Ndritësimi i të padukshmes: Koleksioni i veshjeve ‘Sombre’ eksploron sfidat e shëndetit mendor përmes modës

Sombre – errësirë, zymtësi e melankoli.

Sombre – seriozitet, introspeksion dhe kompleksitet emocional.

Sombre – elemente, ngjyra, vija dhe tekstura rrobash që flasin për ankthin e depresionin, atëherë kur këta të dy na e pamundësojmë të flasim për ta.

Në takimin e pasionit e dashurisë për modën, rrugëtimin ngazëllyes të vetë-shprehjes, “publikimit” të identitetit personal e unik në laps, me dëshirën për të thelluar bisedën publike rreth shëndetit mendor, duke rritur ndjeshmërinë e mirëkuptimin mbi sfidat që shoqërojnë ankthin e depresionin, në qenësi, vetë-sfidues, Hadise Kadiri, sjell një koleksion rrugëtimesh të thella emocionale të paraqitura në vija të cilat marrin forma e kuptime të ndryshme, si një sajesë estetike e kreative për t’i dhënë “dritë”  “Sombre”-së psiko-sociale e emocionale.

“Si simbolikë e element kryesor i këtij koleksioni janë vijat të cilat janë përdorur në të gjitha  veshjet e koleksionit. Janë vija të koklavitura, me forma asimetrike të cilat krijojnë një ndjesi të komplikuar.”, shprehet Kadiri, duke shtuar se këtë simbolikë është munduar ta ofrojë si një tregues të një ndjesie dominuese që individët me sfida të shëndetit mendor e përjetojnë në përditshmërinë e tyre.

Foto 1. Vizatimet e përdorura si referencë

Çdo veshje dhe element i dizajnit brenda koleksionit të titulluar “Sombre” është kuruar me kujdes për të pasqyruar ndjesi të ndryshme të spektrit emocional, duke kombinuar nuanca të zymta, tekstura delikate dhe silueta të menduara. Duke eksploruar nuancat e sfidave njerëzore, përmes 11 veshjeve, “Sombre” shërben si një penel i cili mbush hapësirat e gardhuara gjuhësore të bisedës mbi shëndetin mendor në komunitetin tonë. Kurse, sa i përket peneleve që kanë ndihmuar në “ngjyrosjen” e frymëzimit të Kadirit për krijimin e këtij koleksioni, ajo rrëfehet se “Inspirim për realizim të këtij koleksioni u gjetë edhe tek dy piktorët e famshëm Van Gogh dhe Edvard Munch”.

Shtegtimi ynë, nga veshja në veshje, emocioni në emocion, përgjatë koleksionit “Sombre”, gjen pushim në të kaltërtën e veshjes së fundit të paraqitur në krijimet e Kadirit, ku sipas saj, “Njgyra e kaltërt reflekton shpresën” dhe vjen si një përpjekje shtesë për ta ofruar hapësirën për të imagjinuar shpresë në labirintin kompleks të ilustruar në po të njëjtën veshje.

Foto 2. Disa nga dizajnet e skicuara të koleksionit

Përgjatë intervistës, Kadiri, ngjashëm si koleksioni i saj, zërojnë rëndësinë e përdorimit të fuqisë së modës e artit për të ndryshuar e përmirësuar bisedat sociale dhe shembur barrierat, ku, duke inkorporuar temat e shëndetit mendor në krijimet e tyre, artistët e dizajnerët, mund të ndihmojnë në destigmatizmin e sfidave të shëndetit mendor dhe kultivimin e një mjedisi më gjithëpërfshirës e të kujdesshëm. Gjersa, “Mesazhi që ky koleksion synon t’u përcjellë individëve që përballen me ankth, depresion ose ndonjë sfidë tjetër të shëndetit mendor është t’i bëjë ata të ndihen të kuptuar në udhëtimin e tyre; të krijojë një hapësirë të sigurt për të diskutuar shqetësimet e tyre dhe të sigurojë shpresë, forcë dhe mbështetje”, është përgjigjur Kadiri.

“Sombre” mundohet t’u kujtojë atyre se çdo gjë që ata po përjetojnë është e vlefshme dhe e rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e kërkimit të ndihmës nga shoqëria, rrethi e profesionistët, në rastet kur sfidat tona arrijnë nivele më vështirë të përballueshme.

Hadise Kadiri është një stiliste 21-vjeçare dhe menaxhere e dyqanit në “Teshavesha”. Teshavesha është një dyqan bamirësie në kuadër të organizatës AMC-Action for Mothers and Children, i fokusuar në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. Ai mbledh veshje dhe sende të dhuruara për të mbledhur fonde për programet e AMC-së, si furnizimi me medikamente dhe pajisje mjekësore, si dhe hapjen e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas. Roli i Hadises përfshin menaxhimin e dyqanit dhe promovimin e modës dhe filantropisë së qëndrueshme.

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë