Rruga drejt titullit Doktor Shkence – Reflektime mbi krenarinë (Pjesa e Parë)

“Shkolla nuk të bën njeri”, është njëra prej shprehjeve të cilat e dëgjojmë si replikë arrogante ndaj dikujt që shkollën e përdor si formë argumenti. Ama në fakt shkolla të bënë njëfarë “njeri” në shumë dimenzione të tjera. Dija (lexo informacioni) është arma më e fuqishme e njeriut në shekullin aktual. Por kush është ai me më së shumti informata? Kush është ai më i dituri? Për krahasim, e me qëllimin për t’u përgjigjur në pyetjen e të diturit –edhe pse mund të mos ketë kuptim kur lexohet prej kësaj perspektive– sistemi ka krijuar gradat akademike. Unë jam Bachelor në Psikologji, e ai tjetri ka gradën Master.

Ky është Doktor i Psikologjisë, e ai tjetri profesor i kësaj fushe. Krahasime të tilla, ndoshta edhe jo fort objektive, nxisin edhe më tepër egon e individit drejt titullit më prestigjioz. Gjithsesi, asgjë gabim deri këtu. Problemi qëndron që rruga drejt këtyre titujve nuk është fushë me lule. Në fakt krejt e kundërta, është gurë zjarri në secilin hap.

Secili prej individëve që kanë marr këtë rrugë, po besoj e përjetojnë të njëjtin proces. Në fillim, motivi e lumturia t’i mbyll sytë nga ajo se çka të pret. Njëfarë krenarie si rezultat i këtyre emocioneve të lartëpërmendura është pjesë e jotja në secilin diskutim. Është njëfarë krenarie kur ti apo dikush që ti e njeh krenohet me titullin “Kandidat/e për Doktor Shkence”. Sinqerisht,  nuk tingëllon aspak keq. Krenaria është motivimi, krenaria është edhe energjia. Këto janë domosdoshmëri në rrugën e re disa vjeçare.

Është e çuditshme se sa e fuqishme është ndenja e krenarisë. Aktivizimi përcjellës i një gjendje të tillë jo vetëm që rrit nivelet e të gjitha hormoneve të mundshme të lumturisë, por edhe të bënë të aftë që të gjykosh situatat racionalisht. Në fakt, thuhet në filozofinë e vjetër që vetëm zotat janë krenarë dhe krenaria është virtyt superior. Gjithsesi, me krenari vjen edhe mendjemadhësia. Në fund të fundit, në këtë rrugë nuk kalojnë shumë njerëz, edhe më pak e kalojnë vijën e “finishit” për të kaluar në një rrugë tjetër. Kësaj rruge i takon shumë prej këtyre personave.

Krahasohesh me ta sepse krahasimi me vetën tënde para disa viteve nuk të duket më interesant.

Kështu, krenaria jote mund të ketë njëfarë limiti kur përballë ke dikë tjetër, majde edhe mund të ketë edhe ndonjë penalizim për ty. Pastaj krenaria e fuqishme venitet, bie, humbet fuqinë. Ngjashëm si të gjitha emocionet e tjera pozitive, edhe krenaria bie në intezitet me kalimin e kohës. Kur kjo ndodhë, krenaria zëvendësohet me një emocion tjetër.

Autori: Anonim

Sqarim: Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë vetëm ato të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht opinionet ose politikat e revistës “Psika”. Ky artikull është i pari në një seri artikujsh që detajojnë udhëtimin e autorit në ndjekjen e doktoraturës. Informacioni i dhënë në këtë artikull është menduar vetëm për qëllime edukative dhe informative dhe nuk duhet të interpretohet si këshillë profesionale ose mjekësore. Lexuesit duhet të konsultohen me një profesionist të kualifikuar përpara se të marrin ndonjë vendim bazuar në informacionin e paraqitur në këtë artikull.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë