
Një nga shqetësimet më të zakonshme që kanë prindërit kur flasim për lidhjen emocionale me fëmijën është:
“Po nëse krijoj lidhje me fëmijën sa herë që bën ndonjë sjellje të papërshtatshme, a nuk po e shpërblej për sjelljen e gabuar? A nuk po e përkëdhel?”
Ky është një shqetësim që shpesh vjen nga një keqkuptim i asaj se çfarë do të thotë të përkëdhelësh dhe çfarë do të thotë të ndërtosh një lidhje të shëndetshme me fëmijën.
Çfarë nuk është përkëdhelja?
Shpesh mendojmë se një fëmijë mund të përkëdhelet nga dashuria apo përkushtimi i tepërt. Por, kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka asnjë fëmijë që është ndikuar negativisht sepse prindi i ka qëndruar pranë gjatë emocioneve të vështira, e ka përqafuar shpesh apo i është përgjigjur me butësi dhe mbështetje pas një sjelljeje të papërshtatshme. Përkundrazi, kur nuk i përgjigjemi nevojave emocionale të fëmijës, kur e lëmë të qajë i vetëm ose nuk e ndihmojmë të rregullojë emocionet e tij, rrezikojmë të ndërtojmë një ndjenjë pasigurie tek ai, gjë që çon në ankth dhe vetbesim të ulët.
Çfarë është përkëdhelja në të vërtetë?
Të përkëdhelësh nuk do të thotë të duash shumë, por të heqësh dorë nga kufijtë dhe të përpiqesh ta mbrosh fëmijën nga çdo ndjesi e pakëndshme. Është kur fëmija fillon të besojë se çdo dëshirë e tij duhet të plotësohet menjëherë, pa përpjekje, pa vonesë dhe pa mësuar durimin apo zhgënjimin.
Ja një shembull konkret!
Kur një prind i bën vetë detyrat e shtëpisë që fëmija ka harruar, në përpjekje për ta “shpëtuar” nga një ndjenjë zhgënjimi apo pasojat e mëtutjeshme, kur një prind plotëson dëshirat e fëmijës në market vetëm për të shmangur shpërthimet emocionale – kjo nënkupton përkëdheljen. Edhe kur themi “po” për të shmangur një shpërthim emocional, ne po e mësojmë fëmijën që mjafton një krizë për të marrë atë që dëshiron.
Lidhja nuk është përkëdhelje
Të lidhesh me fëmijën në një moment vështirësie nuk është një shpërblim për sjelljen e papërshtatshme – është përmbushje e një nevoje emocionale. Kur një fëmijë sillet në formë të papërshtashme, ai nuk ka nevojë për dënim, por për orientim. Dhe që të mund ta orientojmë, ai duhet më parë të ndihet i kuptuar, i dëgjuar dhe i pranuar.
Lidhja i ndihmon fëmijët të bëhen të pavarur
Kur jemi pranë fëmijëve jo vetëm kur janë të sjellshëm, por edhe kur janë të mërzitur, të frustruar apo të revoltuar, ne u japim atyre një mësim jetësor: “Edhe kur nuk je në formën tënde më të mirë, unë jam këtu për ty.” Kjo krijon besim dhe siguri. Dhe nga kjo siguri lind vetëbesimi dhe pavarësia.
Mesazhi për prindin Mos kini frikë të tregoni ndjeshmëri dhe dashuri. Nuk është kjo që e përkëdhel fëmijën. Ajo që sjell pasoja të padëshiruara është mungesa e kufijve, mungesa e qëndrueshmërisë dhe tendenca për t’i shpëtuar nga çdo sfidë. Lidhja emocionale nuk do ta bëjë fëmijën të dobët – do ta bëjë më të forte dhe më të gatshëm për tu përballuar me jetën. Ju mundeni që njëkohësisht të tregoni mirëkuptim, dashuri dhe të vendosni limitet tuaja me një gjuhë dashamirëse.
Autor: Arba Haliti