
Zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe të folurit është një proces thelbësor për çdo fëmijë, i cili
kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe përkujdese të veçantë. Ambienti në të cilin rritet fëmija
ka një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e aftësive të tij themelore, duke përfshirë këtu
edhe aftësitë gjuhësore (Kumar, 2020). Fëmijët mësojnë gjuhën përmes përfshirjes aktive me
prindërit dhe njerëzit që i rrethojnë, si dhe me objektet dhe ngjarjet e përditshme. Ky mjedis i
mundëson atyre të krijojnë lidhje mes fjalëve dhe veprimeve, duke zhvilluar aftësitë e tyre
gjuhësore. Rol të rëndësishëm kanë dhe aspektet kognitive, sociale dhe gjuhësore të përvojave
të fëmijëve të cilat kontribuojnë në zhvillimin e hershëm të gjuhës. Kjo ide mbështet se “fjalët
e para” lindin nga përvojat e para të fëmijëve me të rriturit, veçanërisht në situata që ofrojnë
mundësi për foshnjat të vëzhgojnë fytyrat e kujdestarëve të tyre dhe të dëgjojnë zërat e tyre.
Gjatë aktiviteteve të përditshme, rutinës, lojërave të thjeshta, shprehjet e fytyrës së të rriturve
dhe intonacioni i zërit të prindërve nxitet vëmendja dhe angazhimi i foshnjeve. Me kalimin e
kohës, foshnjet mësojnë si veprimet ashtu edhe tingujt që lidhen me rutinat e përditshme dhe
lojërat e njohura dhe fillojnë të marrin një rol aktiv përveç atij pasiv në shkëmbimet social. Këto
përvoja ofrojnë mundësi për fëmijët që të fillojnë të prodhojnë tinguj në mënyrë të qëllimshme
(Bochner, 2003). Si rrjedhojë, një nga mënyrat më të efektshme për të mbështetur zhvillimin e
këtyre aftësive është krijimi i një mjedisi të pasur me stimuj gjuhësor në shtëpi.
Një mjedis i pasur me stimuj gjuhësor në fëmijërinë e hershme nënkupton rrethana dhe objekte
që e rrethojnë fëmijën dhe që i mundësojnë atij të fitojë gjuhën lehtësisht. Ky mjedis thekson
rëndësinë e mësimit të gjuhës lirshëm dhe natyrshëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me
të rriturit dhe bashkëmoshatarët (Kumar, 2020). Fëmijët zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore kur
kanë mundësi të përdorin gjuhën në mënyra të zgjeruara dhe të thellojnë idetë e tyre (Dickinson,
2011; Flynn, 2016). Për më tepër, dëgjimi i shprehjeve më të gjata dhe të ndërlikuara është i
dobishëm për përmirësimin e mësimit të gjuhës, duke u mbështetur nga studimet të cilat
tregojnë se kur prindërit dhe mësuesit përdorin gjuhë më komplekse, fëmijët që janë në kujdesin
e tyre përdorin dhe kuptojnë më shumë gjuhë të tillë (Huttenlocher et al., 2002; Justice et al.,
2013). Prandaj, është e rëndësishme që prindërit dhe mësuesit të planifikojnë mënyra të
vazhdueshme për të angazhuar fëmijët në shtëpi dhe në kopshte në aktivitete që nxisin
stimulimin gjuhësor.
Disa aktivitete të thjeshta të cilat mund t’i realizoni në shtëpi me qëllim të zhvillimit gjuhësor
janë: “Tregimi i përallave”, një aktivitet grupi i cili mund të mbahet çdo javë. Ky aktivitet u
ofron fëmijëve mundësinë të përdorin gjuhën në mënyrë të zgjeruar dhe të zhvillojnë aftësi të
rëndësishme të komunikimit. Gjatë aktivitetit, fëmijët, të cilët mund të jenë katër ose pesë,
mblidhen për të treguar përralla njëri pas tjetrit, duke stimuluar përdorimin e fjalëve,
ndërlidhjen e ideve dhe zhvillimin e strukturave më të gjata të fjalive (Flynn, 2016). Aktivitetet
tjera janë “Përdorimi i kartave me veprime“,“ krijimi i historive përmes imazheve të ndryshme“,
“imitimi i kafshëve dhe tingujve të ndryshëm“, “bisedat aktive“,“loja me role“, “ lojërat
senzorike dhe me blloqe“ të cilat kontribuojnë në zgjerimin e fjalorit, formimin e fjalive më të
gjata, përmirësojnë aftësitë për të pritur në radhë dhe nxisin komunikimin spontan dhe
pragmatik. Për më tepër, ato janë të thjeshta dhe të përshtatshme për t’u realizuar në shtëpi, duke
ofruar mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e aftësive të rëndësishme për komunikimin dhe të
kuptuarit e gjuhës, të cilat janë thelbësore për arritjet e mëvonshme të fëmijëve.
Autor: Yllka Imeri
Referencat:
Bochner, S., & Jones, J. (2008). Child Language Development: A Guide for Parents and
Educators (2nd ed.). Academic Press.
https://www.google.com/books/edition/Child_Language_Development/wRSRRMm6sHIC?hl
=en&gbpv=1&dq=Guidelines+and+Strategies+for+Language+Development+in+Children+at
+Home&pg=PR5&printsec=frontcover
Flynn, E. E. (2016). Language-Rich Early Childhood Classrooms: Simple but Powerful
Beginnings. The Reading Teacher, 70(2), 159–166. https://doi.org/10.1002/trtr.1487
Justice, L. M., & Kaderavek, J. N. (2013). Quality of the literacy environment in inclusive early
childhood special education classrooms. Journal of Early Intervention, 35(1), 40–60.
https://doi.org/10.1177/1053815113500343
Kumar, A. (2022). Create a Rich Language Environment in the Environment of Early
Childhood Development and Improve Children’s Language Expression Ability. Journal of
Early Childhood Development, 4(8), 41–56. https://doi: 10.53469/jerp.2022.04(08).41