Si një ndër çrregullimet e cila hyn në kategorinë e Spektrit të Skizofrenisë dhe Çrregullimeve tjera Psikotike, sipas Manualit Diagnostik DSM-V-TR, skizofrenia karakterizohet si çrregullim mendor i cili ndërhyn në aftësitë e një personi për të menduar, për të menaxhuar emocionet, për të marrë vendime dhe për t’u lidhur me të tjerët. Megjithëse rrjedha e skizofrenisë ndryshon midis individëve, skizofrenia është zakonisht e vazhdueshme dhe në disa raste mund të jetë e rëndë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), skizofrenia prek afërsisht 24 milionë njerëz ose 1 në 300 njerëz (0.32%) në mbarë botën.
Skizofrenia karakterizohet nga ndryshime signifikante në sjellje dhe në mënyrën se si perceptohet realiteti. Sipas literaturës, simptomatologjia e këtij çrregullimi, ndahet në tre kategori:
Simptomat pozitive – ku përfshihen:
- Halucinacione: kur një person sheh, dëgjon, nuhat, shijon ose ndjen gjëra që në të vërtetë nuk janë aty.
- Deluzione: Kur një person ka besime të forta që nuk janë në përputhje me realitetin.
- Çrregullime në të menduar: Kur një person ka mënyra të të menduarit që janë të pazakonta ose pa ndonjë rrjedhë logjike. Këtu përfshihen problemet në organizimin e mendimeve dhe të folurit. Në disa raste, këtu mund të përfshihen edhe ndalesat gjatë të folurit në mes të një mendimi, kapërcimi nga temë në temën tjetër ose krijimi i fjalëve që nuk kanë kuptim.
- Çrregullime në lëvizje: Kur një person shfaq lëvizje jo-tipike të trupit. Në disa raste këtu mund të përfshihen edhe disa lëvizje përsëritëse.
Simptomat negative – ku përfshihen: humbja e motivimit, humbja e interesit ose kënaqësisë së aktiviteteve të përditshme, tërheqja nga jeta shoqërore, vështirësi në shfaqjen e emocioneve dhe vështirësi në funksionimin tipik.
Simptomat kognitive – ku përfshihen: probleme në vëmendje, përqendrim dhe kujtesë. Këto simptoma mund ta bëjnë të vështirë ndjekjen e një bisede, mësimin e gjërave të reja, kujtimin e gjërave të caktuara, etj.
Në raste ekstreme, një person mund të ndalojë së lëvizuri ose të flasë për një kohë, që rezulton nga një gjendje e rrallë, e quajtur katatonia.
Shkaqet e sakta të skizofrenisë nuk dihen, mirëpo sipas burimeve hulumtimet sugjerojnë se një kombinim i faktorëve fizikë, gjenetikë, psikologjikë dhe mjedisorë, mund të bëjë që një person të zhvillojë këtë gjendje.
Sa i përket trajtimit, skizofrenia zakonisht trajtohet me anë të trajtimit farmakologjik dhe me anë të një psikoterapie të përshtatshme për secilin individ, i/e cili/a mund të jetë duke u përballur me këtë gjendje.
Shërbimet e ndihmës në Kosovë: www.revistapsika.com/sherbimet-e-ndihmes