Ditarët e luftës së brendshme (Rrëfim personal)

Paralajmërim: Ky artikull përmban diskutime të sfidave personale me mendime për vetëvrasje dhe shëndetin mendor. Nëse ju ose dikush që ju njihni ka nevojë për ndihmë të menjëhershme, ju lutemi kontaktoni linjën telefonike për parandalim të vetëvrasjes ose një profesionist/e të shëndetit mendor.

“Vetëvrasja është zgjidhja e përhershme për probleme të përkohshme.”

Këto janë fjalët e Robin Williams, njëri ndër personat më të hareshëm në film, që ka bërë të qeshin miliona njerëz me skeçet e monologët e tij. Janë fjalët e një personi që ka vdekur nga vetëvrasja.

Janar, 202x

Nuk ka pasur diell sot, falë Zotit… bora akoma mbulon tokën anembanë dhe pos trungjeve të pemëve e mureve të shtëpive nuk ka ngjyrë tjetër pos bardhësisë… në distancë janë disa trupa misri të mbetur nga vjeshta, nga dikush që, sikur unë, nuk ka pasur energjinë të kryente detyrat vjeshtore me sukses… disa shkurre në breg dhe, tashti, qentë që kthehen nga shëtitja mbi shkurre… nuk kam energjinë as t’i thërras më…

Më qahet nga lodhja… lodhja e shpirtit… nuk di edhe sa herë mund të mbledh forcën e t’i bëj ballë jetës, dhimbjes… përsëri është faji im që jap më shumë se që duhet, se që meritojnë…

Ndiej sikur nuk kam vend në këtë univers, në këtë botë, në këtë jetë… ndoshta është koha që të ndaloj gjithçka, sepse nuk mund të gjej energjinë që nesër të bëj të njëjtën rutinë… energjinë që të jetojë, të ngrihem nga shtrati… ndoshta më mirë të rri këtu.

Shpresoj të bie borë… së paku të jetë ashtu siç e kam përfytyruar gjithmonë, me një pamje që do të më pushojë zemrën dhe trurin… pushim e rehati që nuk gjetën kurrë në këtë botë…

Atë natë, borë nuk ra…

Të nesërmen bëra të njëjtën rutinë, tash më i inspiruar për jetë. Jo që ndodhi diçka e rëndësishme, por disi dje kisha arritur skajin e poshtëm. Sot jam një pëllëmbë mbi fundin. Merr kohë ky rikuperim dhe nuk di sa do të rikuperohem, por…

E di që nuk jam i vetëm në këtë botë, me këto probleme – një introvert që nuk mund të gjej veten në shoqëri, kryesisht për shkak të keqkuptimeve, si në shoqëri, si në dashuri, si në rrethin e ngushtë familjar… mbetem si devijim, dele e zezë, ‘veç dynjasë’… në shoqëritë që priren të margjinalizojnë ata që nuk konformohen… qofshin ato ekstroverte apo fashiste.

Ashiqare ky nuk ishte problemi i vetëm që kisha.

Por ishte burimi i të gjitha problemeve që më bënin të ndjeja veten të tepërt në botë, në jetë, në rrethinë.


Tetor 201x

Ditët janë të shkurtra. Për mua edhe më të shkurtra. Nuk mund të fle natën, e fle kur të gjithë zgjohen. Po agjëroj, pasi më bie të jem vetëm një orë pa bukë. Kam filluar edhe të praktikoj më shumë fenë. Rruga e Zotit më ka mbetur si opsion i vetëm të dalë nga kjo gjendje!

Nuk shoh asgjë para, asnjë perspektivë. Nuk mund të flas me miqtë e familjen, sepse disa më thonë ‘ka edhe më keq’, disa nuk më kuptojnë, disa ma bëjnë bajat, e një pjesë e vogël bëhen merak.

Jam i humbur në shoqëri. Dhe do të ndërroja lokacion, do të zhvendosesha, sepse nuk më mban gjë lidhur me këtë vend, por kudo që shko,j veten e kam me vete, këtë tru, këtë zemër, këtë mendje.

Nuk planifikoj t’ia marr vetes jetën me ndonjë veprim drastik. Nuk jam aq i zoti. Por po shuhem dalëngadalë, ditë pas dite… apo, më mirë të them, natë pas nate.

Ajo rutinë do të vazhdonte edhe për nja një kohë, krejt si pasojë e ‘burnout’-it shumëvjeçar, duke qenë periudha e dytë më e zymtë në jetën time. Rutina do të rregullohej, por do të fillonte periudha më e zymtë, lufta më e rëndë që veçse do të rëndohej. Dhe në krejt atë rëndesë, një formë e “vetë-shkatërrimit’ të ngadalshëm ishte në mocion. Po e shpërbëja veten emocionalisht, në mënyrë indirekte, pa tentuar të lëndoja veten qëllimisht. Po e shpërbëja shpirtin, zemrën, mendjen… po i shkatërroja pak nga pak që ta arrija fundin.

Vite më vonë do të kërkoja ndihmë profesionale e cila më ktheu në jetë, më ktheu shpresën, më dha një perspektivë për jetën.

Prandaj, që nga atëherë, pos ndihmës profesionale dhe mjekësore, fillova edhe një mënyrë tjetër të shërimit – duke shkruar e diskutuar për shëndetin mendor, e vetëm pas viteve shtesë gjeta fuqinë të shkruaja edhe për dukuri të rëndësishme si vetëvrasja.


Shkurt 202x

Kësaj radhe vërtet mendoj që isha afër… pas verës së kaluar kisha një periudhë të mirë adaptimi me vetveten, pranimin përfundimtar se çfarë jam, jetën time dhe që, më në fund, dikush do të dojë këtë që jam. Por, edhe kjo shkoi me erën, derisa 20 muajt e fundit kanë qenë një luftë konstante me shoqërinë, familje e miq të zemrës, në tentim për të gjetur racionalen në atë që ata nuk shohin racionalen.

Është një luftë konstante nga e cila jam lodhur dhe të cilën e kam dorëzuar vite më parë. Por kur edhe ata që i ke për zemër fillojnë të shohin si barrë, si jashtë binarëve, kur fillon të ndihesh sikur nuk je më i nevojshëm, i dashur, i aftë për t’u dashur edhe nga njerëzit që mendon se të duan, atëherë ku është qëllimi i gjithë kësaj…

Prapë ka borë, si dy vite më parë dhe sonte do të reshë borë… për disa ditë jam vetëm… është mënyra më e mirë për të mbyllur shumëçka… në paqe, por kësaj radhe pa i lënë gjë në dorë fatit… hë, fatit që gjithmonë sikur ma ka kthyer shpinën.

Në dënesje shpirtërore, sepse lotët nuk dalin kur bëhesh i ngurtë me vite, si gjithmonë me zhurmë nga talk-show në YouTube, më kishte zënë gjumi. Gjëra që më bënin të qeshja tash i shihja pa asnjë emocion. As edhe një buzëqeshje. Thjesht, një nostalgji për ato kohë kur qeshja, kur isha i lumtur, kur bota ishte një vend i “jetueshëm”!

Të nesërmen, i zhgënjyer edhe më shumë me vetveten, që nuk po gjej fuqinë të vazhdojë tutje, refuzova t’i kthehesha jetës. Jetoja, por sikur në depresionin e para shtatë viteve, vetëm merrja frymë!

Në mbrëmje mblodha veten, rikuperova gjithçka që duhej të bëja atë ditë, me zhgënjimin më të thellë në vite, vazhdova të bëja atë që bëj më së miri – të jem në shërbim të shoqërisë, ose më saktë, atyre që ndihen sikur unë.

Dhe çka na bën të ndihemi kështu?

Çka na bën të dukemi se nuk jemi pjesë e shoqërisë, devijim, humbje oksigjeni?! Shoqëria…

Në rastin tim, të jesh introvert që preferon një jetë të qetë, pa shumë njerëz e potere, ka qenë një krim si për familjen e gjerë, ashtu edhe për miqtë. Është gënjeshtër që introvertët nuk duan njerëzit. I duan, edhe atë më shumë se ekstrovertët – të cilët kanë nevojë për njerëz. Veçse nuk mund të jemi gjithmonë aty.

I shto kësaj edhe një nga problemet kryesore në shoqëri – çrregullimin e ankthit e episode depresioni ndër vite, edhe je i përjashtuar nga shoqëria. Jo direkt, je i vetëpërjashtuar.

Kur e di që njerëzit të shohin si barrë, si diçka që ‘e prish qejfin e krejt shoqërisë’ me shkrimet e tua ‘negative’, si këto për shembull, atëherë largohesh, mbyllesh, izolohesh. Shtyn tutje të gjithë ata që i ke afër me idenë që të mos i lëndosh!

Atëherë, pse nuk kam ndërmarrë hapa më drastikë deri më sot?

Shkrimet që kam bërë, njerëzit të cilët kanë ndarë dhimbjen me mua, virtualisht, pas atyre shkrimeve, më kanë dëftuar se sa ndikim pozitiv kanë pasur tek ata, qoftë edhe për një moment.

Ideja që ka njerëz që mund të gjejnë këto rrëfime në internet dhe në fund të gjejnë një grimë force për të luftuar, për t’u mbajtur në jetë, më ka mbajtur gjallë për një kohë të gjatë.

Nganjëherë kam hequr dorë nga shkrimet, që të mos bëhem ai që “prish atmosferën”, sepse njerëzit kanë qasje të ndryshme në lidhje me shëndetin mendor e temat që ndërlidhen. Edhe më keq, shumica nuk dinë si të qasen.

Kur u kam folur njerëzve për depresionin, ka pasur nga ata që më kanë ‘udhëzuar’ për metoda fetare; ata që më kanë thënë që është ‘konspiracion’ dhe vetëm mendim i keq që mund të largohet, të harroj e të mos mendoj për këtë; e edhe ata që më kanë ofruar përkrahje financiare, pa qenë nevoja fare.

Ndihma profesionale është gjithmonë zgjidhje, ndonëse jo secili ndihmës profesional mund të jetë i duhuri për problemin dhe nevojat tuaja.

Edhe ideja që ankthi e depresioni janë probleme që të prekin vetëm një herë dhe kalojnë, sikur fruthi a ndonjë thyerje krahu, dëmton procesin e shërimit. Më mirë t’i shohim si grip që mund të rishfaqen, por varësisht sa kujdesemi për veten paraprakisht, aq na mundojnë.

E kujdesi për veten është pranimi i kësaj si pjesë e përvojës njerëzore, kërkimi i ndihmës dhe kujdesi mendor. Për vete, kam ngushtuar rrethin, kam vënë limitet dhe kam pranuar që disa gjëra nuk janë të mira për shëndetin tim mendor dhe karakterin introvert. Nëse nuk u pëlqejnë njerëzve, është problem i tyre. Dikujt do t’i duken të pranueshme e, ndoshta, edhe do t’i pëlqejë introvertizmi e qasja ndaj shëndetit mendor. Vetëm për këta kam hapësirë e kohë më. të tjerët i toleroj deri në një kufi.

Edhe këto tri raste që i përmenda lart, nuk janë të vetmet kur kam pasur mendime për vetëvrasje. Fatmirësisht, gjithmonë kanë mbetur vetëm mendime, pa marrë ndonjë hap për të lënduar veten.

Mendimet për vetëvrasje nuk janë aq të shpeshta sikur mendimet si ‘ndoshta më mirë të mos  isha’, ose ‘sikur të vdisja’. Besoj që shumica mendojnë njëjtë e disa edhe shkruajnë një tweet ose post. Shprehja dhe diskutimi, mendoj që është më mirë se sa heshtja.

Problemet që në kokë na duken si të pakapërcyeshme, kur i flasim e i shkruajmë, shpesh pakësohen. Prandaj, le të flasim për shëndetin mendor!

Autor: Luan Morina

Shënim nga redaksia: Ne dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për Luan Morininë për ndarjen e udhëtimit të tij personal me sfidat e shëndetit mendor me ne. Guximi për t’u hapur në lidhje me sfidat e shëndetit mendor është një dëshmi e formave të ndikimit të pazëvendësueshëm që mund ta marr dëshira për të ndihmuar të tjerët. Shpresojmë që ky rrëfim të shërbejë si burim frymëzimi dhe mbështetjeje për ata që mund të përballen me sfida të ngjashme. Si përfundim, për t’jua rikujtuar, ju nuk jeni vetëm. Nëse ju ose dikush që ju njihni ka mendime për vetëvrasje, telefononi në qendrën telefonike për parandalim të vetëvrasjes, në numrin 0800 12345 (pa pagesë), çdo ditë nga ora 14:00 deri në orën 02:00 pas mesnate.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë