A e njeh veten vërtet? Në një botë ku vetëdija është bërë thelbësore, qoftë në marrëdhënie, në punë apo në përballje me sfidat emocionale, të kuptosh se kush je në të vërtetë është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit personal (John & Srivastava, 1999). Shpesh e përshkruajmë veten me terma të përgjithshëm si “jam introvert”, “jam praktik”, “jam i ndjeshëm”, por sa të bazuara janë këto përshkrime? A ekziston një mënyrë e qëndrueshme për të matur personalitetin? Një nga modelet më të besueshme dhe më të përdorura shkencërisht për të përshkruar personalitetin është Modeli i Pesëshes së Madhe, ose siç njihet ndërkombëtarisht, Big Five (McCrae & Costa, 1997). Ky model përshkruan pesë dimensione kryesore që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit mendojnë, ndihen dhe sillen: Ekstroversioni, Neuroticizmi, Ndërgjegjshmëria, Pajtueshmëria dhe Hapja ndaj përvojës (Goldberg, 1993).
- Ekstroversioni lidhet me nivelin e shoqërueshmërisë dhe energjisë; ata që shënojnë lart në këtë dimension janë të hapur ndaj ndërveprimeve shoqërore dhe aktivë, ndërsa ata me rezultat të ulët janë më të qetë dhe të përmbajtur (Watson & Clark, 1997).
- Neuroticizmi tregon prirjen për të përjetuar emocione negative si ankthi apo trishtimi; nivelet e larta nënkuptojnë ndjeshmëri ndaj stresit, ndërsa nivelet e ulëta tregojnë qëndrueshmëri emocionale (Lahey, 2009).
- Ndërgjegjshmëria përfshin organizimin, përgjegjësinë dhe vetëkontrollin, individët e ndërgjegjshëm janë të planifikuar dhe të besueshëm (Roberts et al., 2009).
- Pajtueshmëria lidhet me bashkëpunimin, dhembshurinë dhe tolerancën ndaj të tjerëve (Graziano & Eisenberg, 1997).
- Hapja ndaj përvojës tregon sa krijues dhe të hapur jemi ndaj ideve të reja, artit apo reflektimeve filozofike (McCrae, 1996).
Ky model nuk jep përgjigje të prerë, por na ofron një pasqyrë të qartë për mënyrën se si funksionojmë në përditshmëri. Ai nuk kategorizon, por na ndihmon të kuptojmë veten më mirë dhe të ndërtojmë marrëdhënie më të qëndrueshme me veten dhe me të tjerët (McCrae & Costa, 1997).
Nëse dëshironi të kuptoni se cili është profili juaj i personalitetit sipas modelit Big Five, më poshtë gjeni një pyetësor të shkurtër dhe të lehtë për t’u plotësuar. Lexoni me kujdes çdo deklaratë dhe vlerësoni veten nga 1 deri në 5, ku 1 nënkupton “shumë pak karakteristike për mua” dhe 5 nënkupton “shumë karakteristike për mua”. Për pyetjet 7 dhe 9, shkalla është e anasjelltë (1 bëhet 5, 2 bëhet 4, etj).
- Filloj lehtësisht një bisede me një person të panjohur
- Sigurohem që të njerëzit rreth meje të ndihen rehat dhe të lumtur
- Krijoj rregullisht një vepra arti, shkrime apo muzike
- Unë zakonisht përgatitem paraprakisht për situatat që mund të ndodhin
- Ndjej shpesh trishtim ose mërzi
- Planifikoj evente shoqërore
- Unë ofendoj të tjerët (shkallë e anasjelltë)
- Mendoj për tema filozofike ose spirituale
- Unë lë shpesh gjërat të shpërndara ose në rrëmujë (shkallë e anasjelltë)
- Ndjej shpesh stres ose shqetësim
- Kur shprehem, përdor shpesh fjalë ose shprehje të ndërlikuara
- Unë jam i ndjeshëm ndaj ndjenjave të të tjerëve dhe tregoj dhembshuri për ta
Si t’i llogaritni rezultatet?
Pasi të keni dhënë pikët për secilën deklaratë, mund të llogaritni pesë përmasat e personalitetit tuaj sipas kësaj formule:
- Ekstroversioni: pyetjet 1 + 6
- Neuroticizmi: pyetjet 5 + 10
- Ndërgjegjshmëria: pyetjet 4 + 9
- Pajtueshmëria: pyetjet 2 + 7 + 12
- Hapja ndaj përvojës: pyetjet 3 + 8 + 11
Interpretimi i rezultateve:
Ekstroversioni / Neuroticizmi / Ndërgjegjshmëria:
- 2–4: E ulët
- 5–6: E ulët-mesatare
- 7–8: Mesatare-lartë
- 9–10: E lartë
Pajtueshmëria (Meshkuj):
- ≤9: E ulët
- 10–11: E ulët-mesatare
- 12–13: Mesatare-lartë
- 14–15: E lartë
Pajtueshmëria (Femra):
- ≤11: E ulët
- 12–13: E ulët-mesatare
- 14: Mesatare-lartë
- 15: E lartë
Hapja ndaj përvojës:
- ≤8: E ulët
- 9–10: E ulët-mesatare
- 11–12: Mesatare-lartë
- 13–15: E lartë
Në fund të fundit, ky test nuk ka si qëllim të ju etiketoj, por të ofrojë një pasqyrë më të thellë mbi veten dhe të hapë mundësi për rritje dhe reflektim personal. Nëse dëshironi të lexoni më shumë mbi modelin Big Five dhe kërkimin pas tij, mund të vizitoni këtë faqe: https://www.simplypsychology.org/big-five-personality.html
Autor: Lum Zharku
Referencat:
- Goldberg, L. R. (1993). The structure of phenotypic personality traits. American Psychologist, 48(1), 26-34.
- Graziano, W. G., & Eisenberg, N. (1997). Agreeableness: A dimension of personality. In R. Hogan, J. Johnson, & S. Briggs (Eds.), Handbook of personality psychology (pp. 795-824). Academic Press.
- John, O. P., & Srivastava, S. (1999). The Big Five trait taxonomy: History, measurement, and theoretical perspectives. In L. A. Pervin & O. P. John (Eds.), Handbook of personality: Theory and research (pp. 102-138). Guilford Press.
- Lahey, B. B. (2009). Public health significance of neuroticism. American Psychologist, 64(4), 241-256.
- McCrae, R. R. (1996). Social consequences of experiential openness. Psychological Bulletin, 120(3), 323-337.
- McCrae, R. R., & Costa, P. T., Jr. (1997). Personality trait structure as a human universal. American Psychologist, 52(5), 509-516.
- Roberts, B. W., et al. (2009). Conscientiousness. In M. R. Leary & R. H. Hoyle (Eds.), Handbook of individual differences in social behavior (pp. 369-381). Guilford Press.
- Watson, D., & Clark, L. A. (1997). Extraversion and its positive emotional core. In R. Hogan, J. Johnson, & S. Briggs (Eds.), Handbook of personality psychology (pp. 767-793). Academic Press.