Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? (Pjesa 1)

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për pendesat, për mungesën e një shkopi magjik që na fut në vorbullën “Po sikur“?! Kush nuk do të dëshironte të kthehej pas në kohë? Të rishkruante jetën dhe të ndryshonte fatin e tij? Të gjithë kemi pyetur veten të paktën një herë: po të na jepej shansi të ktheheshim prapa në kohë, çfarë do të ndryshonim në jetën tonë? Nëse do të kishim mundësi ribërjeje, cilat gabime do të provonim të korrigjonim? Cilën dhimbje, cilat pendime, cilën keqardhje do të zgjidhnim të fshihnim? A do të guxonim me të vërtetë t`i jepnim një kuptim të ri ekzistencës sonë? Po për t`u bërë çfarë? Për të shkuar ku? Dhe me kë?

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për mungesën e sigurisë për të parashkikuar të ardhmen. Mund të dimë gjithçka për jetën, për njerëzit, por çfarë di njeriu për veten? Që të kesh përgjigje për gjithçka, nuk është se je i sigurt se e di çfarë fsheh e nesërmja për ty!

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për zhgënjimet dhe paplotësinë e sistemit arsimor. E këtu dua të citoj një ndër autoret e mia të preferuara, Suzana Tamaro, e cila në librin “Thuaj zemrës po“, më ka mahnitur me përshkrimin e saj. “Akoma mbaj mend emocionin që më pushtonte kur na jepnin programin për vitin e ri shkollor. E shfletoja ngadalë, për të mos e zhubrosur, duke parë me vëmendje figurat e ngjyrosura që përmbanin: histori, gjeografi, lashtësi…Sa gjëra për të mësuar kishte aty brenda. Gjithmonë kam pasur shumë pyetje në kokë dhe shpresoja që shkolla do të më ndihmonte që t`u jepja përgjigje. Por lumturinë e ethshme të ditëve të para e pasonte zhgënjimi. Shkolla nuk ishte vendi i ushtrimit të njohurive, por vendi i mërzisë dhe terrorit. Duhet të mësoheshin pak gjëra ose aspak intresante. Sa tortë më mbetet, nëse ha katër të pestat? E ç`rëndësi  mund të kishte. Përse duhej të mësoja gjëra kaq të ndërlikuara për një vakt të thjeshtë? Nëse dikush do të më kishte thënë “Merr po të duash gjashtë të tetat e tortës“, thjesht do isha përgjigjur: “Faleminderit, por nuk më hahet“!“

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për mungesën e kuptimit të jetës, tipike të kulturës sonë. Njeriu i ditës – njeriu perëndimor – tashmë i ngopur dhe larg misterit, duket një krijesë pa kurrfarë kujtese. Jeta e tij është si një karrocë bosh, të cilën ai e shtyn i shkujdesur në banakët e supermarketit. Duke mos pasur kujtime, nuk di as çfarë të zgjedh, kështu që e mbush me çfarë të rastisë. Vetëm kur arrin tek arka dhe zbraz gjithçka mbi tavolinë, arrin të kuptojë se ka grumbulluar gjëra tërësisht të padobishme. Mungon buka. Mungon vera. Por gjen deodorantin me aromë vanilje për këpucët.

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Flasim për mungesën e barazisë gjinore! Flasim për një histori që ka qenë histori e heshtjes, histori ku ka munguar zëri i vajzave dhe grave! Ne duhet të kuptojmë se ndoshta nuk ka një formulë të vetme se si gratë duhet të udhëheqin jetën e tyre, por duhet te respektojmë zgjedhjet që çdo grua bën për veten e saj, me vullnet të plotë, me qëllim realizimin e potencialit të saj. Ne duhet të pranojmë se gratë do të vazhdojnë të hasin në sfida të vazhdueshme derisa të drejtat e tyre njerëzore të respektohen dhe mbrohen, një mungesë e hidhur edhe sot, edhe tani që po flasim!

Për çfarë flasim kur flasim për atë që na mungon? Ndoshta flasim për pjesët e vetes që ne tregojmë, por besoj që mbi të gjitha flasim për pjesët e vetes që ne fshehim! 

Për çfarë po flas ndërkohë që po flas për atë që më mungon?!…Po ti për çfarë flet, kur flet për atë që të mungon?

Autore: Sulltana Aliaj

Sqarim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet ose politikat e revistës “Psika”. Përmbajtja e dhënë në këtë artikull është menduar vetëm për qëllime informative. Nuk është një zëvendësim për këshillat, diagnozën ose trajtimin profesional psikologjik, mjekësor ose terapeutik. Gjithmonë kërkoni këshillën e profesionistit të shëndetit mendor ose një ofruesi tjetër të kualifikuar shëndetësor për çdo pyetje që mund të keni në lidhje me një gjendje psikologjike ose mjekësore. Asnjëherë mos e shpërfillni këshillën profesionale ose mos vononi ta kërkoni atë për shkak të diçkaje që keni lexuar në këtë artikull. Nëse jeni në krizë ose mendoni se mund të keni një urgjencë mjekësore ose psikologjike, telefononi menjëherë mjekun tuaj, profesionistin e shëndetit mendor ose shërbimet e urgjencës.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë