku tha se: “Vëzhgoj me kënaqësi se numri i vullnetarëve të angazhuar është rritur dukshëm, dhe këto programe tashmë janë bërë qendra të socializimit, duke kontribuar gradualisht në zvogëlimin e stigmës rreth çështjeve të shëndetit mendor.”

Ndërkaq u përmend edhe se brenda këtyre programeve, janë bashkuar profesionistë të shëndetit mendor dhe ekspert ndërkombëtar të shëndetit mendor.

“Ky bashkëpunim po ndihmon në ngritjen e cilësisë së programeve dhe në përmirësimin e mëtejshëm të mundësive mbështetëse për studentët. Sidoçoftë, do të isha edhe më e lumtur të shihja se këto programe do të avancoheshin më tej, duke u bërë pjesë përbërëse e Universitetit të Prishtinës si një program i qëndrueshëm dhe i zgjeruar, të ngjashëm me ato të University Counseling Services. Kjo do të siguronte që programet të kishin një impakt edhe më të madh në mirëqenien mendore të gjithë komunitetit studentor, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi akademik më mbështetës dhe inkluziv”– tha tutje profesoreshë Hyseni-Duraku.

Se sa e rëndësishme është që këto programe të integrohen brenda insitucioneve akademike, profesoreshë Hyseni-Duraku shtoi se “Programe të tilla mbështetëse janë jashtëzakonisht të rëndësishme për institucionet e arsimit të lartë, sidomos për shkak të efikasitetit të tyre të vërtetuar, në mbrojtjen e mirëqenies së studentëve dhe përmirësimin e performancës akademike”.

Përgjatë viteve të fundit, ka pasur një rritje të njohjes së rëndësisë për mbështetjen e mirëqenies së studentëve në mjediset akademike, duke përfshirë këtu edhe rritjen e kërkimeve shkencore në drejtim të saj, nga ku profesoreshë Hyseni-Duraku tha se “Studimet tregojnë se këto programe ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të menaxhimit të stresit dhe ankthit dhe nxisin mësimin ndërveprues, gjithashtu duke ulur barrierat për të kërkuar ndihmë psikologjike”.

Ndër tjera ajo tha se “është thelbësore që edhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë të integrojnë dhe zbatojnë shërbime të tilla dhe programe mbështetëse për studentët si pjesë e strategjive të tyre. Gjithashtu, është e rëndësishme që çdo institucion i arsimit të lartë të zhvillojë strategji për shëndetin mendor dhe të përmirësojë më tej qasjet pedagogjike me qëllim të zhvillimit holistik të studentëve. Kjo do të garantojë që studentët të marrin ndihmën e nevojshme për të përballuar sfidat akademike dhe personale në mënyrë efikase, duke ndihmuar në përmirësimin e performancës akademike të studentëve dhe duke kontribuar në krijimin e një mjedisi universitar që vlerëson dhe mbështet mirëqenien mendore të studentëve. Ky angazhim është veçanërisht i rëndësishëm në Kosovë, ku nevojat për mbështetje psikologjike dhe edukative janë të larta dhe resurset janë shpesh të kufizuara”.

Sa i përket rëndësisë që ka pjesëmarrja e studentëve në Programet Mbështetëse, profesoreshë Hyseni-Duraku tha se, këto aktivitete bëjnë që studentët të ndihen të vlerësuar, të mbështetur, ju ndihmojnë atyre që të zhvillojnë shkathtësi të reja, si dhe kontribuon në zgjerimin e rrjetit të tyre social.

“Pjesëmarrja në këto programe nuk është vetëm e dobishme, por është esenciale për të përjetuar plotësisht jetën universitare dhe për të kontribuar në një komunitet më të fortë dhe më të bashkuar”.

Dhe për fund, profesoreshë Zamira ndau edhe një mesazh për të gjithë studentët.

“Jeta studentore do të duhej të jetë me plotë ngjarje dhe përvoja që mbeten në kujtimet tuaja si momente të çmuara dhe formuese. Prandaj, është esenciale që, krahas angazhimeve akademike, të vendosni mirëqenien tuaj si një prioritet kryesor, pasi ajo është vendimtare për suksesin tuaj në të gjitha aspektet e jetës”.


Autore: Viola Greiçevci

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë