Tantrumet (shpërthimet emocionale) janë një fenomen i zakonshëm te fëmijët në zhvillim. Ato ndodhin shpesh si pasojë e:
- Nevojave dhe dëshirave të paplotësuara
- Mungesës së aftësisë për të shprehur ndjenjat në mënyrë të përshtatshme
Ndërsa një fëmijë fillon të zhvillojë pavarësinë dhe përpiqet të përmbushë detyra më komplekse, ai/ajo mund të përjetojë episode të mbingarkesës emocionale që shpesh përfundojnë në shpërthime të zemërimit.
Tantrumet janë më të zakonshme midis moshës 2 dhe 4 vjeç dhe zakonisht zbehen pas moshës 5 vjeç.
Pse ndodhin?
Sipas Watson & Gebhardt (2020), ndërsa fëmijët zhvillojnë aftësitë e tyre gjuhësore, ata fillojnë të përdorin një gjuhë më të qartë për të shprehur refuzime ose kërkesa.
Megjithatë, tantrumet mund të ndodhin si rezultat i:
- Ndjenjave të zemërimit dhe frustrimit
- Nevojës për vëmendje
- Pamundësisë për të komunikuar
- Frikës, lodhjes ose dëshirës për autonomi
- Vështirësisë për të menaxhuar emocionet
Si mund të reagojnë fëmijët gjatë një episodi shpërthyes?
Gjatë episodeve të tantrumeve, fëmijët mund të shfaqin sjellje si:
- Të bërtitura dhe të qara të forta
- Rënie në dysheme
- Goditje ose shkelmim
- Hedhje të sendeve
- Përplasje e kokës në mure, tavolina ose dysheme
- Kafshime, etj.
Si t’i menaxhojmë tantrumet?
Tantrumet duhet të menaxhohen në mënyrë të përshtatshme, varësisht nga arsyeja. Ja disa strategji:
• Ofrimi i Rehatimit
Nëse fëmija është i lodhur, i uritur ose ka nevojë për mbështetje emocionale, ofroni rehati dhe përkujdesje për ta ndihmuar të qetësohet.
• Injorimi i sjelljes
Kur tantrumi ndodh për vëmendje, injoroni sjelljen për sa kohë që fëmija nuk është në rrezik. Kjo ndihmon që fëmija të mësojë se shpërthimet nuk japin rezultat.
• Qëndroni të qetë dhe sqaroni rregullat
Në rast refuzimesh, qëndroni të qetë dhe shpjegoni qartë pse nuk është e mundur ajo që fëmija kërkon.
• Konsistenca dhe qëndrueshmëria
Nëse pas një tantrumi fëmija e merr atë që dëshiron, ai mëson të përdorë këtë sjellje për të manipuluar situatat. Qëndroni të vendosur dhe konsistentë.
• Jini të sjellshëm dhe shmangni bërtitjen
Fëmijët mësojnë duke ju imituar. Tregohuni të sjellshëm edhe kur jeni të frustruar, sepse kjo ndihmon fëmijën të mësojë të menaxhojë emocionet në mënyrë të shëndetshme.
Mund t’i thoni me vendosmëri, por edhe me dashamirësi:
“E kuptoj që je i mërzitur, por nuk mund ta kesh këtë tani.”
• Sigurimi i një hapësire të sigurt
Nëse fëmija është në rrezik për veten apo të tjerët, drejtojeni në një hapësirë të sigurt dhe të qetë. Përdorni teknikën Time-Out nëse është e nevojshme, për t’i dhënë kohë të rikuperohet emocionalisht.
• Evitoni ndërhyrjen nga të tjerët
Shmangni që gjyshërit ose të afërmit të ndërhyjnë në mënyra që krijojnë kontradikta. Sipas Fetsch dhe Jacobson (2013), disiplina jokonsistente mund të rrisë zemërimin te fëmijët.
Çfarë të bëni pas sjelljeve maladaptive?
Pasi fëmija të qetësohet:
- Komplimentojeni për përpjekjen për të kontrolluar emocionet
- Përqafojeni, tregojini se e doni dhe se jeni aty për të
Autor: Adela Bajrami
Referenca
Beers, N. S., & Howard, B. (2003). Managing Temper Tantrums. Pediatrics in Review, 24(2), 70–a–71. doi:10.1542/pir.24-2-70-a
Daniels, E., Mandleco, B., & Luthy, K. E. (2012). Assessment, management, and prevention of childhood temper tantrums. Journal of the American Academy of Nurse Practitioners, 24(10), 569–573. doi:10.1111/j.1745-7599.2012.00755.x