Në vende të ndryshme të botës, raportohen raste të shumta të problemeve të shëndetit mendor në popullatë. Ky lloj trendi, sipas studimeve të bëra në shumë vende të botës, me kalimin e kohës po cilësohet të jetë në rritje e sipër.
Ngjashëm, sipas një studimi të bërë në Australi, duke shfrytëzuar të dhënat e mbledhura për 20 vite nga një anketë kombëtare, e cili përfshinte 27,572 pjesëmarrës, janë studiuar trendet në dekadat e fundit, nga ku u gjetën prova shumë të rëndësishme sa i përket përkeqësimit të shëndetit mendor midis australianëve, duke u fokusuar në dallimet në mes grupmoshave të pjesëmarrësve të anketës.
Ky përkeqësim është veçanërisht i theksuar në mesin e njerëzve të lindur në vitet 1990 dhe në një masë më të vogël në grupin e viteve 1980.
Ilustrimin e kësaj, e mundësojnë të dhënat e mbledhura nga Anketa Kombëtare e Shëndetit, nga ku raportohet se ky ritëm në rritje të çrregullimeve mendore dhe të sjelljes, raportohet të jetë rritur nga shifra 9.6% të australianëve të moshës 15 vjeç e lart në vitin 2001, në 20.1% në vitet 2017/18 dhe duke u rritur më tej në 21.4% në vitet 2020/21.
Një dëshmi e tillë e përkeqësimit të shëndetit mendor është në përputhje me të dhënat që tregojnë rritjen e përdorimit të substancave psikotropike dhe shërbimeve terapeutike brenda popullatës.
Sipas këtij studimi, ndër arsyet pas këtij trendi përfshihen faktorë të ndryshëm, që kanë prekur në mënyra të ndryshme të rinjtë, si: depërtimi dhe ndikimi i rrjeteve sociale, krizat financiare globale dhe pasiguritë e ndryshme ekonomike, pandemia COVID-19, ndryshimet klimatike, etj. Sipas këtij studimi, këta faktorë mund të kenë ndikuar shëndetin mendor të brezave të rinj, në krahasim me ato të brezave të vjetra.
Autorët e këtij studimi theksojnë më tej, nevojën për të kuptuar ndryshimet shoqërore që prekin të rinjtë për të zbutur këtë rritje. Rekomandimet e dalura nga ky studim, përqendrohen në përpjekjet e ardhshme, të cilat do duhej të fokusohen në përmirësimin e rënies së shëndetit mendor midis grupmoshave të reja dhe parandalimin e tendencave të ngjashme në këto grupe.
“Nëse dallimet aktuale midis grupeve vazhdojnë, ne presim përkeqësimin e brezave të rinj me kalimin e moshës së tyre, dhe për më tepër, gjeneratat e reja, mund të pësojnë një përkeqësim të ngjashëm ose më keq të shëndetit mendor”.
Ndër të tjera, ky studim rekomandon hulumtime të mëtejshme mbi shkaqet themelore të këtyre dallimeve në breza, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe trajtimin e rreziqeve dhe faktorëve specifikë, që po ndikojnë në shëndetin mendor të brezave të rinj.
Burimi i plotë: Botha, F., Morris, R., Butterworth, P., & Glozier, N. (2023). Generational differences in mental health trends in the twenty-first century. Proceedings of the National Academy of Sciences of the United States of America, 120(49). https://doi.org/10.1073/pnas.2303781120