Adoleshenca thuhet se është një periudhë shumë e rëndësishme ndryshimesh psikologjike, sociale dhe biologjike për të rinjtë. Një ndikim gjatë kësaj periudhe kanë edhe rrjetet sociale, të cilat me një shkallë jashtëzakonisht të lartë të përdorimit, sigurojnë një platformë ku njerëzit mund të shkëmbejnë ide, të kërkojnë këshilla dhe të ofrojnë udhëzime (O’Reilly et al., 2018).
Gjithsesi, studimet e ndryshme kanë treguar se përdorimi i rrjeteve sociale lidhet edhe me disa pasoja negative, përfshirë këtu zvogëlimin e kontakteve direkte, ndjesinë e izolimit, dhe probleme të ndryshme të shëndetit mendor (Espinoza, 2011; Kraut et al., 1998). Në këtë linjë, teoritë sociale tregojnë se përdorimi i rrjeteve sociale ndikon në shëndetin mendor duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit, përfshirë adoleshentët, shohin, mirëmbajnë dhe ndërveprojnë me rrjetin e tyre shoqëror. Marrim shembullim e vetë-shprehjes, ku rrjetet sociale vazhdimisht inkurajojnë në shprehjen e “vetes së tyre më të mirë” nga adoleshentët, por në të njëjtën kohë, krahas saj, sjellin edhe nevojën dhe tendencën për një kontroll të tepërt të “pëlqimeve” dhe komenteve që mund t’i marrim nga të tjerët si miratim i vetes së prezantuar (Singleton et al., 2016).
Për të shtuar tutje, një nga çështjet tjera që rrjedh nga epoka dixhitale është edhe rritja e bullizmit apo ngacmimit kibernetik. Studimet mbi bullizmin kibernetik kanë identifikuar një prevalencë të lartë të kësaj dukurie. Rrjetet sociale dhe aplikacionet e tjera shërbejnë si platforma kryesore për këto sjellje të dëmshme (Hamm et al., 2015). Tendencat e klasifikuara në kuadër të bullizmit kibernetik mund të manifestohet në forma të ndryshme, duke përfshirë komente ofenduese dhe lënduese në rrjetet sociale, si dhe përhapjen e thashethemeve të dëmshme në internet. Prandaj, duke krijuar një kulturë të respektit dhe mirësisë, është e rëndësishme të thellojmë ndërgjegjësimin për këtë problem dhe të promovojmë sigurinë në internet.
Si pothuasje çdo zbulim i cili kërkon rregullim e moderim të kujdesshëm, rrjetet sociale ofrojnë edhe përfitime të mëdha për mirëqenien e adoleshentëve (O’Reilly et al., 2018). Adoleshentët kanë një sërë mënyrash se si i përdorin rrjetet sociale për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor (O’Reilly, 2020). Duke pasur parasysh se adoleshentët kanë nevojë të ndihen të lidhur, ata përdorin rrjetet sociale për të zvogëluar ndjenjën e izolimit, veçanërisht në situata kur nuk kanë mundësi për të takuar shoqërinë në mjedise të hapura. Kjo ndihmon në përmirësimin e aftësive sociale dhe ofron një platformë për komunikim të vazhdueshëm. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet roli i angazhimit social dhe mbështetjes nga shoqëria në këtë kontekst, duke pasur një ndikim shumë pozitiv në lidhjet sociale të adoleshentëve.
Përtej përfitimeve të përmendura, rrjetet sociale janë edhe një platformë shtesë për diskutime të rëndësishme rreth shëndetit mendor, veçanërisht për adoleshentët që përjetojnë sfida gjatë viteve të rëndësishme të zhvillimit. Këto biseda ofrojnë mundësi për të krijuar lidhje me të tjerët, duke ndarë përvoja të ngjashme, dhe ndihmojnë individët të gjejnë identitetin e tyre në një komunitet mbështetës dhe të pasur me diversitet (O’Reilly et al., 2018; Popat & Tarrant, 2022).
Për përfundim, mund të themi se ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mendor të adoleshentëve është një çështje e shumëanshme dhe komplekse. Është thelbësore si për prindërit ashtu edhe për adoleshentët të vendosin një ekuilibër midis përfitimeve dhe të metave të rrjeteve sociale, duke inkurajuar përdorimin e përgjegjshëm të tyre. Duke shfrytëzuar aspektet pozitive dhe duke zbutur ato negative, ne mund të hapim rrugën për një hapësirë dixhitale më të shëndetshme dhe të sigurt.
Autore: Londa Zeka
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.