Déjà Vu: Kujtim, iluzion apo diçka më shumë?

A keni qenë ndonjëherë në mes të një bisede dhe papritmas jeni ndjerë sikur keni pasur të njëjtin diskutim më parë? Apo ndoshta keni shkuar në një vend të ri dhe jeni pushtuar nga një ndjenjë e çuditshme familjariteti me atë vend, edhe pse jeni të sigurt që nuk keni qenë kurrë më parë? Kjo ndjesi kalimtare e frikshme quhet déjà vu, që nga frëngjisht do të thotë “tashmë e parë”. Déjà vu është një përvojë e zakonshme, me rreth 60-80% të njerëzve që raportojnë ta kenë përjetuar. Por pavarësisht shpeshtësisë, mbetet një nga misteret e mendjes njerëzore. Pra, çfarë po ndodh në të vërtetë kur kemi atë ndjesi të çuditshme?

Shkenca mbrapa déjà vu

Pavarësisht se sa e njohur mund të duket një bisedë, vend ose situatë, déjà vu është në të vërtetë një iluzion kujtese, ku truri regjistron gabimisht një moment si diçka që e ka hasur më parë. Por pse dhe si ndodh kjo? Ekzistojnë disa teori që përpiqen të shpjegojnë këtë fenomen:

1. Një defekt i vogël në sistemin e kujtesës

Truri ynë përpunon përvojat përmes dy sistemeve kryesore të kujtesës: njohjes dhe rikujtimit.

  • Sistemi i njohjes është ndjenja e menjëhershme se diçka është e njohur, por pa informacion shtesë mbi kohën dhe mënyrën se si e kemi hasur më parë. Për shembull, mund të takojmë në rrugë një person që na duket i njohur, por nuk arrijmë të kujtojmë se kush është dhe nga e njohim.
  • Sistemi irikujtimit është një nivel më i avancuar i kujtesës, që përfshin aftësinë për të kujtuar një ngjarje së bashku me kontekstinë e saj, si koha dhe vendi ku ka ndodhur. Për shembull, kur kujtojmë një film, mund të rikthejmë në mendje jo vetëm ngjarjen e tij, por edhe aktorët që luanin në të apo me kë e kemi pare filmin etj.

Sipas kësaj teorie, déjà vu mund të ndodhë kur truri e regjistron gabimisht një përvojë të re si diçka të njohur. Kjo ndodh sepse sistemi i njohjes aktivizohet gabimisht, por sistemi i rikujtimit nuk arrin të rikthejë kontekstin që do të shpjegonte pse kjo situatë duket e njohur. Është sikur truri juaj po thotë: “Kjo ka ndodhur më parë!”, ndërsa një pjesë tjetër reagon: “Prit… por kur?”. Rezultati? Një ndjenjë e çuditshme e familjaritetit, pa një shpjegim logjik.

2. Një vonesë sekondash në përpunim të informacionit

Një teori tjetër sugjeron se déjà vu ndodh kur truri përpunon të njëjtin informacion dy herë radhazi. Hera e parë ndodh aq shpejt sa ju nuk e vini re vetëdijshëm, por kur përpunohet për herë të dytë, vetëm një  sekonde më vonë, ajo situatë ndihet jashtëzakonisht e njohur—sepse, në një farë mënyre, truri juaj e ka regjistruar tashmë. Mund ta imagjinoni si një defekt në një video-lojë, ku ekrani ngrin për një moment dhe më pas rifillon, duke krijuar përshtypjen se i njëjti skenar është luajtur dy herë.

3. Një ndërlidhje e kujtesës

Truri juaj ruan sasi të mëdha informacioni dhe ndonjëherë mund të bëjë ngatërresa. Déjà vu mund të ndodhë kur truri gabimisht lidh një përvojë të re me një kujtim të vjetër që ka një detaj të ngjashëm—si një erë, një ngjyrë, ose një pamje të caktuar. Për shembull, nëse vizitoni një hotel, që i ngjan një vendi pushimi të fëmijërisë, truri mund ta lidhë këtë përvojë me atë të kaluaren, pa mundur ta njohë plotësisht burimin origjinal. Ky “gabim” mund të krijojë një ndjenjë të fortë se “keni qenë këtu më parë”, kur, në të vërtetë, është thjesht një ngjashmëri e rastësishme.

A është dejà vu një shenjë e diçkaje më shumë?

Në shumicën e rasteve, dejà vu është krejtësisht normale dhe thjesht një lëshim i çuditshëm i trurit. Megjithatë, në raste të rralla, déjà vu-ja e shpeshtë ose intensive mund të lidhet me gjendjet neurologjike, veçanërisht me epilepsinë e lobit temporal. Ku, disa njerëz me epilepsi raportojnë déjà vu si një shenjë paralajmëruese përpara një sulmi epileptik. Nëse déjà Vu ndodh shpesh, zgjat më shumë se disa sekonda ose vjen me simptoma të tjera si konfuzion, marramendje ose vetëdije e ndryshuar, rekomandohet të takoheni me një mjek.

Si përfundim, déjà vu na kujton se truri ynë nuk është një pajisje perfekte regjistrimi – ai rindërton realitetin bazuar në përvojat e kaluara, herë pas here duke bërë edhe gabime rrugës. Ky fenomen është një shembull i mrekullueshëm i mënyrës se si funksionojnë (ose dështojnë) kujtimet tona në përpjekje për të konstruktuar realitetin tonë.

Autor: Erestinë Uka

Referenca:

O’Connor, A. R., & Moulin, C. J. (2010). Recognition without identification, erroneous familiarity, and déjà vu. Current psychiatry reports, 12(3), 165–173. https://doi.org/10.1007/s11920-010-0119-5

Aitken, C. B. A., Jentzsch, I., & O’Connor, A. R. (2023). Towards a conflict account of déjà vu: The role of memory errors and memory expectation conflict in the experience of déjà vu. Neuroscience & Biobehavioral Reviews, 155, 105467. https://doi.org/10.1016/j.neubiorev.2023.105467

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Kuizi i Motivimit

Çfarë të shtyn përpara?Zbulo çfarë të ndez motorët e brendshëm sipas psikologjisë. Ky kuiz është i frymëzuar nga Teoria e Vetë-Përcaktimit (Self-Determination Theory) dhe Piramida

Lexo më shumë »