Të gjithë ne, pa përjashtim, mund të përballemi me sfida e vështirësi të ndryshme në jetë, e sidomos kur flasim për sfida të cilat mund të prekin edhe shëndetin tonë mendor.
Tejkalimi i këtyre sfidave për disa mund të jetë një proces i gjatë, mirëpo nëse i mbajmë brenda vetes dhe nuk u kushtojmë vëmendje të mjaftueshme, ato mund të përkeqësohen tutje.
Njëkohësisht, për shkak të mungesës së informatave mbi kujdesin e shëndetit mendor, disa prej nesh mund edhe të mos kemi informata se kemi nevojë për përkrahje emocionale, për të tejkaluar këto sfida.
Prandaj, kur diskutojmë gjendjen tonë emocionale, është thelbësore të kemi parasysh ndihmën profesionale nga ekspertët e shëndetit mendor. Fillimisht, ne mund të eksplorojmë dhe reflektojmë mbi simptomat fizike dhe psikologjike që mund të përjetojmë, të tilla si: 1) nivele të larta të ankthit, 2) disponim vazhdimisht i ulët, 3) probleme me gjumin, 4) ndryshime në apetit dhe peshë, 5) ndjenja të shtuara të fajit, 6) humbje të shpresës, 7) mendime mbi vdekjen ose lëndimit të vetes, etj.
Nëse jemi duke përjetuar disa nga këto simptoma, atëherë është e rëndësishme të orientohemi nga ndihma e duhur profesionale.
Kemi disa lloje të ndryshme të intervenimeve, në bazë të nevojës sonë.
Për shembull, në qoftë se jemi duke përjetuar simptomat e cekura më lartë, por jo në mënyrë intensive, atëherë intervenimi më i përshtatshëm është ai këshillues.
Këshillimi përfshinë marrjen e këshillave nga profesionist të shëndetit mendor, por shumicën e rasteve edhe nga familjarët tanë dhe shoqëria jonë e ngushtë.
Kjo lloj ndërhyrjeje është zakonisht afat-shkurtër, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e shpejtë për sfidat tona.
Ndërhyrjet këshilluese shërbejnë që të na ndihmojnë të gjejmë shkaktarët e problemeve tona, në mënyrë që të gjejmë mënyra më të mira për ti tejkaluar ato.
Nëdrhyrja psikologjike është, pastaj, një lloj ndërhyrje e ngjashme me atë të këshillimit, por një nga dallimet kryesore është që kjo lloj ndërhyrjeje ushtrohet nga profesionistë të fushës së psikologjisë.
Është më efektivja kur përdoret për trajtim afat-gjatë, pasi që na jep kohë të reflektojmë për problemet tona dhe të merremi më shumë me ato. Ka shumë lloje të ndryshme të intervenimeve psikologjike, por ato të cilat ushtrohen më së shumti janë:
- Terapia kognitivo-biheviorale (CBT). Individi dhe një terapist vendosin qëllime dhe strategji duke përdorur ndërveprimin e mendimeve, ndjenjave dhe sjelljes.
- Terapia dialektike e sjelljes (DBT). Një terapist vjen me një sërë strategjish dhe objektivash që fokusohen në të folur dhe komunikim. Ai bazohet në CBT, por i krijuar posaçërisht për njerëzit që ndjejnë emocione më intensivisht.
- Terapia mjekësore. Ilaçet përshkruhen krahas ndërhyrjeve të tjera për të ndihmuar në shërimin e dikujt.
- Terapia e traumës. Një terapist ndihmon dikë që të merret me përgjigjen emocionale të shkaktuar nga një ngjarje traumatike. Kjo është gjithashtu një formë e CBT.
Së fundmi, një ndëryrje tjetër e njohur është edhe ajo në krizë, ku mund të konsiderohet si një teknikë menaxhimi afatshkurtër e krijuar për të reduktuar dëmtimin e mundshëm të përhershëm të një individi të prekur nga një krizë e caktuar, siç mund të jetë një ngjarje me ngarkesë të lartë emocionale.
Përfitimet afatgjata të ndërhyrjeve të shëndetit mendor
Ndërhyrja e hershme e shëndetit mendor duke përdorur një nga metodat e listuara më sipër mund të çojë në disa përfitime afatgjata, përfshirë: 1) Trajtim më pak intensiv, 2) Stabilitet më i madh jetësor, 3) Reduktimi i simptomave të rënda, 4) Vetëvlerësim i shtuar, dhe 5) Mundësia e përmirësuar e trajtimit të mëtutjeshëm.
Autor: Diart Shala