Ironia e kontrollit mendor: Pse largimi i një mendimi e bën atë më të qëndrueshëm?

A keni provuar ndonjëherë të mos mendoni për diçka, dhe ju e keni gjetur veten duke e menduar për atë vazhdimisht? Kjo është pikërisht ajo që Daniel Wegner (1994) ka vënë në dukje në studimet e tij mbi kontrollin mendor. Shpesh mendojmë se është e mundur të kontrollojmë mendimet e tona: të përqendrohemi, të largojmë mendimet e padëshiruara, të flemë sipas dëshirës, të relaksohemi në periudha stresi apo të kontrollojmë emocionet tona. Megjithatë, përpjekja për të larguar aktivisht një mendim mund të prodhojë efektin e kundërt: një “ironic rebound”, nje efekt te rikthimit. Wegner (1994) propozon që kontrolli mendor mbështetet në dy procese të ndryshme, por bashkëpunuese. Një sistem operativ, që qëllimisht fut mendime që janë në përputhje me gjendjen e dëshiruar mendore. Një sistem mbikëqyrjeje, që skanon vazhdimisht mendimet për të zbuluar mendime që janë në kundërshtim me këtë gjendje mendore. Kur përpiqemi të shtypim një mendim, sistemi operativ përpiqet ta largojë atë, por në të njëjtën kohë, sistemi i mbikëqyrjes e mban atë mendim aktiv në ndërgjegje për t’u siguruar që është eliminuar. Si pasojë, kjo vigjilencë e tepruar e bën mendimin e padëshiruar të rikthehet në mënyrë të pavullnetshme, ky është efekti i rikthimit.

Në vitin 1987, Wegner dhe kolegët e tij testuan këtë hipotezë me një eksperiment të thjeshtë: ata u kërkuan 49 studentëve të shprehnin me zë të lartë mendimet e tyre për pesë minuta, duke ndjekur njërën nga udhëzimet e mëposhtme:

  • Shprehje: të mendonin aktivisht për një arush të bardhë.
  • Largimi: të përpiqeshin të mos mendonin për një arush të bardhë.
  • Shpërqendrim i synuar: të shmangnin mendimin për një arush të bardhë duke u fokusuar te një makinë Volkswagen e kuqe.

Pjesëmarrësit duhej të sinjalizonin me zë të lartë ose duke rënë një zile sa herë që imazhi i një arushi të bardhë u vinte në mendje. Rezultati tregoj se ata që u ishte kërkuar të mos mendonin për një arush të bardhë, përfundimisht e mendonin edhe më shumë sapo u lejohej të mendonin lirshëm. Efekti i rikthimit ishte i konfirmuar. Nga ana tjetër, efekti i rikthimit ishte më i dobët te pjesëmarrësit që kishin marrë një shpërqendrim të synuar. Me fjalë të tjera, është më efektive të devijosh vëmendjen te diçka tjetër sesa të përpiqesh të eliminosh një mendim drejtpërdrejt.

Por, cilet janë implikimet në jetën e përditshme? Qoftë për të kapërcyer një ndarje, për të menaxhuar një fiksim apo për të kontrolluar ankthin, ky hulumtim tregon se përpjekja për të larguar një mendim shpesh e bën atë më të qëndrueshëm. Është më mirë të drejtojmë mendjen tonë drejt një teme tjetër sesa të luftojmë kundër një mendimi të padëshiruar. Pra, nëse dëshironi të harroni një mendim që ju pushton, mos u përpiqni ta largoni me çdo kusht. Në vend të kësaj, gjeni një mendim tjetër më tërheqës për të kapur vëmendjen tuaj. Ky është çelësi për një kontroll mendor më efektiv!

Autor: Blerta Shurdhani

Referenca :

Wegner, D. M. (1994). Ironic processes of mental control. Psychological Review, 101(1), 34–52. https://doi.org/10.1037/0033-295X.101.1.34

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Çka janë tantrumet?

Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e: Ndërsa një fëmijë fillon të zhvillojë pavarësinë

Lexo më shumë »