Format intriguese e unike përmes të cilave individët përceptojnë dhe përjetojnë trupat e tyre fizikë, në saje të ndërveprimit të orkestruar të informacionit ndijor, proceseve njohëse, emocioneve dhe interpretimeve sociale, kanë qenë pjesë e kërkimeve të menduara, të shkruara e të thëna të Psikologjisë tash e shumë kohë.
Idealet kulturore, përvojat personale e kolektive, përceptimet individuale, në një raport të ndërlikuar me emocionet dhe identitetin, kanë ofruar vazhdimisht përgjigje e pyetje të zgjeruara në lidhje me mendjen dhe trupin njerëzor, duke u thelluar në të kuptuarit e çrregullimeve të lidhura me trupin dhe mënyrave kuptimplota të nxitjes së pranimit të vetes. Një nxitje drejt kësaj të fundit është e ndjerë edhe në odisenë e ekspozuar së fundmi në hapësirat e Galerisë 17.
Në zemër të Prishtinës e, njëherazi, në kufij, për herë të parë të kalueshëm, arti, bashkë me ju, shëtit në rrugicat e papërshkuara të mendjes. Si një ftesë për t’i thyer kufizimet e derimëtashme të përceptimit e sfidimit të narrativave konvencionale të identitetit, përvoja e fituar në këtë ekspozitë të guximit të heshtur eksplorativ nga S()fia Braga, krijon mundësi të reja për arritjen e një mirëqenieje optimale emocionale.
Qysh në hapin e parë që bëni drejt rrymës pulsuese të nuancave eterike, përgjatë portalit të kësaj galerie, ju pashmangshmërisht bëheni pjesë e një rrugëtimi transformues përmes enigmës vet-eksploruese të Forehead Vulva Channeling Research.
Në qendër të kësaj ekspozite është i përfshirë eksplorimi imagjinativ i hulumtimit transhumanist, i cili, nën bashkëjetesën tonë me teknologjinë, synon të zgjerojë dimensionet tona të të kuptuarit tonë të vetes dhe të asaj se çfarë do të thotë vetja e të jesh vetja, duke sfiduar e transformuar debatet ndërbrezore mbi identitetin tonë kolektiv.
Simfoni tingujsh e reflektimesh drite, tre shtretër të cilët të sigurojnë përvojë unike në dimensione alternative—të papërjetuara më parë—të nxit të afrohesh, të shohësh, të dëgjosh, të përkëdhelësh dhe të nuhasësh të paprekurën e prekshme—potencialin e pakufishëm brenda nesh.
Në një dinamikë jetësore, ku të gjithë jemi të zhytur në teknologji, për ta kuptuar atë që nuk gjendet në konceptime teknologjike, ekspozitat si kjo e Forehead Vulva Channeling Research, ndërthurin miqësisht teknologjinë, psikologjinë e individualen e interpretueshme, duke krijuar mundësi për njohje e zbulim të thelluar të vetes.
Fotografitë: Majlinda Hoxha
Për më shumë informata mbi ekspozitën “Forehead Vulva Channeling Research”, ju ftojmë të klikoni këtu.