Mbarë botën muaji Prill shënohet si Muaji Ndërkombëtar i Ndërgjegjësimit mbi Spektrin e Autizmit, nga ku edhe në Kosovë ky muaj u shënua me aktivitete të ndryshme sensibilizuese, kampanja vetëdijësuese, e diskutime të ndryshme me qëllim për të promovuar rëndësinë e mbështetjes dhe përmirësimit të qasjes ndaj personave nën spektrin e Autizmit.
Për nder të këtij muaji, më 23 Prill ora 16:00 në kuadër të revistës, filluam për herë të parë me realizimin e sesioneve të webinareve, ku tema e bashkëbisedimit ishte mbi spektrin e Autizmit.
Folëse e webinarit ishte Jeta Deva, psikologe klinike dhe drejtoreshë e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë (ANAK), ndërsa diskutimi u moderua nga Viola Greiçevci, readaktore e revistës Psika.
Përgjatë bashkëbisedimit, u diskutua mbi atë se çka e karakterizon spektrin e Autizmit, nga ku Deva përmendi elemente të ndryshme të cilat e karakterizojnë këtë spektër.
“Në përgjithësi dihet që një person me autizëm mund të dallojë shumë nga tjetri, për shkak se ka shumë lloje të autizmit, prandaj është shumë e rëndësishme që mos të gjeneralizojmë një person me të gjitha elementet që mund t’i ketë”, nga ku Jeta theksoi se për nga përvoja e saj disa vjeçare si profesioniste e shëndetit mendor, ka hasur në diskutime të shumta se si këta fëmijë janë keq diagnostifikuar në disa raste.
Ndër tjera Deva ofroi edhe një përshkrim më në detaje mbi aspektet kognitive, emocionale dhe sjellore që karaterizojnë spektrin e autizmit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë që ka kuptimi i këtyre elementeve të nuancuara dhe përvojave të ndryshme të fëmijëve nën spektrin e Autizmit.
Bashkëbisedimi mori fokus edhe mbi kontekstin Kosovar, ku sa i përket ofrimit të mbështetjes dhe shërbimeve përgjatë diskutimit Deva përmendi çështje të shumta të cilat duhet të adresohen tutje në mënyrë që të përmirësohet qasja institucionale dhe qasja e profesionistëve të shëndetit mendor ndaj fëmijëve nën spektrin e Autizmit.
Në pika të shkurtëra u përmbledh edhe puna e Asociacionit Nacional të Autizmit në Kosovë, ku ndër shërbimet e shumta dhe mbështetjes që kjo qendër ofron tash e 12 vite për fëmijët nën spektrin e autizmit dhe për prindërit e tyre, ajo tregoi se ANAK për tash e disa vite ofron edhe mundësi të ndryshme të trajnimeve dhe praktikës për studentë/e dhe asistent/e.
E fundit por jo më pak e rëndësishme, diskutimi u përqendrua edhe në ofrimin e disa rekomandimeve për prindërit në mbështetjen e fëmijëve të tyre nën spektrin e Autizmit, dhe disa këshilla për prindërit se si të kujdesen ata/ato për veten e tyre.
Për t’u informuar më shumë mbi diskutimin e realizuar përgjatë webinarit, ju mund ta shihni webinarin e plotë këtu.