
Një prej miteve më të përhapura në lidhje me trurin e njeriut është se ne përdorim vetëm 10% të kapacitetit të tij. Megjithatë, kërkimet e reja shkencore kanë hedhur poshtë këtë mit, duke treguar se truri është aktiv në të gjitha aspektet e jetës tonë dhe se pothuajse çdo pjesë e tij ka një rol të caktuar në proceset njohëse, motorike dhe fiziologjike (Bokkon, 2015).
Pohimi se ne përdorim vetëm 10% të trurit tonë shpesh i është atribuar filozofit dhe psikologut William James, i cili në vitin 1907 sugjeroi se ne shfrytëzojmë vetëm një pjesë të vogël të potencialit tonë mendor dhe fizik (Green, 2001). Ky pohim u interpretua dhe u përhap më tej, duke rezultuar në besimin se vetëm 10% e trurit është në përdorim. Më pas në fillim të shekullit të 20-të, neurologu Karl Lashley hulumtoi trurin e minjve, dhe studimet e tij kanë treguar se edhe pas lezionimeve apo heqjes së pjesëve të caktuara të trurit, minjtë ishin ende në gjendje të kryenin me sukses detyra të caktuara të mësuara më parë si orientimi dhe kalimi nëpër labirinte (Thomas & Weir, 2013). Ky rezultat u keqinterpretua si një tregues se pjesët e hequra të trurit ishin të panevojshme, duke kontribuar në përforcimin e mëtejmë të mitit të 10%.
Truri i njeriut është një organ jashtëzakonisht kompleks, i përbërë nga rreth 100 miliardë neurone, secili prej të cilëve mund të lidhet me deri në 10,000 neurone të tjera përmes lidhjeve sinaptike (Zhang, 2019). Këto lidhje krijojnë një rrjet të jashtëzakonshëm komunikimi, duke lejuar transmetimin e shpejtë dhe efikas të impulseve nervore, të cilat janë thelbësore për të gjitha funksionet tona fizike dhe mendore. Përdorimi i teknologjive moderne të imazherisë, si rezonanca magnetike funksionale (fMRI) dhe tomografia me emetim pozitron (PET), ka lejuar shkencëtarët të monitorojnë aktivitetin e trurit në kohë reale (Chew, 2018). Për më tepër, skanimet PET dhe fMRI tregojnë qartë se pothuajse të gjitha pjesët e trurit janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe të gjitha pjesët janë funksionalisht aktive (Anum et al., 2024). Truri i njeriut përdor praktikisht të gjitha rajonet e tij, me zona të ndryshme që aktivizohen gjatë detyrave të ndryshme dhe madje edhe gjatë pushimit. Hulumtime tw ndryshme tregojnw se nuk ka pjesë të trurit që mbeten krejtësisht të pasivizuara, përveç atyre që kanë pësuar dëmtime, duke theksuar se dhe dëmtimi i zonave të caktuara çon në humbjen e funksioneve të tyre përkatëse (Raichle et al., 2001).
Prandaj, miti se ne përdorim vetëm 10% të trurit tonë është thjesht një keqkuptim. Studimet shkencore kanë vërtetuar se truri është aktiv në të gjitha aspektet e jetës sonë, duke përfshirë detyrat e thjeshta dhe ato komplekse. Kjo tregon se truri është një organ i jashtëzakonshëm, i cili punon në mënyrë të pandërprerë dhe automatike për të mbështetur funksionet tona ditore.
Autor: Lira Baliu
Referenca:
Anum, S. R., Shafiq, M., Fatima, S., Bibi, A., Khan, A. U., Naz, S., Hashmi, H. B., Rustam, S. A., Khan, S. I., Iqbal, B., Abbas, M., Khan, M. A., Khan, J., & Muzammal, M. (2024). Evolution of the human brain and the myth of its ten-percent use. https://doi.org/10.30884/seh/2024.02.02
Bokkon, I. (2015). The brain uses all its capacity: A comprehensive review. Frontiers in Human Neuroscience, 9, 1-14. https://doi.org/10.3389/fnhum.2015.00645
Chew, S. L. (2018). Myth: We Only Use 10% of Our Brains. https://www.psychologicalscience.org/uncategorized/
Green, Ch. D. (2001). Classics in the History of Psychology. https://psychclassics.yorku.ca/James/energies.htm
Raichle, M. E., MacLeod, A. M., Snyder, A. Z., Powers, W. J., Gusnard, D. A., & Shulman, G. L. (2001). A default mode of brain function. Proceedings of the National Academy of Sciences, 98(2), 676–682. https://doi.org/10.1073/pnas.98.2.676
Thomas, R. K., & Weir, V. K. (2013). The effects of lesions in the frontal or posterior association cortex of rats on maze III. Psychonomic Science, 22(6), 329–331. https://doi.org/10.3758/BF03337507
Zhang, J. (2019). Basic Neural Units of the Brain: Neurons, Synapses and Action Potential. DOI:10.48550/arXiv.1906.01703