, , ,

Pse Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm?: Asgjë e re dhe shumëçka ndryshe

Para hyrje

Pareshtur, njerëzit janë përballur me dy pyetje kryesore “Kush jam unë?” dhe “Cila është bota ime?”. Në përpjekje për t’iu gjetur rrugën pyetjeve të tilla dhe dilemave përcjellëse, janë bërë të njohura mijëra përgjigje, ide dhe teori të shkruara që shpjegojnë natyrën njerëzore dhe po aq të atilla që trajtojnë botën në të cilën jetojmë. Megjithatë, nuk ka as edhe një qasje të vetme teorike që buron nga mendimi i hershëm filozofik apo multidiciplinariteti shkencor modern, që mund t’i përafrohet zgjidhjes përfundimtare të enigmës njeri. Kjo është arsyeja pse shpeshherë teoritë përplasen, kundërshtohen dhe refuzojnë njëra-tjetrën. Pikëvështrimet ndryshe të njeriut (lexo: teoricienëve dhe studiuesve) për veten në radhë të parë dhe, pastaj, për njeriun tjetër, vetëm sa i kanë shtuar dilemat. Për çdo përgjigje të ofruar, dhjetëra pyetje dhe mëdyshje të reja janë ngritur. Megjithatë, gjithë ky pluhur i “injorancës”, mbase edhe pa qëllim, ka zbuluar një të vërtetë, një njohje të pamohueshme, sa të re, aq edhe të vjetër – që njeriu është një qenie komplekse. Pikërisht, kompleksiteti i qenies së njeriut dhe pamundësia për ta deshifruar atë janë cilësuar shpeshherë si pikënisja dhe përfundimi i gjithë lëmshit të krijuar për t’i kuptuar dhe parashikuar mendimet, ndjenjat dhe sjelljet e tij. Prandaj, kur nuk njohim njeriun, është pothuajse e pamundshme për ta kuptuar pjesën tjetër të ekuacionit dhe për t’i dhënë shpjegim e zgjidhje keqfunksionimit të tij.

Përkundër kësaj sfide thelbësore, përpjekjet vazhdojnë dhe ide të reja krijohen. Shumë nga idetë dhe teoritë mbi njeriun nuk i kanë rezistuar kohës, duke gjetur kështu kundërshtimin e fakteve kokëforta shkencore, përderisa të tjerat vazhdojnë të jenë pjesë e diskursit shkencor edhe në ditët e sotme apo të shërbejnë si themele të teorive moderne. Por, rezultati final i pothuajse të gjitha përpjekjeve në këtë drejtim ka riafirmuar faktin “që nuk e dimë se sa dimë dhe nuk e dimë se sa larg së vërtetës jemi”.

Duke qenë se është debatuar aq shumë për njeriun, duket pothuajse e pamundshme që idetë e sotshme të jenë inovative, unike dhe origjinale. Pashmangshmërisht, teoritë e reja do të shërbehen aty-këtu me ndonjë nga postulatet e famshme të mendimit shkencor nëpër kohë, por kombinimet dhe racionalizimet i bëjnë ato të duken ndryshe. Andaj, edhe kjo teori është një përpjekje për të ofruar një tjetër këndvështrim për njeriun dhe për një dimension të rëndësishëm të jetës së tij, që është dimensioni psikologjik, duke u shfrytëzuar ndonjëherë edhe me njohjen e krijuar nga përplasja e ideve dhe teorive të tjera.

Meqë asnjë teori nuk e zotëron të vërtetën absolute për njeriun, edhe kjo teori është larg pretendimeve të tilla. Në rastin më të mirë, kjo teori mund të shihet si një tendencë modeste (1) për t’i dhënë kuptim mënyrës se si (keq)funksionon njeriu në aspektin psikologjik, (2) për t’i dhënë shpjegim dhe ofruar trajtim çrregullimeve psikologjike dhe (3) për t’i dhënë shtysë përpjekjeve që ndihmojnë njeriun modern që ta (ri)gjejë kohezionin e brendshëm; në këtë mënyrë, ta ruajë shëndetin mendor apo ta parandalojë zhvillimin e çrregullimeve psikoemocionale e psikosociale.

Kjo teori ndërtohet mbi trekëndëshin: mendim racional, evidencë shkencore dhe përvojë klinike, që lehtë mund të sfidohet nga mendime të tjera racionale, evidencë tjetër shkencore të prodhuar nga qasje dhe metoda të ndryshme të kërkimit apo edhe përvoja klinike më të pasura. Por, tek e fundit, teoria merr kuptim edhe nëse nxit të menduarit kundërshtues, nga ku mund të burojë një teori a shpjegim edhe më i mirë dhe më i dobishëm se ky që po lexoni. Andaj, qëllimi kryesor i kësaj teorie nuk është assesi zhvleftësimi i përpjekjeve, ideve dhe teorive të tjera, por pasurimi i mendimit ekzistues për njeriun dhe stimulimi i debateve të reja, nga ku mund të kuptohen edhe dimensione të reja të jetës psikologjike të njeriut. Në esencë, kjo teori ka qasje krejtësisht humane dhe përmblidhet në dëshirën për t’i ndihmuar njerëzit që kalojnë nëpër një periudhë të vështirë jetësore. Gabimet janë të pashmangshme edhe në këtë këndvështrim, por, nën hijen e qëllimit të mirë, ato edhe mund të arsyetohen.

Në përgjithësi, kjo teori është një përpjekje për ta shpjeguar funksionimin psikologjik të njeriut nga një perspektivë dinamike (e ndryshueshme) dhe sistemore. Koha është elementi kryesor dhe teoria shpjegon dhe argumenton rëndësinë që e ka ky dimension për shëndetin psikologjik. Ndërkaq, sistemet, në kuadër të kësaj teorie, përfaqësojnë raportet apo marrëdhëniet kryesore të njeriut, që konsiderohen të domosdoshme për funksionimin e mirëfilltë psikologjik, sikurse janë marrëdhënia intrapersonale (raporti i njeriut me veten), marrëdhënia ndërpersonale (sociale; raporti i individit me të tjerët), marrëdhënia profesionale (qëllimet në jetë, zhvillimi akademik, profesioni, puna dhe karriera), si dhe marrëdhënia spirituale.

Në këtë shtjellim, kohezioni që krijon njeriu në mes të së kaluarës së tij, së tashmes në lëvizje dhe së ardhmes që e beson apo e projekton për secilin nga sistemet a marrëdhëniet mes tyre, konsiderohen si mekanizmi më i shëndoshë (adaptues) mbrojtës ndaj ndryshimeve dhe ngjarjeve që cenojnë shëndetin mendor. Mbi modelin teoriko-logjik që është provuar dhe mbështetur edhe nga kërkimi shkencor dhe provat e përvojat klinike, është propozuar edhe një qasje e re psikoterapeutike që ka për qëllim (ri)ndërtimin e kohezionit të brendshëm të njeriut. Forma finale e teorisë së kohezionit të brendshëm e paraqitur në këtë libër kërkon kritikë të mirëfilltë, zbatim dhe vlerësim të efektivitetit të qasjes dhe ndryshim e plotësim të vazhdueshëm. Përsosja e një teorie dhe psikoterapie nuk është gjë tjetër, veçse përpjekje e vazhdueshme që, nëpërmjet ndryshimeve dhe plotësimeve, të jetë përherë në dobi të njerëzve.

Autor: Prof. Dr. Fitim Uka

Komente:

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Artikuj të ngjashëm

Postimet e fundit

Kategoritë