Efekti i Placebo: Fuqia e Mendjes mbi Trupin

A keni ndëgjuar ndonjëherë për efektin placebo. Ai është një nga fenomenet më interesante dhe misterioze në psikologji. Placebo ndodhë kur një person përmirësohet ose ndjehet më mirë, fizikisht apo psikologjikisht, edhe kur trajtimi që merr nuk ka asnjë vlerë terapeutike, por personi beson se do të funksionojë. E çuditshme, por për ta kuptuar më mirë imagjinoni këtë: ju jepet një pilulë që ju thonë se do t’ju ndihmojë për të kaluar një dhimbje të fortë koke. Pas pak minutash, ju ndiheni më mire, keni më shumë energji dhe dhimbja është zbehur. Por, në të vërtetë, pilula që ju morët ishte thjesht një tabletë sheqeri, pa asnjë substancë aktive. Pak a shumë një karamele. Por që ju besuat se ishtë një pilulë kundër dhimbjes dhe ajo ju “shëroj”. Kjo është fuqia e placebo-së.

Si shfaqet efekti i placebo-së?

Shumë studiues besojnë se placebo ndodh për shkak të besimit dhe pritshmërive të individit. Kur njerëzit besojnë se po marrin një ilaç që do t’i bëjë mirë, truri i tyre “aktivizon” mekanizma të brendshëm të shërimit si rritja e nivelit të substancave kimike që ndihmojnë në menaxhimin e dhimbjes, siç janë endorfinat. Disa studime kanë treguar se placebo mund të aktivizojë sisteme të trurit që janë të ngjashme me ato që aktivizohen nga ilaçet reale. Pra, truri juaj është një “mjeshtër i magjisë” që mund të ndihmojë trupin të shërohet përmes besimit.

Studime dhe eksperimente

Një nga eksperimentet më të famshme që tregon fuqinë e placebo-s është studimi i bërë mbi ilaçet kundër dhimbjen. Disa pacientëve iu dha një “ilaç” që në të vërtetë ishte vetëm një tableta e paster pa ndonjë substancë aktive. Megjithatë, ata raportuan se ndiheshin më mirë, madje disa mjekë të pranishëm besuan se ilaçi kishte vepruar në mënyrë të efektshme, edhe pse nuk kishte asnjë substancë që mund të kishte shkaktuar përmirësimin.

Një tjetër studim i famshëm u realizua për trajtimin e depresionit, ku disa pacientëve iu dhanë pilula placebo dhe ata përjetuan përmirësim të gjendjes shpirtërore, për shkak të besimit të tyre se po merrnin një ilaç që do të ndihmonte.

Çfarë përdorimi ka Placebo?

Placebo është një fushë e rëndësishme studimi, pasi tregon rëndësinë e pritshmërisë dhe besimit të pacientëve në procesin e shërimit. Mjekët shpesh përdorin efekte placebo për të vlerësuar efektivitetin e trajtimeve të reja në studimet klinike, dhe ndonjëherë përdoren për të ndihmuar pacientët të menaxhojnë simptomat që nuk kanë një trajtim të drejtpërdrejtë të njohur. Për shembull, një mjek mund t’u japë pacientëve pilula placebo në trajtimin e dhimbjeve kronike kur nuk ka mundësi të tjera.

Përfundimi: fuqia që keni në mendjen tuaj

Efekti i placebo-së është një dëshmi e fuqisë së mendjes mbi trupin. Është një shembull i jashtëzakonshëm i asaj se si besimi dhe pritshmërit mund të ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Duke na bërë të kuptojmë se se mendimet dhe besimet që kemi mund të ndikojnë më shumë se ç’mund të mendojmë në shëndetin tonë. Prandaj, herën tjetër që ndiheni të lodhur ose keni dhimbje, ndoshta mund të filloni të mendoni se truri juaj mund të jetë mjeti më i fuqishëm për t’ju ndihmuar. Mos harroni, përtej çdo ilaçi, fuqia më e madhe mund të jetë mendja juaj.

Autor: Erestinë Uka

Burimet:

Niazi, S. K. (2024). Placebo effects: Neurological mechanisms inducing physiological, organic, and belief responses—A prospective analysis. Healthcare, 12(22), 2314. https://doi.org/10.3390/healthcare12222314

Munnangi, S., Sundjaja, J. H., Singh, K., Dua, A., & Angus, L. D. (2024). Placebo effect. In StatPearls. StatPearls Publishing. Retrieved from https://www.ncbi.nlm.nih.gov/books/NBK513296/

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm