Dëshira e madhe, etja për diçka të cilën nuk e kemi, potencialisht mund të jenë disa nga pengesat për të jetuar një jetë të qetë, me qëllime, dhe emocionalisht të përmbushur. Në një epokë ku jeta jonë është gjithnjë e më e ndërthurur me teknologjinë, përdorimi i rrjeteve sociale ka lehtësuar në mënyrë të konsiderueshme mundësinë për të qenë të informuar rreth aktiviteteve të miqve, familjarëve dhe komuntitetit të gjerë. Nga ana pozitive, mund të themi se kjo është një mundësi e mirë për kultivimin e lidhjeve ndërpersonale. Megjithatë nga ana tjetër, duke i konsideruar edhe kufizimet e kohës, kjo gjithashtu do të thotë se individët potencialisht mund të përballen me faktin se po humbasin mundësi për të qenë pjesë e përvojave përmbushëse, që bëhen të dukshme përmes përdorimit të mediave sociale. Kështu, natyra e dyfishtë e përdorimit të mediave sociale ka nxitur interes të gjerë rreth konceptit të frikës për humbjen e shanseve/mundësive (Fear of Missing Out-FoMO).
Imagjinoni këtë: jeni duke lundruar në rrjete sociale, dhe po shihni postimet e miqve tuaj duke shijuar pushimet, duke marrë pjesë në organizime të ndryshme, duke arritur qëllimet e tyre. Ndodh që disa nga ju, të shoqëroheni njëkohësisht me një ndjenjë të shqetësimit, të pamjaftueshmërisë, dhe të ndiheni sikur po humbni momentet më emocionuese të jetës. Pra, ndonëse mund të duket sikur FoMO është e parëndësishme, shohim se ka një ndikim të thellë në shëndetin mendor të individëve.
Przybylski dhe kolegët (2013) definuan FoMO-në si një ndjenjë frike të përhapur, se të tjerët mund të përjetojnë përvoja përmbushëse dhe shpërblyese në të cilat ne nuk jemi të përfshirë, e cila karakterizohet nga dëshira për të qëndruar vazhdimisht të kyqur me çfarë bëjnë të tjerët.
Në kontekstin social, FoMO mund të konsiderohet si nevojë për lidhje, e cila i referohet nevojës për përkatësi dhe krijim të marrëdhënieve të qëndrueshme ndërpersonale. Kështu, duke përjetuar FoMO, individët dëshirojnë të mbeten të përditësuar për rrethin e tyre social. Ndër mënyrat efikase për ta bërë këtë, janë mediat sociale, mirëpo kjo mund të çojë në përdorimin e tepërt, e madje drejt varësisë së përdorimit të mediave sociale (Przybylski et al, 2013).
Rrjedhimisht, FoMO mund të konsiderohet si një mënyrë e pashëndetshme e përdorimit të mediave sociale, për shkak se mund të rezultojë me pasoja të ndjeshme në aspektet të ndryshme jetësore dhe emocionale të individëve. Kjo gjendje e vazhdueshme e ndjekjës dhe shqetësimit lë gjurmë në shëndetin mendor, duke përfshirë vështirësi me gjumin, sfidat emocionale, shëndetin e dobësuar fizik, ankthin dhe sfida të tjera të natyrës psiko-emocionale (Gupta & Sharma, 2021).
Ndërkaq, edhe studimi i Baker et al. (2016), sjell dëshmi të forta rreth ndërlidhjes midis FoMO dhe aspekteve të ndryshme të mirëqenies mendore dhe fizike. Rezultatet e hulumtimit sugjerojnë një potencial të ulur në shëndetin fizik, emocional dhe kognitiv.
Duke u bazuar në studimet e lartëpërmendura, shohim nevojën e theksuar për të pasur kujdes në mënyrën se si përdorim teknologjinë, e sidomos kur bëhet fjalë për ndërveprimin e rrjeteve sociale në jetën tonë të përditshme.
Paradoksalisht, FoMO mund të pasojë me tërheqje sociale. Në një përpjekje të pamohueshme për të qëndruar në botën virtuale, individët mund të braktisin lidhjet reale ndërpersonale. Kjo kontribuon që këta individë të cilët përjetojnë FoMO, të hyjnë në një cikël vicioz, për shkak se po përdorin faqet e rrjeteve sociale për ta zbutur vetminë e tyre, e që në realitet ata po e përkeqësojnë atë. Pra, kur kjo ndjenjë shoqërohet me përdorimin e intensifikuar të rrjeteve sociale, mund të ndikojë në lidhjet ndërpersonale dhe të përkeqësojë ndjenjën e vetmisë tek individët.
FoMO është një koncept relativisht i ri i cili ka nevojë për vëmendjen e komunitetit. Kjo gjendje është më shumë se një ndjenjë e zakonshme e ankthit në epokën e mediave sociale. Është shumë e rëndësishme të adresohet FoMO dhe ndikimi i saj në shëndetin mendor dhe fizik, duke theksuar nevojën për të kuptuar dhe trajtuar më mirë këtë fenomen në shoqërinë tonë. Ne epokën e mediave sociale, është e rëndësishme të priorizojmë mirëqenien tonë mendore dhe të gjejmë një ekuilibër të shëndetshëm mes botës virtuale dhe asaj reale.
Autore: Genta Zejnullahu
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.