Çrregullimet bipolare, çrregullime të cilat karakterizohen me ndryshime të disponimit, energjisë dhe ndryshimeve funksionale të një individi, prekin miliona njerëz në mbarë botën.
Ndryshimet e humorit, të njohura ndryshe si episode, përfshijnë periudha euforie ose nervozizmi të shtuar, si dhe trishtim të thellë, që zakonisht zgjatë nga disa ditë në disa javë. Megjithëse individët e diagnostikuar me çrregullim bipolar mund të përjetojnë periudha stabiliteti, këto episode mund të ndikojnë dukshëm jetën dhe marrëdhëniet e përditshme të tyre. Ndërsa shkaqet e sakta janë të paqarta, gjenetika dhe faktorët mjedisorë si stresi dhe përdorimi i substancave mund të shkaktojnë episode karakteristike për këto çrregullimeve, të cilat zakonisht fillojnë të paraqiten rreth moshës 25 vjeç.
Ekzistojnë tri lloje kryesore të diagnozës në kategorinë e çrregullimit biploar, të cilat janë: bipolar I, bipolar II dhe çrregullim ciklotimik.
Në çrregullimin bipolar I, individët përjetojnë episode manike që zgjasin të paktën një javë ose që janë mjaftueshëm të rënda për të kërkuar ndihmën e menjëhershme profesionale. Këto episode shpesh pasohen nga episode depresive, megjithëse periudhat e humorit relativisht të qëndrueshëm mund të ndodhin gjithashtu me ndërprerje. Ky çrregullim shpesh gjendet me gjendje të tjera të shëndetit mendor dhe individët me këtë çrregullim janë në rrezik më të lartë për vetëvrasje në krahasim me popullatën e përgjithshme.
Çrregullimi bipolar II karakterizohet nga një model episodesh depresive të ndërthurura me episode hipomanike, të cilat janë më pak të rënda se episodet manike të plota.
Çrregullimi ciklotimik, në anën tjetër, përfshin luhatje kronike të humorit, me periudha të shumta të simptomave hipomanike të alternuara me simptoma depresive në një hark kohor prej të paktën dy vjetësh, pa përmbushur kriteret për një episod të madh depresiv, manik ose hipomanik.
Strategjitë e trajtimit dhe menaxhimit për tre diagnozat kryesore të çrregullimit bipolar – çrregullimi bipolar I, çrregullimi bipolar II dhe çrregullimi ciklotimik – zakonisht përfshijnë një kombinim të ilaçeve, psikoterapisë, rregullimeve të stilit të jetesës dhe mbështetjes.
Gjithsesi, individët e diagnostikuar me çrregullim bipolar duhet të bashkëpunojnë ngushtë me ofruesit e kujdesit shëndetësor për të krijuar një strategji trajtimi të personalizuar që adreson nevojat dhe preferencat e tyre unike. Gjithashtu, mund të jetë i nevojshëm një monitorim i rregullt në planin e trajtimit për të menaxhuar në mënyrë efektive simptomat dhe për të përmirësuar mirëqenien e përgjithshme.
Nëse ju ose dikush që njihni është duke përjetuar sfidat e çrregullimit bipolar, mos hezitoni të kërkoni mbështetje dhe udhëzime nga profesionistë të kualifikuar: www.revistapsika.com/sherbimet-e-ndihmes .