Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? (Pjesa 2)

Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? Jam e sigurtë që kjo pyetje, tek gjithsecili, nxit dhe advokon ndjesi dhe përjetime të ndryshme! Ama, tek secili prej nesh ka një të përbashkët: ndërgjegjësimi për një mungesë, për një mosplotësim nevoje, për luhatje emocionale që minojnë mirëqenien tonë psikologjike.

Sa flasim ne për mungesat tona? Diku kam lexuar nga Virgina Woolf se dëshira e saj ishte të shkruante një roman për heshtjen, për gjërat që njerëzit nuk thonë. Po nëse zgjedhim të shkruajmë për mungesat, çfarë do shkruanim? Faqe plot apo thjesht tre pika për të përjetësuar në pafundësi mungesën?

Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? Mendoni për një moment, teksa shihni veten në pasqyrë. Ato momente kur nuk e zgjedhim pasqyrën për të parë si na duket veshja, a i kemi në rregull flokët, por kur e zgjedhim pasqyrën për të komunikuar me brendësinë tone. Çfarë i tregojmë ne pasqyrës? Po pasqyra, çfarë na tregon në kthim?

Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? Erik From ka pohuar se njeriu kërkon të lerë gjurmët e veta në botë, për ta ndryshuar atë dhe jo thjesht të ndryshohet vetë. Kjo nevojë njerëzore shprehet në pikturat e para të shpellave, në të gjitha artet, mite apo letërsi. Por sa prej nesh arrijnë të përballojnë sfidat e të ngrihen prej tyre? Sa mendje të ndrituara kemi humbur në rrjedhën e kohës, sepse kanë pasur rrethanat e papërshtshme, sepse kanë jetuar në regjime të papërshtatshme, sepse nuk janë vlerësuar nga të tjerët përreth?

Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? Ndoshta flasim për nevojën për të gjetur veten! Ne të gjithë kemi disa ide se kush jemi dhe çfarë na dallon nga të tjerët.  Ne e dimë sesi dukemi, kemi një farë kuptimi rreth fuqisë tonë relative, rreth personalitetit që projektojmë në botë, apo ideve dhe qëndrimeve personale që i prentendojmë si tonat. Ne kemi një sens të asaj që na takon apo jo, gjërave ku shkëlqejmë dhe disfatave që tentojmë t`u arratisemi. Ajo që ne jemi shprehet në nevojën e imponuar për të qenë të përsosur, e më andej në rebelimin për të mos qenë perfekt…shprehet me fjalë e me monologje të heshtur, duke e përshtatur veten si audiencë dhe si dëshmimtare të vetme….të vetes! Sa prej nesh kane gjetur veten, kanë integruar pjesët e munguara dhe, mbi të gjitha, sa ju mungon vetja reale, përpara se zëri i prindëve, shokëve dhe gjithë shoqërisë t`u servirte veten që konsiderohet e pranueshme?

Për çfarë flasim, kur flasim për atë që na mungon? Flasim për veten si tregimtare që rrjedh nga tregimi narrativ i vetvetes. Vetja narrative ka aftësi të gjenerojë dhe të lidhë ngjarjet e jetës me veten aktuale. Kështu, kjo vete bëhet një autore që krijon veten e saj me kalimin e kohës. Ajo është i njëjti person, pavarësisht se ndryshon me rrjedhen e kohës, por këtyre ndryshimeve arrin t`i atrbuojë kuptueshmëri për veten. Sa prej jush e kanë lenë veten tregimtare të krijojë historinë e saj, të shkruar, të përjetuar dhe të pamodifikuar? Sa prej jush ju mungon privilegji që vetja që shfaqni të jetë në përputhje me veten që me zë të lartë thërret “Unë jam këtu“!

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për nevojën për tu lidhur me veten! Ne duhet të dëgjojmë fëmijën që kemi qenë dikur, fëmijën që ekziston ende brenda nesh…atë fëmijë që kupton momentet magjike. Ne mund të mposhtim të qarat e tij, por nuk mund të heshtim zërin e tij, sepse fëmija që kemi qenë dikur, është ende aty! Sepse ne kemi një histori brenda nesh! Ajo shtrihet aty, e artikuluar, e pret të shkruhet përtej heshtjes dhe dhimbjes!

Autore: Sulltana Aliaj

Sqarim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet ose politikat e revistës “Psika”. Përmbajtja e dhënë në këtë artikull është menduar vetëm për qëllime informative. Nuk është një zëvendësim për këshillat, diagnozën ose trajtimin profesional psikologjik, mjekësor ose terapeutik. Gjithmonë kërkoni këshillën e profesionistit të shëndetit mendor ose një ofruesi tjetër të kualifikuar shëndetësor për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me një gjendje psikologjike ose mjekësore. Asnjëherë mos e shpërfillni këshillën profesionale ose mos vononi ta kërkoni atë për shkak të diçkaje që keni lexuar në këtë artikull. Nëse jeni në krizë ose mendoni se mund të keni një urgjencë mjekësore ose psikologjike, telefononi menjëherë mjekun tuaj, profesionistin e shëndetit mendor ose shërbimet e urgjencës.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë