Vonesa gjuhësore te fëmijët: Shkaqet, ndikimet dhe rëndësia e ndërhyrjes së hershme

Zhvillimi gjuhësor është një nga komponentët kyç të zhvillimit të hershëm të fëmijës. Për shumë prindër, mënyra se si dhe kur fëmija nis të flasë përbën një shqetësim të zakonshëm. Nëse fëmija nuk arrin të kuptojë ose të përdorë gjuhën në mënyrë të përshtatshme për moshën, kjo mund të jetë shenjë e një vonese gjuhësore.

Çfarë është një vonesë gjuhësore?

Një vonesë gjuhësore nënkupton një zhvillim më të ngadalshëm se normalja në të folur, në të kuptuar ose në të dyja gjuhët. Ajo mund të prekë fjalorin, ndërtimin e fjalisë, shqiptimin, ose aftësinë për të kuptuar dhe ndjekur udhëzime. Vonesa mund të jetë e lehtë dhe kalimtare, por ndonjëherë sinjalizon një vështirësi më të thellë zhvillimore, andaj nuk duhet injoruar por duhet përcjellur.

Njëri prej shkaktarëve të mundshëm mund të jetë edhe mjedisi i varfër me stimuj gjuhësorë. Akademia Pediatrike Amerikane nuk rekomandon ekspozimin para ekraneve për fëmijën nën moshën 2 vjeçare. Fëmijët e vegjël mësojnë më së miri nga eksplorimi i botës përreth tyre dhe duke luajtur me fëmijë dhe të rritur të tjerë. Ambienti i pasur me stimuj gjuhësorë, ndërveprimi përmes të folurit pastër dhe pa shtrembërime, ndihmon zhvillimin e tyre gjuhësor, kognitiv dhe social. Përmes ndërveprimeve të natyrshme dhe të përditshme, fëmijët përvetësojnë strukturat gjuhësore, mësojnë të shprehin ndjenjat dhe nevojat e tyre, si dhe zhvillojnë aftësinë për të dëgjuar, kuptuar dhe komunikuar me të tjerët.

Vonesat në të folur mund të kenë shkaqe të ndryshme, duke përfshirë:

  • Faktorë biologjikë: probleme neurologjike, çrregullime si autizmi, dëmtime në dëgjim, ose sindroma gjenetike.
  • Faktorë emocionalë: trauma të hershme, stres në familje, ndarje nga figura primare.

Rëndësia e ndërhyrjes së hershme

Vonesa gjuhësore ndikon më shumë sesa vetëm të folurin — ajo prek të kuptuarin, ndërveprimin social, të nxënit dhe vetëbesimin. Ndërhyrja e hershme përmes vlerësimit logopedik dhe mbështetjes së prindërve është thelbësore për ta ndihmuar fëmijën të arrijë potencialin e tij. Sa më herët të identifikohet vonesa, aq më efektive janë ndërhyrjet dhe trajtimi logopedik.

Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave si: mungesa e fjalëve në moshën 18-24 muajsh, vështirësia për të ndjekur udhëzime të thjeshta, ose paaftësia për të kombinuar fjalët në moshën 2-3 vjeç. Konsultimi me një specialist është hapi i parë drejt zgjidhjes.

Vonesa gjuhësore nuk duhet të shkaktojë panik, por as të injorohet. Çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e tij, por vëmendja, ndërhyrja në kohë dhe përfshirja aktive e prindërve mund të bëjnë ndryshimin mes një vështirësie kalimtare dhe një problemi afatgjatë. Komunikimi është një e drejtë e çdo fëmije — dhe është në dorën tonë ta mbështesim që ta fitojë.

Autor: Fjolla Rexha

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Çka janë tantrumet?

Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e: Ndërsa një fëmijë fillon të zhvillojë pavarësinë

Lexo më shumë »