Secila situatë që përjetohet është e mbushur me emocione. Ne jetojmë me to, dhe jetojmë për to. Ne jetojmë me dhimbjen e trishtimin, por jetojmë për “ta arritur” lumturinë. Emocionet janë pjesë e procesit të jetës, por edhe janë qëllimi ynë kryesor i arritjes. Andaj, jeta është emocioni. Por a janë emocionet kaq të pashpjegushme ashtu si edhe vetë jeta?
Në fakt, si për çdo dukuri tjetër, shkencëtarët kanë realizuar hulumtime për të kuptuar kur dhe pse ato ndodhin, por edhe cilat janë efektet e tyre. Autorë si Pekrun (2006) apo Frenzel dhe të tjerët (2006, 2018) i shpjegojnë emocionet duke i kategorizuar ato në taksonomi tre dimensionale: (1) pozitive dhe negative, (2) aktivizuese dhe deaktivizuese, dhe (3) që ndodhin gjatë procesit apo që ndodhin pas procesit.
Emocionet pozitive dhe negative, si të hulumtura ndër vite, janë praktikisht emocionet që konsiderohen të këndshme apo të pakëndshme për t’u përjetuar. Efektet e tyre në jetën tonë kanë më shumë kuptim kur ato shihen prej niveli të dytë të taksonomisë.
Pra, emocionet aktivizuese, që definohen si emocione që nxisin reagime të vetëdijshime (sjellje) ose të pavetëdijshme (p.sh., rrahjet e shpejta të zemrës), shpeshherë kanë efekte pozitive. Ta zëmë, lumturia si emocion pozitiv aktivizues, rezulton me efekte pozitive edhe në sfera të tjera të jetës. Por, ngjashëm, mund të ndodhë edhe me emocionet negative aktivizuese si ankthi apo frustrimi. Pra, tendenca për të rregulluar sa më shpejtë emocionet negative aktivizuese (p.sh. për tu larguar nga gjendja frustruese), me qëllim arritjen e atyre pozitive, shpesh herë sjell efekte pozitive në performancë. Rrjedhimisht, efektet e emocioneve aktivizuese ndërlidhen fuqishëm me rregullimin e tyre.
Në anën tjetër, emocionet deaktivizuese, që definohen si emcoione që nuk nxisin ndonjë lloj reagimi apo veprimi, shpesh rezultojnë me efekte negative. Për shembull, relaksimi si emocion pozitiv deaktivizues mund të ketë efekte negative në mirëqenien tonë. Pra, nëse relaksimi nuk rregullohet dhe tejzgjatet, pasojat e saj janë rezultati negativ. Në anën tjetër, emocionet negative deaktivizuese, si dëshprimi apo pashpresa, kanë kryesisht efekte negative. Kjo për shkak se ato janë shkaktarët kryesor të motivimit dhe vetëbesimit të ulët, që pastaj rezulton edhe me probleme me mirëqenien e përgjithshme të individit.
Duke pas parasysh se si funksionojnë emocionet, janë krijuar strategji dhe teknika të ndryshme të rregullimit emocional. Pra, arsyet pse ndodhin emocionet mund të jenë të ndryshme, dhe ashtu mund të jenë edhe efektet e tyre. Varësisht emcoionit dhe rregullimit të tij, rezultati mund të ndryshoj. Të qenit më të vetëdijshëm për emocionet që i përjetojmë është parakushti i rregullimit të tyre. Për strategjitë rregulluese, do të flasim në një artikull tjetër të Psikës.
P.S. Për të kuptuar nivelin e tretë të taksonomisë, lexoni edhe njëherë paragrafin e parë!
Autor: Arian Musliu