Mësimdhënësit shpenzojnë shumicën e kohës së tyre në klasë. Megjithatë, ata gjithashtu kalojnë kohë duke përgatitur mësimet e tyre, detyrat dhe provimet. Kjo kohë e lidhur me punën mund të ndikojë në mirëqenien e tyre dhe të shkaktojë probleme të lidhura me stresin ose ankthin, të cilat, në të njëjtën kohë, mund të çojnë në djegie profesionale (Bakker & Schaufeli, 2000; Chang, 2009; Evers et al., 2004). Në këtë drejtim mund të shfaqen edhe probleme emocionale, të cilat mund të ndikojnë në punën e tyre dhe në marrëdhënien në mes të mësimdhënësit dhe nxënësit. Me fjalë të tjera, nëse mësimdhënësit janë emocionalisht të lidhur me nxënësit e tyre, dhe nxënësit shfaqin sjellje të shqetësuese – që në të njëjtën kohë kërcënojnë arritjen e qëllimeve të mësimdhënësve – kjo mund të ndikojë shumë në përjetimet e përditshme emocionale të mësimdhënësve (Chang, 2009). Prandaj, Sutton (2005) zbuloi se përvojat emocionale dhe shprehja emocionale e mësimdhënësve në klasë ndikojnë në efikasitetin e mësimit. Sipas mendimeve të mësimdhënësve, të cilat janë të rëndësishme në këtë çështje, Sutton (2005) zbuloi se pothuajse të gjithë mësimdhënësit besonin se shprehja e emocioneve pozitive mund të ndihmojë në procesin mësimor. Për më tepër, Sutton dhe Wheatley (2003) thanë se emocionet dhe shprehja e tyre nuk janë relevante vetëm për mësimin dhe nxënësit, por edhe për mirëqenien e mësimdhënësve.
Mënyra se si mësimdhënësit përjetojnë emocionet gjatë procesit të mësimit dhe mësimdhënies ndikon në qasjen dhe efikasitetin e tyre në mësim. Për shembull, nëse mësimdhënësit përjetojnë emocione pozitive si krenari ose kënaqësi, metodat e tyre janë më të përqendruara në nxënës. Kjo do të thotë se ata eksplorojnë më shumë potencialin e nxënësve të tyre. Përkundrazi, nëse mësimdhënësit përjetojnë emocione negative si turp, ankth, ose trishtim, metodat e tyre janë më të përqendruara në vetë mësimdhënësin. Ata kanë tendencë të qëndrojnë në pjesën e sigurt, egocentrik, dhe të transmetojnë dijen e tyre sa më drejtpërdrejt. Megjithatë, ka një mungesë studimesh empirike që fokusohen në emocionet e mësimdhënësve, dhe deri më tani, dihet vetëm çfarë ndikon në të vërtetë në përvojat emocionale të mësimdhënësve në klasë (Frenzel et al., 2009). Në këtë drejtim, këto efekte zakonisht janë të ndikuara ose moderuara nga faktorë të tjerë të lidhur me arritjen (Taxer, & Frenzel, 2019). Për më tepër, emocionet e mësimdhënësve gjatë procesit të tyre mësimor mund të ndikojnë në aktivitetet e tyre jashtë klasës dhe në mirëqenien e tyre. Prandaj, mësimdhënësit zhvillojnë dhe përdorin strategji për regulimin e emocioneve.
Këto strategji, në veçanti shtypja dhe rivlerësimi (shihni Gross, 2002), ndikojnë në efektin e kërkesave emocionale të punës dhe në shpërndarjen emocionale të mësimdhënësve në punë. Efekti i strategjive shtypëse është i lidhur negativisht me kënaqësinë në punë. Gjersa, efekti i strategjive të rivlerësimit është i lidhur pozitivisht me kënaqësinë në punë (Yin et al., 2016). Kështu, strategjitë e rivlerësimit tregohen më efektive. Për më tepër, strategjitë e shtypjes, të lidhura me emocionet negative, mund të jenë destruktive për mësuesit (Rowe & Fitness, 2018). Shtypja dhe rivlerësimi janë gjithashtu të varura nga vlerësimi i mësimdhënësve mbi sjelljen e nxënësve. Kjo do të thotë se mësuesit shprehin emocionet e tyre, i rregullojnë ose i shtypin ato, bazuar në orientimet e qëllimit të nxënësve. Prandaj, emocionet e mësimdhënësve ndikojnë në motivimin dhe stimulimin kognitiv të mësimdhënësve, të cilat, në të njëjtën kohë, ndikojnë në rezultatet dhe sjelljen e nxënësve (Becker et al., 2015). Kjo tregon për dëshminë empirike se si emocionet përjetohen në klasë permes proceseve të përmendura më lart.
Për të hulumtuar më tej këtë, Frenzel et al. (2009) hulumtuan transmetimin e emocioneve në klasë. Nga studimi i tyre longitudinal, ata zbuluan se emocionet pozitive të mësimdhënësve, si kënaqësia, mund të transmetohen tek nxënësit. Raportet e mësimdhënësve dhe nxënësve mbi kënaqësinë ishin të lidhura pozitivisht, edhe pasi kontrolluan për kënaqësinë e nxënësve në vitin e kaluar akademik. Megjithatë, ky efekt nuk ishte i drejtpërdrejtë. Efekti ishte i ndërmjetësuar nga entuziazmi i shfaqur nga mësimdhënësit. Në përgjithësi, kjo është një dëshmi e fortë që emocionet e mësimdhënësve dhe nxënësve janë ngushtë të ndërlidhura. Megjithatë, duke ditur që emocionet e lidhura me arritjen kanë rezultate të ndryshme (Muis et al., 2015; Pekrun et al., 2002a; Pekrun et al., 2002b; Pekrun et al., 2011), ne nuk mund t’i përgjithësojmë këto zbulime. Në kërkimin për të eksploruar mënyrën se si emocionet e mësimdhënësve dhe nxënësve janë të ndërlidhura, Becker et al. (2014) kryen një studim individual duke përdorur pyetje të drejtpërdrejta për të matur tre emocione: kënaqësinë, zemërimi dhe ankthi. Ngjashëm si Frenzel dhe kolegët (2009), ata zbuluan se emocionet e perceptuara të mësimdhënësve dhe nxënësve janë të ndërlidhura. Për më tepër, rezultatet mesatare të përceptimeve të këtyre emocioneve ndryshonin në përputhje me fushën tematike (për shembull, nxënësit përjetojnë më shumë zemërim në matematikë). Megjithatë, efekti i marrëdhënieve në mes të emocioneve të perceptuara të mësimdhënësve dhe emocioneve të përceptuara të nxënësve ishte i ngjashëm (Becker et al. 2014). Duke konkluduar kështu se emocionet që mësimdhënësit sjellin në klasë kanë efekte të rëndësishme në emocionet e nxënësve të tyre.
Autor: Arian Musliu
…
Ky artikull është pjesë e botimit digjital “Rinia në Mendje”. Për ta eksploruar botimin e plotë dhe bibliografinë e shkrimeve, klikoni këtu.