Fuqia e Kreativitetit: Shërimi dhe Rimëkëmbja në Momentet e Vështira

Një ndarje, vdekja e një personi të dashur, një dështim në aspektin profesional, keqësimi i gjendjes sonë shëndetësore apo i të afërmve tanë; çfarëdo situate në jetë, ku ne humbim diçka pas së cilës kapemi fort, ku shpeshherë e krijojmë identitetin tonë në bazë të asaj që ne i japim zemrën – ndodh që ajo dashuri dhe pasion i madh mund edhe të na thyejë.

Thuhet se gjërave të bukura si dashurisë, lumturisë e gëzimit, fjalët nuk u bëjnë drejtësi. Por as dhembjes nuk i bëjnë dot. Një thyerje e zemrës – tre fjalë. Por këto tre fjalë mund t’i japin një personi vite, në mos një jetë, trishtim. Mirëpo, fatmirësisht, edhe në rrethana të tilla e kemi një “por”. “Por” është vetëm një fjalë me tri shkronja që mban shumë rëndësi. Por, në humbje ne gjejmë gjëra të tjera. Plasaritjet e thyerjes sonë ndriçojnë. Jo rrallë, ndriçimi na vjen në forma kreative. Në këngë, në art, në shkrim, në aktrim, në modë. Një thyerje na afron me fuqinë e të krijuarit dhe të bënë të mendosh se si mundet një gjendje kaq e trishtueshme e jona, një dhimbje kaq e fortë, që në momente të caktuara mund edhe të kemi thënë “nuk po mundem”, të të japë diçka në të cilën mund të gjejmë kuptim.

Perëndimi i diellit na duket prapë i bukur. Edhe lulet paskan aromë të këndshme prapë. Edhe në humbje paskemi gjetur diçka. E kjo është fuqia e kreativitetit. Përtej një studimi, përtej një nocioni, kreativiteti është shpëtim. Një nga nevojat që njerëzisht e kemi është të kuptohemi. E këtë shpesh e gjejmë në kreativitet. Të kuptohesh thellësisht, jo në atë mënyrë që kur të flasësh me dikë ata ta lëvizin kokën dhe të të thonë “po, të kuptoj se si ndihesh”, kur me ato fjalë ndihesh edhe më konfuze.

Nganjëherë, inspirimi që vjen për të krijuar diçka kreative duket sikur të jepet nga një frymë hyjnore; një moment euforik; një zgjim. Përgjatë kohës sa je në një moment krijimi, je në mes të qiellit dhe tokës. E kjo të bën të mendosh se a është me të vërtetë hyjnore apo ka ndonjë proces që shpjegohet? Me thënë të drejtën, thellë, thellë nuk dua të më prishet besimi që ka diçka magjike këtu. Ndoshta sepse, në një mënyrë, e kemi romantizuar atë njeriun kreativ.

Kur e mendojmë kreativitetin, vjen edhe pyetja se sa e jashtëzakonshme duhet të jetë mënyra e të menduarit? Sa Dostojevska mund të ekzistojnë? Këtu rikujtojmë se një artist i suksesshëm, quhet ai apo ajo që krijon, dhe kaq. Nuk është e rëndësishme nëse arti i dikujt prek një apo miliona njerëz, por është i rëndësishëm procesi i krijimit.

Nuk ka dy rrugë të njëjta për të gjetur ide kreative brenda njerëzve. Gojëdhënat dhe thashethemet që janë dhënë me vite nuk mjaftojnë dhe shpeshherë e shtrembërojnë atë se çka në të vërtetë është kreativiteti. Vullneti i punës, komuniteti përreth dhe kurioziteti hapin një burim kreativiteti, i cili na ndihmon të krijojmë pjesëza me gjithçka që dimë rreth botës dhe t’i sjellim ashtu siç shihen nga ne.


Autore: Valmira Dubova


Sqarim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet ose politikat e revistës “Psika”. Përmbajtja e dhënë në këtë artikull është menduar vetëm për qëllime informative.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë