Në epokën e sotme dixhitale, rritja e dhunës kibernetike në marrëdhënie është bërë një prirje shqetësuese. Ajo përfshin veprime agresive, ngacmime ose dëmtime të qëllimshme të drejtuara ndaj një partneri ose ish-partneri. Kjo formë specifike e dhunës mund të shfaqet fizikisht, seksualisht ose psikologjikisht në një marrëdhënie romantike që përfshin individë të rinj ose adoleshentë.
Një studim i fundit ka hulumtuar pikërisht rrjetin e ndërlikuar të besimeve të lidhura me dhunën në lidhje – duke përfshirë mitet e dashurisë romantike, xhelozinë dhe seksizmin – dhe ndikimin e tyre të përbashkët si në kryerjen ashtu edhe në viktimizimin e dhunës kibernetike.
Studimi përdori një dizajn joeksperimental, ndër-seksional, me një mostër prej 1001 pjesëmarrësish të moshës 18 deri në 25 vjeç. Të dhënat u mblodhën përmes rrjeteve sociale, duke siguruar që pjesëmarrësit të kishin përvoja të fundit të marrëdhënieve romantike. Shumica e pjesëmarrësve ishin vajza (86%), me një moshë mesatare prej 21.01 vjeç.
Të gjeturat e studimit tregojnë se xhelozia luan një rol të rëndësishëm si në viktimizimin kibernetik ashtu edhe në kryerjen e ngacmimit kibernetik. Besimet seksiste, në anën tjetër, ishin të lidhura vetëm me kryerjen e ngacmimit kibernetik. Ndërsa mitet e dashurisë romantike treguan një rëndësi të kufizuar, me mitin e pasionit të përjetshëm që demonstron një efekt të lehtë mbrojtës kundër viktimizimit kibernetik.
Në rastin e kryerjes së ngacmimeve kibernetike, xhelozia emocionale e lidhur me mashtrimin luajti një rol dominues, gjersa seksizmi armiqësor tregoi gjithashtu një ndikim të dukshëm, duke reflektuar qëndrime që legjitimojnë dhunën ndaj grave.
Studimi pranon disa kufizime, duke përfshirë paragjykimet e mundshme në vetë-raportimin dhe në një mostër të pabalancuar në aspektin gjinor. Por, pavarësisht limitimeve, ky hulumtim ofron njohuri tejet të rëndëishme për ndërveprimin kompleks të besimeve dhe sjelljeve në dhunën kibernetike brenda marrëdhënieve të të rinjve.
Studimi origjinal: Ramírez-Carrasco, D., Ferrer-Urbina, R., & Ponce-Correa, F. (2023). Jealousy, Sexism, and Romantic Love Myths: The Role of Beliefs in Online Dating Violence. Frontiers in Psychology. https://doi.org/10.3389/fpsyg.2023.1212737