Roli i Ekipit Multidisciplinar në Trajtimin e Vështirësive të Gjuhës dhe Komunikimit

Trajtimi i çrregullimeve të gjuhës dhe komunikimit është një proces kompleks dhe dinamik që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes profesionistëve të ndryshëm. Vështirësitë si vonesa në të folur, artikulimi jo i qartë, belbëzimi, çrregullimet e gjuhës dhe të gëlltitjes nuk kanë gjithmonë një shkak të vetëm, prandaj kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse që adreson zhvillimin njohës, emocional, social dhe motorik të fëmijës. Kjo qasje realizohet përmes ekipit multidisiplinar, i përbërë nga profesionistë si logopedë, psikologë, pedagogë specialë, ergoterapeutë, fizioterapeutë, mjekë pediatër, punëtorë socialë dhe infermierë. Secili profesionist sjell njohuritë dhe përvojën e tij për të ndihmuar në diagnostikimin dhe trajtimin sa më të mirë të fëmijës, duke u siguruar që të gjitha aspektet e zhvillimit të tij të trajtohen në mënyrë të koordinuar (Ferigollo & Kessler, 2017).

Pse është thelbësor bashkëpunimi mes ekipit multidisciplinar ?

Bashkëpunimi mes ekipit multidisciplinar në trajtimin e fëmijëve dhe të rriturve me vështirësi në gjuhë, të folur dhe komunikim është më shumë se një mënyrë organizimi pune, është një qasje thelbësore që garanton trajtim të plotë dhe gjithëpërfshirës.  Gjithashtu mundëson ndarjen e informacionit dhe krijimin e një plani të përbashkët, të qartë dhe të koordinuar. Kjo shmang ndërhyrjet e fragmentuara, që shpesh ndodhin kur secili profesionist punon i ndarë dhe ndonjëherë pa dijeninë e të tjerëve.

Një plan i unifikuar u jep qartësi jo vetëm profesionistëve, por edhe familjes, e cila shpesh ndodhet përballë sfidave të mëdha dhe ndjehet e pasigurt për rrugën që duhet ndjekur. Kur prindërit marrin udhëzime të qëndrueshme dhe të përbashkëta nga një ekip, ata ndihen më të mbështetur dhe më të angazhuar në procesin terapeutik. Vështirësitë e komunikimit nuk ndikojnë vetëm në të folur, por prekin edhe ndjenjat, marrëdhëniet sociale, të nxënit dhe vetëvlerësimin e individit. Për këtë arsye, asnjë profesionist nuk mund të mbulojë të gjitha aspektet i vetëm.

Ky model synon jo vetëm përmirësimin e aftësive të fëmijës në komunikim, lëvizje dhe ndërveprim  social, por gjithashtu fuqizon edhe prindërit dhe kujdestarët, duke i përfshirë ata si partnerë aktivë në procesin terapeutik. Në rastet e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit, ndërhyrjet që përfshijnë logopedin, psikologun, terapistin e sjelljes dhe edukatorin kanë pasur rezultate dukshëm më të mira sesa qasjet e izoluara (Vargas, Leon, & Rodriguez, 2020).

Kur ka më shumë efekt qasja me ekipin multidisciplinar ?

Kur profesionistë të ndryshëm – si logopedë, psikologë, edukatorë, mësues e terapistë punojnë së bashku për të ndihmuar fëmijën, rezultatet janë shumë më të mira. Secili sjell njohuritë e veta dhe, kur kombinohen, krijojnë një plan të përbashkët që i përshtatet nevojave të fëmijës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (2007) thekson se ndërhyrja në moshat e hershme është thelbësore për të ndihmuar fëmijët të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ndërsa hulumtime të shumta tregojnë se ndërhyrja që ndodh para moshës 5 vjeç ka ndikim më të madh në zhvillimin e komunikimit, gjuhës, të menduarit dhe aftësive sociale (Shonkoff & Phillips, 2000; Law, Garrett, & Nye, 2004).

Kur flasim për zhvillimin e fëmijëve, vitet e para të jetës janë vendimtare. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, truri i fëmijës është në fazën e tij më të ndjeshme dhe më të hapur për të mësuar. Në këtë kohë, truri formon lidhje të reja çdo ditë, duke reaguar fuqishëm ndaj çdo përvoje, komunikimi dhe ndërveprimi që ndodh përreth tij. Kjo aftësi e trurit për t’u përshtatur dhe për t’u zhvilluar quhet plastike neurale. Në fjalë të thjeshta, kjo do të thotë se truri i një fëmije të vogël është shumë më i hapur për të përthithur informacion, për të ndryshuar dhe për të mësuar, krahasuar me trurin e një fëmije më të rritur apo të një të rrituri. Prandaj, ndërhyrja e hershme, kur shfaqen vështirësi në të folur, në të kuptuar apo në komunikim, është vendimtare. Në këtë pikë, qasja multidisiplinare luan një rol kyç.

Autor: Fitore Sherifi Kelmendi

Literatura

Ferigollo, D. C., & Kessler, T. M. (2017). A importância do trabalho em equipe interdisciplinar para a aprendizagem. Revista de Educação, 10(2), 45–52.

Law, J., Garrett, Z., & Nye, C. (2004). The efficacy of treatment for children with developmental speech and language delay/disorder: A meta-analysis. Journal of Speech, Language, and Hearing Research, 47(4), 924–943.

Organizata Botërore e Shëndetësisë. (2007). Early childhood development and disability: A discussion paper. World Health Organization.

Shonkoff, J. P., & Phillips, D. A. (Eds.). (2000). From neurons to neighborhoods: The science of early childhood development. National Academy Press.

Vargas, M. R., Leon, M., & Rodriguez, C. (2020). Multidisciplinary intervention in children with autism spectrum disorder: A systematic review. Journal of Autism and Developmental Disorders, 50(9), 3217–3230.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Çka janë tantrumet?

Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e: Ndërsa një fëmijë fillon të zhvillojë pavarësinë

Lexo më shumë »