Depresioni, ankthi dhe distresi psikologjik janë gjendje të shëndetit mendor që prekin miliona njerëz në mbarë botën. Ndërsa farmakoterapia dhe psikoterapia mbeten gurthemeli i trajtimit për këto gjendje, aktiviteti fizik është njohur gjithnjë e më shumë si një ndërhyrje efektive dhe plotësuese. Një rishikim ombrellë i realizuar së fundmi u mundua të sintetizojë provat mbi efektet e aktivitetit fizik në simptomat e depresionit, ankthit dhe distresit psikologjik në grupmoshat e rritura.
Në këtë studim janë përfshirë rishikime sistematike me meta-analiza, të cilat mbuluan gjithsej 1039 prova të kontrolluara të rastësishme (RCT) dhe 128,119 pjesëmarrës. Rishikimet shqyrtuan efektet e ndërhyrjeve të aktivitetit fizik në një gamë të gjerë popullatash, duke përfshirë të rriturit e shëndetshëm, njerëzit me çrregullime të shëndetit mendor dhe ata me sëmundje kronike.
Pavarësisht cilësisë së ulët të provave, rezultatet e këtij rishikimi sugjerojnë se aktiviteti fizik ka efekte mesatare në simptomat e depresionit, ankthit dhe distresit psikologjik në krahasim me kujdesin e zakonshëm në të gjitha popullatat. Madhësia mesatare e efektit për depresionin ishte -0.43, për ankthin ishte -0.42 dhe për distresin psikologjik ishte -0.60. Përfitimet më të mëdha u vunë re te njerëzit me depresion, HIV dhe sëmundje të veshkave, gratë shtatzëna dhe individët pa ndonjë diagnozë specifike. Për më tepër, aktiviteti fizik me intensitet më të lartë u shoqërua me përmirësime më të mëdha të simptomave.
Në krahasim me të gjeturat e rishikimeve të mëpashme sistematike, autorët e këtij studimi tregojnë se ushtrimi fizik është rreth 1.5 herë më efektiv se sa mjekimi ose terapia njohëse e sjelljes.
Megjithatë, efektiviteti i ndërhyrjeve të aktivitetit fizik u zvogëlua me ndërhyrjet të cilat kishin një kohëzgjatje më të lartë. Kjo sugjeron që aderimi në ndërhyrjeve të aktivitetit fizik mund të jetë sfidues për disa individë, veçanërisht ata me sëmundje kronike dhe çrregullime të shëndetit mendor.
Autorët arrijnë në përfundimin se aktiviteti fizik duhet të jetë në grupin e qasjeve kryesore në menaxhimin e depresionit, ankthit dhe distresit psikologjik. Ndërsa cilësia e provave është e ulët, gjetjet e qëndrueshme nëpër studime të shumta sugjerojnë se aktiviteti fizik mund të luajë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e rezultateve të shëndetit mendor në një gamë të gjerë popullatash. Ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet ta konsiderojnë përfshirjen e ndërhyrjeve të aktivitetit fizik në planin e trajtimit për pacientët me depresion, ankth dhe distresin psikologjik, duke promovuar gjithashtu adoptimin e sjelljeve të shëndetshme të jetesës.
Studimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.