
Belbëzimi është një çrregullim neurologjik që ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit dhe shpesh shoqërohet me sfida emocionale dhe psikologjike (American Speech-Language-Hearing Association, n.d.)
Daniel ka përjetuar këtë gjendje që nga fëmijëria, duke u përballur me sfida të shumta si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale (Beyond Blue, n.d.).
Gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, Daniel përjetoi eksperienca bullizmi për shkak të belbëzimit, e cila ndikoi në uljen e vetëbesimit dhe kontribuoi në tërheqjen e tij nga ambientet sociale. Ai tregon se për një vit të tërë nuk komunikonte me të tjerët, duke u përpjekur të shmangte turpin dhe gjykimin e të tjerëve (Beyond Blue, n.d.). Për të, belbëzimi nuk ishte thjesht një pengesë në të folur, por edhe një ngarkesë e rëndë emocionale.
Një aspekt i veçantë i përvojës së Danielit është se ai duhet të përqendrohet në mënyrë të vetëdijshme në frymëmarrje për të artikuluar fjalët, diçka që për shumicën e njerëzve është një proces automatik (Beyond Blue, n.d.). Kjo i krijoi ndjesinë e të qenurit ndryshe nga të tjerët dhe ndikoi në perceptimin që kishte për veten në shoqëri. Ndryshe nga ata që komunikojnë pa u munduar, ai duhej të bënte një përpjekje të shtuar për të thënë çdo fjalë.
Momenti më i vështirë i jetës së tij ishte 21 qershori i vitit 2016, kur kishte vendosur që ajo të ishte dita e fundit e jetës së tij. Pas diagnostikimit me ankth dhe depresion, ai filloi të merrte medikamente dhe të ndiqte Terapinë Kognitive të Sjelljes (CBT). Kjo terapi i ofroi mundësinë të kuptonte thelbin e shkaktarëve të ndjenjave të tij dhe të mësonte teknika për t’u përballur me to. Ajo e ndihmoi të analizonte dhe të ndryshonte mënyrën se si perceptonte situatat dhe emocionet, duke i mundësuar zhvillimin e aftësive për të menaxhuar më mirë shëndetin mendor. (Beyond Blue, n.d.)
Pavarësisht sfidave, Danieli gjeti mbështetje te nëna dhe partnerja e tij, të cilat e inkurajuan të kërkonte ndihmë profesionale. Kjo mbështetje e ndihmoi atë të pranonte belbëzimin si një pjesë të identitetit të tij dhe ta shihte jo si një barrierë, por si një karakteristikë që mund të menaxhohet (Beyond Blue, n.d.).
Sot, Daniel është një figurë e fuqishme në komunitetin e tij, duke ndarë përvojën e tij për të frymëzuar të tjerët që përballen me sfida të ngjashme. Ai thekson rëndësinë e pranimit të vetvetes dhe kërkimit të ndihmës kur është e nevojshme. Historia e tij tregon se, pavarësisht vështirësive të shumta, është e mundur të kalosh nga një periudhë izolimi dhe heshtjeje në një periudhë të angazhimit dhe aktivizmit (Beyond Blue, n.d.).
Një rrëfim tjeter personal, autori përshkruan përvojën e tij me belbëzimin dhe rrugën e tij drejt rrjedhshmërisë në të folur. Ai e trajton belbëzimin jo vetëm si një çështje mekanik të të folurit, por si një stil jetese të formuar nga zakone mendore të gabuara që ndikojnë në mënyrën e komunikimit. Në vend që të luftonte drejtpërdrejt belbëzimin, ai vendosi të ndryshonte këto zakone mendore, duke e lënë belbëzimin të “zhdukej” natyrshëm. Autori citon teorinë e Malcomb Fraser, i cili thekson se belbëzimi shpesh është pasojë e frikës së individit nga bllokimi dhe përpjekjes për të komunikuar në mënyrë të përsosur. Ai shpjegon se mënyra më efektive për të trajtuar belbëzimin është të lirohet mendja nga ankthi dhe nevoja për të kontrolluar çdo aspekt të të folurit. Ai e përdor këtë qasje për të shmangur teknikat e zakonshme të trajtimit të belbëzimit, të tilla korrigjimi aktiv i fjalëve dhe përpjekjet për të kontrolluar bllokimet gjatë të folurit (Minnesota State University, Mankato, n.d.).
Autori gjithashtu paraqet disa udhëzime të propozuara nga Dr. Claire Weekes për trajtimin e agorafobisë dhe i aplikon ato në kontekstin e belbëzimit. Këto udhëzime përfshijnë: “Përballu me të”, “Pranoje pa luftuar”, “Lejo të kalojë” dhe “Lëre kohën të bëjë të vetën”, duke theksuar rëndësinë e pranimit të frikës dhe lehtësimin që ajo të kalojë natyrshëm, pa përpjekje për ta kontrolluar. Autori thekson se, për të menaxhuar belbëzimin, individët duhet të pranojnë veten dhe të fokusohet në cilësitë pozitive që kanë, duke hequr dorë nga nevoja për të kontrolluar çdo fjalë që thonë. Ai sugjeron që belbëzimi të shihet jo si një problem të pazgjidhshëm, por si një pjesë e natyrshme e përvojës njerëzore që mund të menaxhohet. (Minnesota State University, Mankato, n.d.).
Autor: Andrra Gjinali
Referencat:
American Speech-Language-Hearing Association. (n.d.). Fluency disorders. American Speech-Language-Hearing Association. https://www.asha.org/practice-portal/clinical-topics/fluency-disorders/?srsltid=AfmBOop2D3GYbSERPqD-gT1imo7wBDS7jQPcFyjPHcYfXYUnIvBSdJVa
Beyond Blue. (n.d.). Daniel’s story. Retrieved from https://www.beyondblue.org.au/mental-health/personal-stories/daniel
Minnesota State University, Mankato. (n.d.). Let the buyer beware: A personal interview with a recovered stutterer. Center for Communication Sciences and Disorders. https://ahn.mnsu.edu/services-and-centers/center-for-communication-sciences-and-disorders/services/stuttering/therapy-for-stuttering/let-the-buyer-beware/a-personal-interview-with-a-recovered-stutterer
Good Grief Productions. (Producer). (2022, July 11). Daniel | Living with a stutter: Finding my voice [Video]. YouTube. https://www.youtube.com/watch?v=KjRMj_KTZyE