Terapia e artit është një metodë inovative që shfrytëzon krijimtarinë artistike për të ndihmuar në rregullimin emocional dhe jetën tonë psikike në përgjithësi. Kjo terapi përfshin përdorim të teknikave të ndryshme artistike si skulptura, muzika, shkrimi kreativ, vizatimi dhe forma të tjera të arteve. Si formë unike e terapisë, ajo përdor artin si mënyrë e të shprehurit, dhe ka për qëllim të zvogëlojë shqetësimin dhe të përmirësojë shëndetin social, emocional dhe mendor të atyre që angazhohen në të.
Përkitazi përkufizimit të saj, terapia e artit dobinë e saj konsiderohet ta dëshmojë, specifikisht, kur aplikohet pas përjetimeve të vështira ose traumatike, përjetime këto për të cilat mund të jetë e vështirë të flitet në periudha të caktuara.
Terapia e artit ka demonstruar efikasitet në trajtimin e shumë sfidave të ndryshme që prekin trurin e njeriut, duke përfshirë demencën, e cila karakterizohet nga rënia e aftësisë për të kujtuar, menduar dhe kryer operacione të tjera kognitive (Deshmukh, Holmes & Cardno, A. 2018).
Malchiodi (2011), në një krijim të sajin, ndan përvojën e Eduardos, një person i cili përdorte artin si terapi. Afër të tridhjetave të tij, Eduardo po kalonte në sfida të vështira të problemeve të shëndetit mendor, i cili krahas ndihmës psikiatrike u ndihmua dukshëm edhe përmes terapisë së artit për t’i menaxhuar këto sfida. Ai i kishte ruajtur veprat e tij të artit për shumë vite dhe ishte shumë e lehtë për ta kuptuar se sa e rëndësishme ishte terapia e artit për të, duke treguar tutje se sa e dobishme mund të jetë terapia e artit si modalitet trajtimi, në kombinim me modalitete të tjera të rëndësishme.
Përveç dëshmive në letërsi, një tjetër rrëfim si ai i Frida Kahlo – një artiste e cila çmohet për ndikim e saj – njihet nga të gjithë adhuruesit e artit. Sfidat shëndetësore me të cilat u ballafaqua, ajo zgjodhi t’i kalojë përmes artit. Thuajse të gjitha pikturat e saj përmbanin portrete të vetes, të cilat në interpretime të ndryshme dalin të jenë prezantime simbolike edhe të përvojave të saja të thella psikologjike.
Gjithsesi, për të përdorur terapinë e artit, nuk kërkohet të kesh përvojë si artist. Krejt çka të duhet janë ngjyrat, një bllok për vizatim, një mjet muzikor ose një laps e një fletore. Megjithatë, edhe pse aftësitë artistike nuk janë të nevojshme që terapia e artit të jetë e suksesshme, shumë të rritur që besojnë se nuk janë krijues ose artistikë, mund të jenë rezistentë ose skeptikë ndaj procesit. Prandaj, për të siguruar një përvojë sa më të pasur gjatë procesit, nëse ky shkrim veçse ju ka bërë ta kondisderoni terapinë e artit, para se të provoni atë, konsultimi me një ekspert të shëndetit mendor është një hap tejet i rëndësishëm që duhet ta bëni.
Autore: Eneda Gorani
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.