Rreziqet psikosociale në punë: Njohje dhe strategji

A ju ka ndodhur ndonjëherë të mos jeni në gjendjen tuaj më të mirë për të shkuar në punë?

Nëse po, atëherë ju ftojë të reflektoni në atë se cilat kanë qenë veprimet tuaja në rast se jeni ndjerë ashtu.

Çka nëse gjendja juaj, në ditë të caktuara, nuk lidhet me shëndetin fizik? A e keni lirinë të kontaktoni me përgjegjësin tuaj dhe t’i tregoni si ndiheni?

Këto dhe shumë pyetje të tjera, që na çojnë drejt kuptimit se kur flasim për “gjendjen” tonë, nuk nënkuptojmë vetëm gjendjen fizike, që sektorët e punës zakonisht kërkojnë edhe arsyetim mjekësor në rast se raportojmë vështirësi në të, por nënkuptojmë edhe gjendjen psikologjike për të cilën nuk flitet shpesh. Edhe në rastet kur flitet për të, injorohet shpesh me arsyetimin që nuk përbën një pjesë të shëndetit.

Pothuajse 60% e popullsisë në botë janë pjesë e botës së punës (Organizata Botërore e Shëndetësisë [OBSh] & Organizata Ndërkombëtare e Punës [ONP], 2022). Aty kalohet gjysma e ditës, gjë kjo që e bën shumë të rëndësishme të dimë ndikimet që ka ajo tek ne. Puna e denjë mund të jetë përkrahëse për shëndet mendor të atyre që angazhohen në të, në rastet kur ajo përfshin sigurim të jetesës, ndjenjave të qëllimit, besimit e arritjes, mundësisë për marrëdhënie pozitive dhe të pjesëmarrjes në komunitet, krahas elementeve të tjera me rëndësi (OBSh & ONP, 2022).

Gjersa puna në mjedise të sigurta dhe të shëndetshme është një e drejtë themelore, mjediset e sigurta dhe të shëndetshme të punës kanë poashtu më shumë gjasa të minimizojnë konfliktet dhe të përmirësojnë natyrën e pjesëmarrjes në punë (OBSh & ONP, 2022).

Por çfarë ndodh në rastin e kundërt?

Më shumë se gjysma e fuqisë punëtore globale punon në ekonominë informale (Bonnet et al., 2019), pra në mjedise ku shpesh nuk ka rregulla për shëndetin dhe sigurinë.

Rreziqet psikosociale në vendin e punës përfshijnë faktorë të ndryshëm që mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin mendor dhe mirëqenien e një punonjësi (OBSh & ONP, 2022). Këto rreziqe mund të lindin nga kushte të tilla si kërkesat e larta për punë, kontrolli i ulët mbi detyrat dhe mbështetja e ulët sociale (OBSh & ONP, 2022). Përveç kësaj, ekspozimi ndaj ngacmimit, diskriminimit dhe dhunës në vendin e punës mund të çojë në shqetësime të rënda psikologjike (OBSh & ONP, 2022). Organizata Ndërkombëtare e Punës thekson rëndësinë e trajtimit të rreziqeve në vend të punës për të siguruar një mjedis pune të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë (OBSh & ONP, 2022).  

Ndërkaq, për të mbrojtur shëndetin mendor, rekomandohen disa strategji për të mbrojtur shëndetin mendor (OBSh & ONP, 2022). Këto përfshijnë (1) trajnimin e menaxherëve në fushën e shëndetit mendor, që do të ndihmohen të njohin dhe të reagojnë si duhet ndaj punëtorëve që përjetojnë shqetësime emocionale (OBSh & ONP, 2022). Poashtu, është shumë e rëndësishme (2) të zhvillohen aftësi ndërpersonale si komunikimi i hapur dhe dëgjimi aktiv (OBSh & ONP, 2022). Një tjetër rekomandim nga OBSh dhe ONP (2022) është (3) të nxitet kuptimi se si stresorët e punës ndikojnë në shëndetin mendor dhe se si mund të menaxhohen ata. Gjithashtu, përveç trajnimeve për menaxherët, duhet (4) të mbahen trajnime edhe për punëtorët, për të promovuar edukimin dhe ndërgjegjësimin rreth shëndetit mendor dhe për të reduktuar stigmën (OBSh & ONP, 2022). Kjo do të ndihmojë në trajtimin e kolegëve që mund të përballen me vështirësi të këtij lloji. Përveç kësaj, OBSh dhe ONP (2022) rekomandojnë edhe ndërhyrjet nga profesionistët e fushës për individët që po përjetojnë vështirësi, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi për të menaxhuar stresin dhe për të reduktuar simptomat e shëndetit mendor. 

Si përfundim, një punë me karakteristikat e përmendura ka një rol pozitiv në mirëqenien dhe shëndetin mendor të punonjësve. Andaj, puna është një sistem shumë i nevojshëm dhe duhet të jemi pjesë e saj, por në anën tjetër është detyrë e jona, punëdhënësve dhe kolegëve që të ndihmojmë në përmirësimin e mjediseve dhe kushteve për shëndet mendor të mirë në punë.

Autore: Blerina Rexhepi

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë