Varësia ndaj drogës zakonisht nis si përdorim vullnetar i drogës dhe me kalimin e kohës personi fillon të përdorë drogën në mënyrë kompulsive. Diçka që në fillim dukej e kontrollueshme, rezulton të bëhet zakon, dhe personi fillon të kërkojë drogën me çdo kusht dhe përmes çdo mënyre të mundshme. Në fillim, sjellja e kërkimit të drogës themelohet në zonën kortikale prefrontale dhe striatumin ventral, por më vonë ndryshon në kontrollin e striatalit prefrontal dhe stratiumit dorsal. Çka duket të jetë kritike në këtë sjellje është nucleus accumbens, pjesë e trurit e cila përmban dopaminën. Kjo ndryshe njihet edhe si “rruga e shpërblimit” (eng. reward pathway) apo si “rruga e dopaminës”. Aryeja pse kjo luan një rol kaq të rëndësishëm në sjelljen e kërkimit të drogës është sepse marrja e drogës ndryshon këtë rrugë në trurin e njeriut.
Pra, përdorimi i drogës rezulton në ndryshimin e trurit tuaj, apo, më saktësisht, në ndryshime në pjesë të caktuara të trurit. Kur një person përdor drogë për herë të parë, nivelet e dopaminës rriten dhe personi ka më shumë gjasa të përdorë drogë përsëri, sepse e bën të ndihet mirë. Pas përdorimit të vazhdueshëm të drogës nivelet e dopaminës ulen. Çfarë ndodh në trupin e personave që përdorin drogën është ndryshimi i nivelit të alostazës, e cila zbret më poshtë se homeostaza. Në këtë pikë trupi ka formuar një “normale” të re, të ndryshme nga homeostaza origjinale. Në përpjekje për të kërkuar prapë atë ndjenjën e mirë, trupi fillon ta kërkojë drogën. Kështu, format që trupi merr në mënyrë natyrale dhe lidhjet nervore në nucleus accumbens kanë ndryshuar përgjithmonë. Nëse personi nuk merr drogë, ai/ajo do të kalojë në tërheqje (eng., withdrawal), që mund të përfshijë edhe ndjenja të depresionit.
Fatkeqësisht, disa persona duket se kanë një prirje më natyrale ndaj varësisë se të tjerët. Ka disa arsye për këtë, përfshirë ekspozimin e prindërve ndaj drogës apo kur personi është i rrethuar në një mjedis ku kërkimi i drogës është gjë normale. Sidoqoftë, një prirje më pak e dukshme është impulsiviteti. Studimet tregojnë që personat me impulsivitet më të lartë kanë më shumë gjasa të krijojnë varësi nga substancat në krahasim me ata me nivel më të ulët të impulsivitetit. Të njëjtët individë (me impulsivitet më të lartë), duket të jenë më rezistent ndaj ndëshkimeve dhe, prandaj kanë më shumë gjasa të jenë më recidivistë se sa individët me impulsivitet më të ulët. Siç mund ta shohim, individët me më shumë impulsivutet mund të jenë më të rrezikuar ndaj varësisë. Edhe pse ky nuk është një parashikim, kjo informatë mund të ndihmojë njerëzit të dijnë kufijtë e tyre para se të kërkojnë për drogë, por edhe ta përdorin këtë informatë kur dikush mundohet të ndalojë përdorimin e drogës.
Artikujt nga Everitt et al. (2008) dhe George et al. (2012) tregojnë katër “përmirësimet” që mund të bëhen gjatë procesit të trajtimit me një personi që është duke përjetuar çrregullimin e përdorimit të substancave, të cilat janë: largimi i drogës në mënyrë graduale, duke u siguruar që personat me këtë çrregullim e dinë standardin/normën e tyre të re emocionale dhe fizike, duke i mësuar këta individë për ndryshimin mes simptomave të depresionit dhe depresionit si çrregullim klinik, dhe duke kuptuar ndikimin që impulsiviteti mund të ketë përgjatë trajtimit.
E para nuk është domosdoshmërisht një përmirësim, sepse besoj që kjo gjë praktikohet tashmë. Sidoqoftë, do të doja të theksoj rëndësinë e këtij hapi në nivelin neurologjik. Largimi i drogës shpejt mund të përfundojë në rezultate shumë negative për individët që janë duke përjetuar këtë çrregullim. Për shkak se truri dhe trupi është mësuar me përdorimin e drogës dhe me sasi specifike të saj, ata presin drogën për mbijetesë. Nëse droga largohet menjëherë, atëherë trupi i tyre nuk do të mund “ta dijë” çfarë të bëjë dhe si të reagojë. Largimi gradual i drogës ndihmon që trupi të kuptojë që gjithnjë e më pak drogë nevojitet për funksionimin e tij. Së dyti, ashtu siç e përmenda në paragrafin e parë, personat me varësi ndaj drogës kanë ndryshuar përfundimisht rrugën e shpërblimit në trurin e tyre.
Ky ndryshim do të thotë që ata nuk do të ndihen njëjtë si ishin ndjerë para se të përdornin drogën. Prandaj, është normale që ata të ndihen më shpesh të dëshpëruar dhe të mos shijojnë të njëjtat gjëra që bënin më parë. Shumë njerëz nuk e dijnë këtë gjë dhe përfundojnë duke kërkuar përsëri drogën, sepse ata duan të shijojnë ato gjëra përsëri.
Kur një individ me çrregullimin e përdorimit të substancave është duke e trajtuar këtë çrregullim është e rëndësishme që t’i tregohet atij/asaj për ndryshimet që ndodhin në trupin dhe trurin e tij/saj dhe si kjo ndikon gjatë trajtimit. Kështu ata nuk do të jenë të surprizuar, do të kenë kohë të përgatiten dhe të kenë një zgjidhje alternative për këto ndjenja. Gjithashtu, për shkak të këtyre ndryshimeve në trupin e tyre dhe “normales” së re, këta individë mund të kenë edhe ndjenja depresive. Përveç duke ndihmuar ata të kuptojnë që këto ndjenja janë normale gjatë trajtimit, është e rëndësishme që, gjithashtu, të dihet se këto ndjenja nuk janë të njëjta me diagnostifikim të depresionit si çrregullim klinik.
Individët që janë duke përjetuar çrregullimin e përdorimit të substancave mund të tremben kur ndjejnë depresion, së pari, sepse simptomat e depresionit nuk janë të këndshme, por edhe sepse ata mund të mendojnë që kanë edhe një çrregullim tjetër përveç atij që po trajtojnë. Ka ndryshim mes ndjenjave depresive të bazuara në një situatë (p.sh, trajtimi i çrregullimit të përdorimit të substancave) dhe depresionit si çrregullim të diagnostifikuar.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është që gjatë trajtimit mund të jetë e dobishme të dihet nëse individi ka tendencë të jetë me më shumë impulsivitet apo jo. Edhe pse nuk është e pamundur që personat impulsivë të trajtojnë këtë çrregullim, kjo është më e vështirë se sa për personat që kanë më pak impulsivitet, për shkak të lidhjes që impulsiviteti ka me varësinë ndaj drogës. Personat me më shumë impulsivitet janë, gjithashtu, më të prirur se të tjerët t’i rezistojnë trajtimit. Prandaj, terapistët mund të ndihmojnë këta individë të kuptojnë këtë pengesë dhe kështu ata mund të kenë trajtim më të sukseshëm të këtij çrregullimi.
Të gjitha këto sugjerime janë faktorë të rëndësishëm që mund të ndidhmojnë individët të përfundojnë me sukses trajtimin e çrregullimit të përdorimit të substancave. Ka studime të rëndësishme që mbështesin përmirësimet e sugjeruara, prandaj ato duhet të përdoren edhe në praktikë në mënyrë që të arrihet suksesi.
Autore: Dea Saraqini
Sqarim: Ju lutemi vini re se informacioni i dhënë në këtë blog nuk ka për qëllim të jetë një zëvendësim për këshilla, diagnozë ose trajtim profesional mjekësor. Nëse ju ose dikush që njihni po ballafaqohet me çrregullimin e përdorimit të drogës, është e rëndësishme të kërkoni ndihmën e një profesionisti të licencuar të kujdesit shëndetësor. Përvojat e ndara në këtë blog janë të destinuara vetëm për qëllime informative dhe nuk duhet të përdoren si një mjet për të diagnostikuar ose trajtuar ndonjë gjendje mjekësore. Autorët e këtij blogu nuk mbështesin ndonjë formë specifike trajtimi dhe informacioni i dhënë nuk duhet të përdoret për të marrë vendime në lidhje me kujdesin mjekësor.
Lista e shërbimeve të ndihmës në Kosovë: revistapsika.com/sherbimet-e-ndihmes/