Krijohet grupi për themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës (Lajm)

“Ne, psikologët klinikë të licencuar të Kosovës, u mblodhëm në këtë takim të parë me një vizion dhe përkushtim të përbashkët për themelimin e Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës,” ishte fillimi i deklaratës së publikuar më 14 maj 2024 nga një grup joformal i përbërë nga psikologë klinikë të licencuar në Kosovë, të cilët dolën me një deklaratë të përbashkët, përgjatë të cilës tregohet se vizioni i këtij grupi është që bashkërisht të punojnë drejt themelimit të Odës së Psikologëve Klinikë të Kosovës.

Sipas kësaj deklarate, kjo nismë bashkon të gjithë psikologët klinikë të licencuar, pavarësisht niveleve të tyre të licencimit, me qëllim të avancimit dhe zbatimit të standardeve më të larta etike dhe profesionale të fushës së shëndetit mendor.

“Duke njohur nevojat dhe aspektet unike të profesionit tonë, ne avokojmë për formimin e një Ode të pavarur që do të shërbejë si gur themeli për avancimin dhe rritjen e shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë,” thuhet në një nga pikat e listuara përgjatë kësaj deklarate.

Për shkak të mosshfrytëzimit të mjaftueshëm të ekspertizës së psikologëve, nëpërmjet kësaj deklarate bëhet thirrje urgjente për integrimin gjithëpërfshirës, transparent dhe të drejtë të psikologëve në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Përgjatë deklaratës thuhet gjithashtu se kjo Odë do të përmbushë detyrat e saj duke kontribuar aktivisht në zbatimin dhe avancimin e legjislacionit kombëtar dhe promovimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e shëndetit mendor. “Ne besojmë me vendosmëri se një Odë e pavarur është me rëndësi thelbësore për të mbrojtur dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave të shfrytëzuesve të shërbimeve të shëndetit mendor, komunitetit të profesionistëve të shëndetit mendor dhe mbarë popullatës në përgjithësi,” ishte një ndër mesazhet përgjatë kësaj deklarate.

Ndër të tjera, sipas kësaj deklarate ky grup do të angazhohet në krijimin e rrjeteve profesionale, për lobim dhe avokim me të gjitha palët përkatëse, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me institucionet akademike.

Në Kosovë, ende nuk ekziston një odë e veçantë për psikologët, dhe aktualisht ata janë pjesë e Odës së Infermierëve të Kosovës, duke theksuar kështu nevojën për një odë të dedikuar që do të adresonte specifikisht interesat dhe sfidat unike të profesionit të psikologut në Kosovë.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë